“Bosfori i Ibrit”: Urat që i hoqën kuptimin barrikadës dhe ndryshuan lojën në veri

Opinionisti dhe njohësi i zhvillimeve në vend, Fadil Lepaja, thotë se viti 2026 pritet të jetë vit i stabilizimit institucional, koordinimit më të mirë me NATO-n dhe avancimit në procesin e integrimit të komunitetit serb në Kosovë.

Lepaja në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka folur për polarizimin politik dhe shoqëror në Kosovë gjatë vitit 2025 si dhe rreth kthimit të Listës serbe në komuna me shumicë serbe.

Sipas tij, ndërkombëtarët janë fokusuar më shumë në menaxhim stabiliteti dhe zbatim teknik të marrëveshjeve, duke lënë përgjegjësinë e kompromisit politik tek institucionet e Kosovës.

Lepaja flet edhe rreth pyetjes se nëse nga Kosova kërkohet më shumë “bindje” sesa partneritet dhe a rrezikohet sovraniteti politik i vendit si dhe ndërtimit të urave mbi Ibër.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Zotëri Lepaja, jemi në fund të vitit 2025, si e përshkruani këtë vit në raport me politikën e brendshme të Kosovës dhe çfarë duhet pritur për 2026-tën?

Fadil Lepaja: Viti 2025, në sipërfaqe, vërtetë u karakterizua nga një polarizim i thellë politik dhe bllokim institucional dhe kjo jepte përshtypjen se kjo ka ngadalësuar reformat dhe progresin drejt BE-së. Ajo që ka ndodhur vërtetë në prapavijë ka qenë më e rëndësishme për pozicionimin e Kosovës, ku ka vazhduar trendi i fuqizimit të strukturave të sigurisë, militarizimit dhe ndërtimi i marrëdhënieve substanciale të Kurtit me administratën amerikane, sidomos në këtë rrafsh. Me një fjalë, përafrimi i Kosovës institucionale me strategjinë globale të SHBA-së dhe, në njëfarë mënyre, shndërrimi i saj në një hallkë të sigurisë dhe baraspeshës rajonale, përballë sjelljes kaotike të fqinjit verior është një realitet I cili e la opozitën pa argumentet kyçe. Viti 2026 pritet të jetë vit i stabilizimit institucional, koordinimit më të mirë me NATO-n dhe avancimit në procesin e integrimit të komunitetit serb në Kosovë. Serbia është mundur ushtarakisht në veri, qoftë në nivel strategjik apo taktik. Kosova ka thyer konceptin e bllokimit dhe barrikadimit të serbëve në Kosovë, që ishte politikë e udhëhequr drejtpërdrejt nga Beogradi. Në veri është instaluar infrastruktura strategjike, është thyer miti i Urës mbi Ibër, janë ndërtuar dhe vendosur kapacitete të mjaftueshme të sigurisë jo vetëm në veri, por edhe përgjatë pikave dhe nyjeve të rëndësishme të kufirit me Serbinë, dhe kjo po vazhdon me një plan investimi mjaft serioz. Ndërtimi i kapaciteteve të industrisë ushtarake, sado në bërthamë, si ajo për prodhim të dronëve dhe ajo e municionit, si dhe blerja e armatimit të sofistikuar, e mundëson jo vetëm një partneritet më serioz me NATO-n, por edhe një partneritet më të fortë dhe më efektiv me KFOR-in dhe një rol më të madh të ushtrisë së Kosovës.

“Bota sot”: Në vitin 2025 është vërejtur një polarizim i thellë politik dhe shoqëror në Kosovë, shpesh i ushqyer edhe nga gjuha e ashpër politike. A mendoni se kjo klimë po e dëmton seriozisht kapacitetin e Kosovës për të ndërtuar konsensus të brendshëm në çështje shtetërore?

Fadil Lepaja: Zgjedhjet e fundit treguan se qytetarët janë mjaft të vetëdijshëm për rëndësinë e konsensusit për çështje shtetërore, prandaj i tejkaluan divergjencat e papajtueshme, bazuar në interesa të ngushta, duke i dhënë një mandat më të plotë Vetëvendosjes, e cila tregoi një vendosmëri më të madhe për shtetndërtim. Kështu, në mënyrë indirekte, u dënuan kauzat e paqena dhe të vjetruara të partive që pretenduan se ende është më e rëndësishme se kush apo si ka vepruar dikush në kohë lufte sesa çfarë ofron për qytetarët e vendit në pesë apo dhjetë vitet e ardhshme. Si duket, për dallim nga zgjedhjet e kaluara, kësaj radhe Vetëvendosje ka nxjerrë mësim dhe ka ikur nga gjuha e sharjeve dhe përdorimi i Ad Hominem në luftën për pushtet, I ka njohur meritat e së kaluarës dhe është përqendruar në të tashmen dhe të ardhmen duke atakuar vetëm korrupsionin, krimet, dhe mungesën e vizionit te kundërshtarët politik. . Kjo u lexua mirë nga qytetarët, të cilët janë lodhur me grindje dhe ofendime të pafund për periudhën e luftës apo atë të viteve të para të pasluftës. Gara e parafundit elektorale ishte banalizuar aq shumë sa ishte kthyer në një grindje e sharje mes vete, pa ndonjë ide se si të pozicionohemi në një rend global, konturat e të cilit ende nuk shihen qartë nga këtu. Akuzat ndaj njëri tjetrit për argati Serbisë apo për mungesë kontributi në çlirimin e Kosovës VV i zëvendësoi me një komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët.

“Bota sot”: Zgjedhjet lokale rikthyen Listën Serbe në komunat veriore të Kosovës. Kjo u përgëzua nga BE, madje edhe filluan të largojnë masat ndëshkuese ndaj Kosovës. Si e keni parë këtë zhvillim, a po afrohet Kosova më tepër integrimit në BE me hapin e fundit?

Fadil Lepaja: Një gjë është e sigurt: shqiptarët nuk mund të zgjedhin përfaqësuesit e serbëve në institucionet e Kosovës, qoftë në nivel nacional apo lokal. Edhe qeveria aktuale, edhe qeveritë e mëparshme kanë pasur qasje të gabuar: njëra duke luftuar me komunitetin në përpjekje për t’i thyer, e tjetra, opozita, duke u lëshuar pe gjithkund ku është kërkuar nga faktori ndërkombëtar. Konsideroj se vendosja e kontrollit mbi territorin në veri ishte e domosdoshme, dhe tash duhet gjetur gjuhë të përbashkët me përfaqësuesit e komunitetit serb, duke hapur perspektivën e përbashkët në Kosovë, duke insistuar që të drejtat dhe liritë e tyre t’i realizojnë brenda kushtetutës dhe ligjeve, që janë krejtësisht me standarde evropiane. Ne duhet të bëhemi më pak të ndjeshëm ndaj retorikës së tyre dhe më tepër duhet të merremi me ndërtimin e marrëdhënieve institucionale. Politikën dhe politikanët serbë duhet t’i ndihmojmë që të përshtaten në rrethana të reja, aq më tepër kur edhe në vetë Serbinë ka turbulenca dhe hutim të madh. Pra, rikthimi i Listës Serbe nuk duhet parë me frikë, por si potencial për normalizim institucional në veri. Këtu shteti duhet të insistojë në respektimin e ligjeve dhe kushtetutës, ndërsa politika duhet të negociojë integrimin gradual të serbëve në shoqëri.

“Bota sot”: Në anë tjetër, kryetarët e rinj nuk kanë hezituar të largojnë simbolet shtetërore në zyret. Ndërkombëtarët “vëzhgojnë”, por nuk reagojnë. A duket që ndërkombëtarët kanë “rrëshqitur” nga mbështetës aktiv në menaxhues stabiliteti?

Fadil Lepaja: Po, duket se ndërkombëtarët janë fokusuar më shumë në menaxhim stabiliteti dhe zbatim teknik të marrëveshjeve, duke lënë përgjegjësinë e kompromisit politik tek institucionet e Kosovës. Institucionet kosovare kanë të drejtë të anulojnë vendimet që janë në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet, kanë të drejtë të ndërhyjnë kur rrezikohet rendi dhe kanë të drejtë të pengojnë aktivitetet e institucioneve paralele, nëse ka sërish një tendencë të tillë. Por, kjo garniturë që theu konceptin e barrikadimit mbi Ibër duhet të ndërtojë edhe “rrugën” e integrimit politik të serbëve në shoqërinë kosovare. Mendoj se qeveria e Kosovës nuk duhet të merret me mikromenaxhim, as me dekorimin e zyrave të nëpunësve, por duhet të lerë organet e rendit dhe ligjit të vlerësojnë dhe dënojnë shkeljet e ligjit dhe kushtetutës. Këtë nuk duhet ta bëjë duke ndjekur logjikën e gjetjes së “serbëve të ndershëm”, por duhet thyer konceptet dhe rrjetet bllokuese dhe duhet gjetur interesa pragmatike që i përfshijnë qytetarët serbë në biznese dhe projekte me pjesën tjetër të Kosovës. Politika është për të negociuar marrëveshje dhe për të integruar qytetarët serb në jetën institucionale dhe shoqërore të Kosovës.

“Bota sot”: A po kërkohet nga Kosova më shumë “bindje” sesa partneritet, dhe a rrezikon kjo ta reduktojë sovranitetin politik të vendit në vitet që vijnë?

Fadil Lepaja: Kosova shpesh përballet me kushtëzime të forta nga BE dhe SHBA. Kjo mund të perceptohet si kërkesë për bindje më shumë sesa partneritet, duke rrezikuar hapësirën e sovranitetit politik nëse nuk ka balancë të brendshme. Por mund edhe të përceptohet dhe vlerësohet drejtë. Politika është pikërisht kjo: të negociohet, duke u nisur nga interesat e qytetarëve të Kosovës dhe duke pasur parasysh potencialin tonë ekonomik, ushtarak e politik të vendit. Opozita e deri djeshme kritikonte përpjekjen qeveritare për reciprocitet e më vonë edhe atë për sovranitet të plotë në veri, si destabilizuese, por koha e tregoi se pa e bërë problem asnjë çështje nuk merr drejtimin e zgjidhjes, por vetëm të entropisë dhe degradimit. Qeveria Kurti e eskaloi problemin por edhe e vendosi reciprocitetin në raport me Serbinë dhe e theu Serbinë institucionale në Kosovë. Natyrisht, këtë e bëri me ndihmën ndërkombëtare, por faktori ndërkombëtarë nuk do ta bënte këtë nëse Qeveria e Kosovës të mos këmbëngulte dhe të tregonte potencial për ta bërë këtë.

“Bota sot”: Zotëri Lepaja, a mund të konsiderohet ndërtimi i urave mbi Ibër si një veprim strategjik i Kosovës për të zhbllokuar kufizimet politike dhe për të forcuar sovranitetin e saj?

Fadil Lepaja: Më lejoni të them se nuk ka qenë punë e vogël dhe e lehtë të thyhet as retorika le më politika e barrikadave mbi Ibër.

Mendoj se këtu është përdorur modeli turk i Bosforit, përkatësisht, pamundësia për të ndryshuar marrëveshjet ndërkombëtare për kalim në Bosfor, bëri që Turqia të hapë një kanal krejtësisht të ri, të cilin e kontrollon vet, pikërisht në pjesën europiane të Turqisë.

Bosfori është një nga korridoret më të rëndësishme detare në botë, i rregulluar nga Konventa e Montreux (1936), e cila kufizon lirinë e kalimit dhe rolin e Turqisë. Turqia nuk mund të ndryshojë marrëveshjet ndërkombëtare për Bosforin, prandaj krijoi një kanal të ri artificial (Kanal Istanbul), të cilin e kontrollon plotësisht. Duke hapur një rrugë të re, Turqia shmangu kufizimet ndërkombëtare dhe forcoi sovranitetin e saj mbi lëvizjen detare. Pra, duke ndërtuar edhe dy ura mbi Ibër, Kosova zhbëri kufizimet që kishte arritur të negocionte Serbia, në një kohë më pak të favorshme për Kosovën. Me dy urat e reja, edhe ura e vjetër ka marrë kuptim të ri, të urës që lidhë brigje e jo të barrikadës. Thjesht, i ka humbur kuptimi barrikadës dhe ideve aspak kreative të politikës serbe se për çfarë tjetër mund të shërbejë një urë, përpos për të lidhur njerëzit dhe brigjet.