Kryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, Hysni Mehani, ka deklaruar se po përballet me kërcënime serioze për shkak të opozitarizimit të tij në Skenderaj, shkruan rajoni.org.
Hysni Mehani ka shkruar së vala e kërcënimeve ndaj tij ka nisur në Kuvendin Komunal nga Sami Lushtaku, ndërsa kërcënimet, siç thotë ai, kanë arritur deri në atë nivel sa i është thënë se do t’i “hiqet flama”, duke shtuar se është i befasuar që ende është gjallë.
Ai bën të ditur se ditë më parë ka denoncuar komentet dhe kërcënimet në Polici, por sipas tij, përgjigjja e marrë ka qenë që të kthehet në shtëpi dhe të presë veprimet e gjykatës.
Postimi:
U nis nga Sami Lushtaku në Kuvendin Komunal, e kërcënimet tashmë po shkojnë deri atje sa me ma hjek flamën dhe po befason që jam gjallë.
Ditë më herët shkova në polici për të denoncuar komente e kërcënime të tilla, policia m’tha shko në shtëpi e prite gjykatën.
Sa për dijeni të kërcënuesëve, kur e kam filluar angazhimin tim politik në Skenderaj, e kam llogaritur hjekjen e flamës, kam kaluar situata që janë tepër jo normale për një vend që meton të jetë demokratik dhe as nuk jam ndal e as nuk do të ndalem, derisa hjekja e flamës të bëhet fakt.
Institucionet e sigurisë nuk do duhej të bënin sehir, apo edhe le të vazhdojnë të bëjnë. Angazhimin tim që edhe Skënderaj të bëhet vend demokratik, ku ekziston liria e fjalës e të menduarit e të jetuarit nuk do ta ndali asnjëherë.
Normalisht, sa të kem frymë.