Gazetari Basir Çollaku, në një shkrim kritik pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, krahason standardet institucionale, shëndetësore dhe ekonomike të Kosovës me ato të Shqipërisë.
Ai thekson reagimin e shpejtë të institucioneve kosovare në emergjenca, pajisjet më moderne shëndetësore në Prishtinë e Prizren, si dhe kushtet më të mira ekonomike, duke sjellë shembull punëtorët shqiptarë që shkojnë çdo ditë për punë në Kosovë.
Në përfundim, Çollaku ngre thirrjen: “A nuk ka ardhur koha ta bëjmë Shqipërinë si Kosova?”
Shkrimi i plotë:
Ta bëjmë Shqipërinë si…Kosova!
U zhvilluan dje zgjedhjet parlamentare në Kosovë. As tri orë pas përfundimit të votimit, u shpall rezultati zyrtar…
Bien tërmete këtu dhe FSK e Kosovës na sjell qentë Sadak e Alla për të kërkuar njerëzit nën rrënoja.
Bien zjarre te ne, zjarrëfikësit e Kosovës vijnë menjëherë për ndihmë me pajisje dhe veshje speciale.
Humbasin turistët në malet tona, vjen t’i kërkojë, gjejë e shpëtojë njësia alpine e Kosovës.
30 poltrona kimioterapie ka onkologjiku i Tiranës, 100 ka klinika onkologjike e Prishtinës.
Onkologjiku ynë nuk ka as brakiterapi, ndërsa Onkologjiku i Kosovës ka PET SCAN.
Vetëm pak km larg Kukësit, në Prizren, në klinikën ALOKA, Rezonanca magnetike dhe CT Scan janë prodhim i vitit 2024 dhe të pajisur me inteligjencë artificiale.
Po ekonomia?
Nuk ka nevojë për analiza të stërholluara e krahasime, mjafton të shkosh çdo mëngjes në Morinë e Qafë Morinë ku punëtorët ditorë nga Shqipëria shkojnë në Kosovë të nxjerrin bukën e gojës…
Të mos flasim për çmimet e karburantit, produkteve ushqimore etj ku gjendja flet në favor të Kosovës.
A nuk ka ardhur koha të thërrasim: ta bëjmë Shqipërinë si Kosova?