Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ish-deputeti Zafir Berisha ka reaguar lidhur me debatin mes mërgatës dhe banorëve rezidentë në Kosovë, shkruan Periskopi.
“Kjo nuk është mërgatë, është turmë e manipuluar”, shkruan Berisha, duke theksuar se disa grupe që kanë festuar nëpër rrugë me kusia dhe goma traktori nuk përfaqësojnë mërgatën e vërtetë të Kosovës.
“Ju që po debatoni për mërgatën, mos i merrni si referencë ato grumbuj njerëzish që festonin me “kusia” nëpër rrugë si hajvana, sepse ata nuk janë mërgata e vërtetë.”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas tij, përçarja e krijuar pas zgjedhjeve nuk është e rastësishme, por e qëllimshme dhe ka për qëllim zhvendosjen e vëmendjes nga krizat reale socio-ekonomike, energjetike, të sigurisë dhe institucionale.
Berisha shkruan se përmes politikave dhe propagandës është investuar prej vitesh në thellimin e ndasive mes shqiptarëve, ndërsa në zgjedhjet e fundit, sipas tij, kjo përçarje është shtrirë edhe mes mërgatës dhe familjarëve të tyre në Kosovë.
Postimi i plotë:
Ju që po debatoni për mërgatën, mos i merrni si referencë ato grumbuj njerëzish që festonin me “kusia” nëpër rrugë si hajvana, sepse ata nuk janë mërgata e vërtetë.
Debati i ashpër që po zhvillohet mes mërgatës dhe banorëve rezidentë pas zgjedhjeve nuk është i rastësishëm.
Ky ka qenë qëllim dhe mision i Albinit!
Përçarja e qëllimshme e një shoqërie është mënyra klasike me të cilën mini-diktatorët përpiqen ta zhvendosin vëmendjen nga krizat reale, socio-ekonomike, energjetike, të sigurisë dhe institucionale.
Për vite me radhë, përmes politikave dhe propagandës së tij, është investuar në përçarje dhe acarim të marrëdhënieve mes shqiptarëve: fillimisht brenda Kosovës, pastaj në Luginën e Preshevës, në Maqedoni, si dhe mes shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë.
Në zgjedhjet e fundit, Albini shkoi edhe një hap më tej, duke thelluar përçarjen mes mërgatës dhe familjarëve të tyre në Kosovë, një pjesë e mërgatës që iu përgjigj thirrjes “patriotike” të Dejona Mihalit për të ardhur kinse për ta “çliruar” Kosovën.
Nuk u befasova nga sjelljet e asaj mërgate që gjatë luftës kishte ikur nga Kosova, e fshehur nën fustana e dimija, as nga ajo mërgatë që pas luftës u paraqit në Perëndim si “azilante”, me arsyetimin se “terroristët e UÇK-së e kishin okupuar Kosovën”.
Por po befasohem thellë nga mërgata e shëndoshë mendërisht, ajo mërgatë që historikisht ka qenë shtyllë e fortë e Kosovës dhe e shqiptarisë, se si hesht dhe pranon të identifikohet para opinionit me këtë grumbull njerëzish që sillen si të çmendur nëpër rrugë, me goma traktori e kusia në duar, dhe që vetes i thonë “mërgata e Kosovës”.
Kosova ka kaluar sfida shumë më të mëdha se këto që po i përjetojmë sot.
Por mos harroni: dikur turma të tëra, si kope delesh pas bariut, kishin shkuar edhe pas Titos.
Edhe atij i erdhi fundi.
Do t’iu vijë fundi edhe këtyre.
Zafa