Konspiracionisti Alfred Cako ka hedhur një parashikim të bujshëm për të ardhmen e kryeministrit Edi Rama në politikë. Analiza e tij në fillim përqendrohet tek përmbytjet, hetimet e Prokuroria e Posaçme (SPAK) me zbulimin e skandaleve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe përplasja e interesave politike brenda Partisë Socialiste.
Cako thekson se përmbytjet e fundit janë më të mëdha se ato të së kaluarës dhe lidhen drejtpërdrejt me keqmenaxhimin urban dhe ndërtime të pakontrolluara.
“Nuk ka pasur përpara përmbytje të tilla; Shqipëria ka pasur më shumë banorë në atë kohë. Kjo ndodh sepse janë ndërtuar mbi hidrovoret dhe mbi kanalet kulluese. Megjithatë, ka zgjidhje në kuadër të investimit të parave: banorët që kanë ndërtuar në këto vende mund të marrin një lloj ndihme nga shteti që të largohen, të prishen shtëpitë e tyre dhe të rregullohet ky problem. Por qeveritë tona, jo vetëm kjo e socialistëve por edhe ato të mëparshmet, janë fajtore që nuk kanë ditur dhe nuk kanë dashur ta zgjidhin këtë lloj realiteti”, shprehet Alfred Cako.
Hetimet e SPAK
Një tjetër kritikë e fortë e Cakos lidhet me menaxhimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe skandalet e lidhura me sigurinë kombëtare që rrezikojnë të fundosin Ramën.
“Kryeministri Rama ka qenë në një vizitë në Paris ku është takuar me dhëndrin e Trump, Kushner. Ramës po i shket toka nën këmbë me aferat korruptive që SPAK po shpalos. Ka probleme të rënda me AKSHI-n dhe me zëvendëskryeministren; është në rrezik siguria jonë kombëtare sepse AKSHI ka luajtur në mënyrë amatore duke ia dhënë të drejtat e gjendjes civile kompanive të dyshimta. Softueri për gjendjen civile është marrë nga IBM, një nga kompanitë më prestigjioze në botë. Me ndërhyrjen e ambasadorit Ëithers në vitin 2008, iu kërkua IBM-së që të jepte një softuer falas për Shqipërinë kur kryeministër ishte Sali Berisha. IBM-ja dha softuerin që Austria e kishte blerë 20 milionë euro dhe Ministria e Brendshme e Austrisë pranoi t’ia jepte Shqipërisë falas, me kushtin që specialistët austriakë të trajnonin tanët. Megjithatë, Ministria e Brendshme, me qëllim korrupsioni, bëri një tender 16-vjeçar me 50,000 euro në vit për ekspertizën e përdorimit të sistemit. Kur u hap gara 500 milionë dollarë për kartat e identitetit dhe pasaportat në 2008, IBM mori pjesë, por e fitoi kompania franceze Sagem duke përdorur dredhira: futën 10% kompani investimesh amerikane që SHBA të mos e kundërshtonte. Franca gjithmonë ka qenë kundër interesave shqiptare dhe aleate e sllavëve. Shumë nga udhëheqësit tanë kanë ardhur nga Franca, duke përfshirë Enver Hoxhën, Sali Berishën dhe Edi Ramën, i cili ka qenë atje si emigrant me një të kaluar të dyshimtë”, tha ai.