Kurti duhet ta shpreh një “falënderim” edhe për Baton Haxhiun!

Thuajse përfundoi edhe numërimi i votave të të gjitha kategorive, si për partitë politike, edhe për kandidatët për deputetë. Kosova tashmë ka një pasqyrë të qartë të këtij rezultati. Partitë politike e dinë se sa peshë kanë në elektorat dhe se si e sa mbështeten nga qytetarët e vendit. Zgjedhësit dhanë rreth 475 mijë vota për koalicionin e Lëvizjes së Vetëvendosjes dhe Albin Kurtin. Më shumë sesa për të gjitha partitë politike shqiptare e të minoriteteve të marra së bashku.

Vetëm 25 mijë vota më pak sesa donte në kuti zoti Kurti. Më në fund ky koalicion do të ketë 57 deputetë, dhjetë më shumë sesa në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Ndërsa PDK do të ketë një e LDK 8 deputetë më pak. Edhe AAK do të ketë një deputet më pak sesa para 11 muajsh. Deputetët e minoritetit serb dhe minoriteteve të tjera janë të pandryshueshëm, gjithsej 10+10, dmth 20!

Shumë prej politologëve, analistëve dhe ekspertëve e kanë trajtuar fitoren e Kurtit dhe humbjen e partive shqiptare me arsyetime dhe vlerësime të ndryshme dhe të larmishme. Natyrshëm që faktorët që ndikuan në këtë rezultat janë të shumtë ose disa. Por shumë pak po vihet në dukje një fenomen i zhvilluar sidomos në kohën e qeverisjes së koalicionit të Vetëvendosjes dhe kryeministrit Albin Kurti. Është fjala për akuzat ndaj tij. Studiot, salla e parlamentit dhe konferencat për shtyp për disa vite dhe gati çdo ditë hodhën akuzën se “Kurti është spiun i Serbisë” dhe madje se “Kurti është hajn e rrenc”!

Dikush thoshte edhe se “Kurti është hajni më i madh që ka njohur Kosova”! Qëllimi ishte që të “harrohej” qeverisja e klanit PRONTO. Këto dy akuza ekstreme, pa asnjë fakt, asnjë provë, asnjë dëshmi të dikujt si dëshmitar okular dhe pa asnjë argument, në vend që ta fundosnin Albin Kurti, ato e ngritën më lart figurën e tij.

Akuzuesit morën modelin e akuzave që politika e Tiranës përdor kundër njëri-tjetrit. Menduan se me këtë model do ta kishin të njëjtin ndikim që akuzat kanë në Shqipëri. Besuan shumë te skema e kryeministrit të Shqipërisë për të ndërtuar narrativën e gënjeshtrave të mëdha, sipas parimit “Sa më e madhe gënjeshtra, aq më shumë dhe më lehtë besohet ajo”! Dhe duke dëgjuar këshillat e kreut të narco-shtetit shqiptar, akuzuesit e studiove pa fund në Kosovë besuan se e kishin gjetur tashmë çelësin e suksesit në luftën kundër qeevrisë dhe kryeministrit Kurti. Deri diku të njëjtën metodë ata ndoqën edhe me akuzat kundër presidentes, Vjosa Osmani. Por po përqëndrohem me luftën hibride që iu bë kryeministrit Kurti.

Akuzuesit patën dhe kanë një regjisor në këtë fushatë linçuese politike. Ai është Edi Rama, të cilit tashmë i bie shumë pak ose aspak kohë të merret me Kosovën dhe qeverinë e saj. Ka halle të tjera ekzistenciale për veten e tij. Por ata patën dhe kanë edhe një tru serbo-revanshist që drejton dhe kontrollon të gjitha këto fushata denigruese në televizionet e Kosovës e deri diku edhe në ato të Shqipërisë. Është një “kryeredaktor kundër Kurtit” që me bekimin e Ramës ndërtoi skemën linçuese. Eshtë Baton Haxhiu, të cilin Kurti e kishte cilësuar si të Ramës dhe i Aleksandër Vuçiq. Shihni kronikat e lajmeve në këto televizione për Kosovën e qeverinë Kurti dhe do të vini re se çdo ditë lansohen njoftime denigruese e kritike për këtë qeveri dhe për kryeministrin e Kosovës. Në ekrane flasin vetëm ata që janë të gatshëm t’i thonë Albin Kurtit spiun, hajn, rrenc etj.

Dhe këta njerëz pa moral, pa ide, pa minimumin e respektit njerëzor, të pafytyrë e të padinë e iman arritën që të shtinë në dorë shumicën e rrjetit të medieve për ta bombarduar dëgjuesin me akuza në luftën hibride kundër Albin Kurtit. Ishin të bindur e të lumtur se me këtë metodë po i shërbejnë gjithashtu Beogradit, duke shpresuar për ndonjë shpërblim të majmë nga ana e qeverisë dhe shërbimit sekret të Serbisë.

Por shqiptarët e Kosovës nuk u ngjanë shqiptarëve të Shqipërisë, E kam fjalën se ata nuk gënjehen e mashtrohen aq lehtë siç ndodh në Shqipëri. Shqiptarët në Kosovë, në vend që t’i besonin propagandës anti-Albin e në këtë rast e them me bindje, edhe anti-Kosovë, i besuan të kundërtës. I besuan faktit se kryeministri i tyre nuk është e nuk mund të jetë as spiun, as hajn, as rrenc. Sa më shumë u përdor kjo narrativë anti-Albin, aq më shumë u krijua perceptimi se kjo luftë kundër kryeministrit ishte e orkestruar në Tiranë e në Beograd. Sa më shumë u deformuan exit pollet e sondazhet e Baton Haxhiut, aq më i neveritshëm u bë dora e djathtë e Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiq në Kosovë.

Për këto arsye zoti Kurti dhe Vetëvendosja, bashkë me GUXO-n duhet të falënderojnë publikisht studiot televizive të Klan Kosovës, TV Dukagjinit e studiove të tjera televizive në Kosovë e në Shqipëri, si edhe protagonistëve të tyre, Baton Haxhiut, Adriatik Kelmendit, Berat Buzhalës, Melaim Zekës, e shumë të tjerëve, të cilët nuk po i përmend me radhë!

Eskili thoshte “Kur e drejta tejkalohet, ajo kthehet në të kundërtën e vet”! Pikërisht ky përcaktim i para 2400 viteve u provua edhe kësaj radhe në Kosovë. Tejkalimi i së drejtës për të bërë kritikë dhe opozitë në Kosovë e bëri qytetarin e këtij vendi ta çojë votën te i drejti për të ndëshkuar zëdhënësit e errësirës serbe në këtë vend.