“Ajo është këtu, e ndjej”, ndonëse i verbër – banori i BBVA, Stenaldo e kupton prezencën e nënës së tij në shtëpi

Një nga momentet më prekëse të këtij edicioni të Big Brother VIP Albania 5 ndodhi mbrëmjen e së martës, duke emocionuar jo vetëm banorët, por edhe mijëra shikues para ekranit.

Ndërsa pjesa tjetër e shtëpisë ishte drejtuar për të fjetur, në dhomën e ndenjës mbeti i vetëm këngëtari Stenaldo Mëhilli, i cili është i verbër, duke krijuar një atmosferë të qetë dhe intime për një bisedë të thellë me moderatorin Ledion Liço.

Teksa Ledioni po e pyeste për historinë e tij të jetës, për sfidat dhe rrugëtimin personal, në shtëpi hyri pa u vënë re nëna e tij, Flutura. Ajo u ul në një qoshe të sallonit, duke u përpjekur të mos e prishte momentin dhe të mos zbulohej, ndërsa shikonte të birin nga afër pas një kohe të gjatë.

Megjithatë, në një mënyrë krejt instinktive, Stenaldo e ndjeu praninë e saj. Pa e parë, ai ndaloi për një çast dhe tha me bindje të plotë: “Ajo është këtu, jam 100 për qind i sigurt”. Ky reagim i menjëhershëm la të shtangur Ledionin, i cili i befasuar e pyeti se si arriti ta kuptojë një gjë të tillë.

Përgjigjja e Stenaldos ishte po aq prekëse sa edhe momenti vetë. Ai u shpreh se mes tij dhe nënës ekziston diçka më e fortë se shqisat e zakonshme, një lidhje që ai e quajti “hyjnore”, e cila i lejon ta ndiejë praninë e saj edhe pa e parë.

Ky çast i mbushur me emocion solli një nga skenat më të bukura të këtij sezoni, duke treguar fuqinë e lidhjes mes një nëne dhe një djali, përtej çdo pengese fizike. /Telegrafi/