Vuçiqi pas arrestimit të Maduros: Rendi botëror është përmbysur, Kosova po armatoset

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi, ka thirrur një mbledhje urgjente të Këshillit për Siguri Kombëtare, për shkak të atyre që ika cilësuar si “krime të papara në skenën politike ndërkombëtare”.

Pas përfundimit të mbledhjes së mbajtur në ndërtesën e Presidencës së Serbisë, Vuçiqi deklaroi se në rend dite kanë qenë tri tema kryesore: siguria ushtarake dhe politike rajonale, siguria energjetike dhe aksioni amerikan në territorin e Venezuelës.

“Pozita jonë do të bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar dhe komplekse”, tha Vuçiqi, duke shtuar se rendi i vjetër botëror po shembet dhe se rregullat ndërkombëtare nuk po funksionojnë më. Sipas tij, e drejta ndërkombëtare publike dhe sistemi i Kombeve të Bashkuara ekzistojnë vetëm “në letër”, shkruan Blici serb.

“Ne, si një shtet i vogël, do të vazhdojmë të mbrojmë këto parime, por duhet ta kuptojmë realitetin. Pas aksionit në Venezuelë, është e qartë se e drejta ndërkombëtare, rendi botëror dhe Karta e OKB-së nuk funksionojnë më”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se në botë sot mbizotëron ligji i forcës. “Kush është më i fortë, ai shtyp. Ky është i vetmi parim i politikës bashkëkohore”, u shpreh ai, duke shtuar se reagimet e disa përfaqësuesve evropianë ndaj zhvillimeve në Venezuelë tregojnë mungesë të plotë parimesh.

Vuçiqi ka deklaruar se Serbia është “veçanërisht e shqetësuar” për armatosjen e Kosovës, të cilën ai e cilësoi si të kundërligjshme dhe në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Sipas tij, kjo rezolutë është suspenduar de facto nga fuqitë e mëdha perëndimore dhe disa aktorë rajonalë, duke përmendur Turqinë.

Ai foli edhe për atë që e quajti “Aleancë të re midis Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit”, të cilën e konsideroi si kërcënim për sigurinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë. Sipas Vuçiqit, ky bashkëpunim përfshin edhe zhvillimin e përbashkët të sistemeve të avancuara luftarake.

“Republika e Serbisë e ndjek me vëmendje këtë proces dhe po përgatitet për mbrojtje nga ata që tashmë hapur kërcënojnë vendin tonë”, deklaroi ai.

Vuçiqi tha se Serbia beson se forca e saj do të jetë një faktor i mjaftueshëm parandalues dhe se synimi kryesor mbetet ruajtja e paqes dhe stabilitetit. Ai bëri të ditur se Këshilli ka diskutuar për forcimin e njësive speciale, rritjen e armatimit, investime shtesë në industrinë ushtarake dhe rritjen e rezervave strategjike, përfshirë ushqimin, ujin dhe municionin.

Sipas tij, në një periudhë prej një viti e gjysmë, Serbia do të dyfishojë kapacitetet e saj ushtarake, ndërsa kapacitetet njerëzore do të rriten për rreth 30 për qind.

“Një pjesë e madhe e armatimit prodhohet në vend, ndërsa një pjesë blihet jashtë. Ky është i vetmi mekanizëm i sigurt për mbrojtjen e vendit dhe faktori i vetëm real parandalues”, tha Vuçiqi.

Në fund, ai theksoi se një nga përfundimet kryesore të Këshillit ishte se Serbia duhet të mbështetet te vetja.

“Nëse dikush nga rajoni do të ndërmarrë veprime kundër nesh, askush nuk do të na ndihmojë përveç vetes sonë. Amerika nuk do të na sulmojë, as ndonjë fuqi e madhe. Por në këtë botë të çmendur, gjërat mund të ndryshojnë brenda natës. Prandaj duhet të jemi të gatshëm”, përfundoi Vuçiq.