Bllokada u kthye në boomerang: Opozita ‘fundoset’, Kurti fiton mandatin historik

Zgjedhjet e 28 dhjetorit u vlerësuan gjerësisht si një moment i rëndësishëm politik e demokratik, duke reflektuar qartë disponimin e elektoratit pas një periudhe të gjatë tensionesh dhe bllokadash institucionale.

Për muaj të tërë, partitë opozitare i krijuan një bllokadë të vazhdueshme Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), veçanërisht në procesin e konstituimit të institucioneve, duke penguar funksionimin normal të shtetit dhe duke thelluar krizën politike.

Kjo situatë jo vetëm që prodhoi lodhje dhe pakënaqësi te qytetarët, por edhe forcoi perceptimin se pengesat politike po vendoseshin mbi interesin publik.

Kwisosj, fitorja bindëse e LVV-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit mund të shihet si një reagim i drejtpërdrejtë i qytetarëve ndaj kësaj bllokade dhe kundërshtimit kategorik të opozitës. Vota u shndërrua në një mesazh ndëshkues për partitë që u perceptuan si penguese dhe në një mbështetje të fuqishme për Kurtin dhe qasjen e tij politike.

Gjithashtu, ky rezultat e ngre domosdoshmërinë që opozita të reflektojë seriozisht mbi strategjinë e saj, rolin e saj në krizën institucionale dhe arsyet pse një pjesë e madhe e elektoratit zgjodhi t’i japë LVV-së një mandat kaq të fuqishëm.

Qarri: Zgjedhjet e parakohshme, u imponuan nga bllokada e opozitës

E në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli analisti politik, Gani Qarri, i cili potencoi se, zgjedhjet ishin një sprovë e madhe për politikën e popullin, por që sipas tij, përmes tyre iu dha dënimi i merituar partive opozitare që e bllokuan vendin për muaj të tërë.

ImageGani QarriFoto galeri
“Zgjedhjet e 28 dhjetorit ishin një sprovë tepër e madhe, jo më për politikën, por për popullin e Kosovës, pasi që mbi të, ra barra kryesore për vendosjen e verdiktit të paanshëm, i cili i vetëdijshëm për shkaktarët e vërtetë të ngërçit politik dhe gjendjen e krijuar kaotike, partive bllokuese u dha DËNIMIN e merituar, popull që në mënyrë shumë të qetë, me kulturë të lartë e pa involvimin e vendit në asnjë problem politik as ndërpartiak, spastroi situatën në mënyrë shembullore dhe tejkaloi testin me mjeshtri të shkëlqyeshme, nxori një fitues të qartë dhe vendosi FITUESIN me votën e vet të lirë e demokratike, pa lënë vend për manipulime duke ia besuar udhëheqjen njeriut që ka dëshmuar se di ta udhëheqë shtetin me sinqeritet, ta vendosë rendin e ligjin cep më cep në mbarë vendin, të pranohet nga Evropa dhe SHBA-të, si lider i njëmendtë dhe qoj Kosovën përpara në të gjitha drejtimet, njeriut që i është përgjigjur në mënyrën më solide edhe plotësimit të nevojave modeste të të gjithë qytetarëve”, deklaroi ai.

Po ashtu, Qarri potencoi se Kurti arriti një fitore të madhë në këto zgjedhje, pasi kujtoi se në shkurt të këtij viti kishte marrë 42 për qind.

Pas kësaj fitore të LVV, ai pret që situata në Kosovë të ndryshojë në të mirë të qytetarëve dhe të marrë fund mundësia për bllokim të situatës nga opozita.

“Fitorja spektakolare e Albin Kurtit edhe në këto zgjedhje, ka ndryshuar gjendjen për 360 shkallë dhe 100% në të mirë të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës, në krahasim me vetëm pak muaj më parë, ndryshe po të fitonte kryeministri Kurti vetëm 42 % të votave si herën e kaluar, ishe plotësisht e sigurt se gjendja e mëparshme, nga opozita sërish mund të përsëritej, kështu që ngërçi i gjatë politik, mosvotimi i buxhetit të shtetit, mosmiratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, mungesa e gjasave që partitë opozitare të kontribuonin në krijimin e institucioneve të reja shtetërore etj, solli rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, që pas bllokadës mbi 9 mujore, i bënë këto zgjedhjet më të rëndësishmet dhe për nga pesha, ndoshta mund të quhen edhe zgjedhje historike, të dekadës së fundit, rezultati i të cilave përveç prodhimit të tepricave politike, pritet ta shtojë edhe numrin e analistëve të preferuar në televizionet e oligarkëve si figurat me përvojë karriere Abdixhiku, Limaj, Haradinaj etj.,” shtjelloi ai.

Tutje, analisti, shtjelloi edhe shkaqet se pse LVV bashkë me Kurtin, arriti të marrë rekord të votave, derisa përmendi disa nga arritjet dhe vendimet që qeveria Kurti ka marrë gjatë mandatit të fundit qeverisës.

“Shto gjithë kësaj edhe faktin se pas rreth katër muajsh duhet të zgjidhet edhe presidenti/ja e vendit, të vetëdijshëm për gjendjen me të cilën mund të përballej Kosova përsëri me ngërçe e bllokada të reja nga partitë opozitare për shkak të inateve politike, kryeministrin e tashëm dhe të ardhshëm të Republikës së Kosovës z.Albin Kurti, kishin shumë arsye e madje shumë kategori qytetarësh edhe mund të jenë ndjerë borxhli, ndaj tij, që nga pensionistët, lehonat, nënat me fëmijë, studentët e punëtorët si dhe vet veteranët, që t`ia besonin votën edhe për një mandat, sepse përkundër ngërçit të gjatë politik e vështirësive tjera të brendshme dhe problemeve ndërkombëtare, për herë të parë u bënë rritje sistematike pensionesh, mbështetje shumëmujore për lehonat, shtesa për fëmijë, bursa e ndihma për student dhe rritje pagash në të gjithë sektorët, më mirë e më shumë dhe në mënyrën më të organizuar se në të gjitha 26 vitet e pas çlirimit të Kosovës nga okupimi serb”, tha Qarri.

Në vazhdim, ai u ndal edhe të akuzat dhe kritikat e pavenda të eksponentëve të partive opozitare, derisa konsideroi se përveç që nuk pranuan arritjet dhe sukseset, ata bën një ‘luftë’ të padrejtë ndaj Kurtit.

“Nuk duhet harruar me këtë rast se përveç mospranimit të sukseseve të Qeverisë Kurti, opozita edhe arritjet e tij të pamohueshme të Qeverisë Kurti sidomos në veri, i quante “eksperimente politike”, derisa problem më vete, për qytetarët përbënte edhe prononcimi i frikshëm që krijoi Kimete Bajrami se ajo krejt luftën e kishte me Albin Kurtin, ndërsa nuk kishte asnjë problem me të ashtuquajturën “listë serbe” dhe se me LDK-në në pushtet, gjendjen në veri, do ta kthenin atje ku ka qenë me Edita Tahirin.

Dhe sikur mos të mjaftonte as kjo, vetëm para pak ditëve, vet Lumir Abdixhiku deklaronte se edhe pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, serish ata nuk do të kontribuonin në krijimin e institucioneve të reja shtetërore, dhe do të vijonin me krijimin e ngërçeve politike në vend”, shtjelloi analisti.

Më tej, ai tha se AAK dhe LDK janë dy partitë që ndukuan të rritje të madhe të LVV-së.

Në këtë pikë, nuk ndali kritikat ndaj Lumir Abdixhikut dhe politikave që ky i fundit përdori në udhëheqjen e partisë.

“Prandaj në një atmosferë kaq negative të krijuar veçanërisht nga AAK dhe LDK, pritjet ishin që LVV të fitonte ndërmjet 52-60% të votave të qytetarëve, megjithatë pas përfundimit të zgjedhjeve dhe ikjes së Abdixhikut, një kryetari të katapultuar pa histori, pa aktivitet politik, dhe pa qenë asnjëherë as anëtarë i thjeshtë i partisë në krye të LDK-së shtetformuese, do të ishte mirë që në kuadër të reformimit të partisë, në postin e kryetarit të ri të LDK-së, të emërohet aktivisti i dalluar dhe veprimtari i devotshëm shumëvjeçar Faton Bislimi, i diplomuar me notat më të mira në Universitetet më të njohura amerikane, si universiteti i Harvardit dhe doktoruar në Universitetin e Albertës, njërin nga universitetet më të mira të Kanadasë, i cili ka thyer të gjitha barrierat e mundshme duke u pranuar edhe anëtar i Shoqatës Ndërkombëtare të Nderit “Celësi i Artë” ku bëjnë pjesë presidentët më të famshëm amerikan si Bill Clinton e Ronald Reagan, Nobelistët Tutu e Ëieselku etj, dhe tanimë njihet edhe si përfaqësues i denjë i shqiptarëve në Amerikë.

Kurse pa DËSHTIMIT eklatant të LDK-së dhe ikjes së Lumir Abdixhikut, lind pyetja se ku do t`ia bëjnë vendin Lufti Haziri e Kimete Bajrami, që pas Abdixhikut kanë kontribuuar më së shumti, për degradimin e tillë të LDK-së dhe sjelljen e partisë së Dr. Ibrahim Rugovës në këtë gjendje të mjerueshme elektorale, apo ndoshta Kimetja do ti bashkohet të ashtuquajturës “listë serbe” pasi që duke e nuhatur humbjen historike, ka paralajmëruar me kohë se, “nuk ka bash hiq kurrgjë kundër” grupimit konspirativ agjenturor “srpska lista”….madje ka marrë përsipër edhe misionin e kthimit të gjendjes në veri, atje ku ka qenë dhe aty ku e ka lënë Edita Tahiri, e cila vetëm në tandem me segmentin në fjalë, ndoshta shpreson se mund ta realizojë”.

Ndër të tjera, analisti ritheksoi faktin se zgjedhjet e parakohshme “u imponuan” nga partitë opozitare, të cilat zhvilluan një fushatë të egër ndaj LVV-së.

“Ndryshe zgjedhjet e parakohshme, u imponuan nga bllokada e opozitës, e cila përveçse qoi vendin në zgjedhjet e katërta brenda 11 muajve, ajo gjatë fushatës parazgjedhore edhe krenohej publikisht para elektoratit me bllokadën që kishte krijuar, ndaj pas rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, të cilat përballë partive opozitare, LVV, i fitojë bindshëm, ka ardhur koha që, megjithëse VV-tanimë ka mundësi ti formojë vet institucionet e reja legjitime shtetërore, opozita të reflektojë të paktën për vete, jo vetëm për kundërshtimin kategorik që ato ia bënë LVV-së, për 9 muaj, me bllokadën kundër konstituimit të institucioneve, por edhe për mosvotimin e buxhetit dhe mosmiratimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, akt me të cilin rrezikuan përkeqësimin e gjendjes së qytetarëve dhe funksionalitetin e shtetit, si dhe humbjen e ndihmave ndërkombëtare, të ndara nga BE dhe Banka Botërore, për Kosovën duke bindur veten, se kjo nuk është mënyra që fitohen zgjedhjet por humben keq ato”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

Mehmeti: Rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025 vlerësohet shumë i mirë

ImageGani MehmetiFoto galeri
Ndërsa, opinionisti Gani Mehmeti u shpreh se, është pritur një rezultat i tillë nga LVV, pas bllokadës dhe refuzimeve për bashkëpunim nga partitë tjera.

“Rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025 vlerësohet shumë i mirë, në veçanti kur partitë opozitare, duke menduar se do të dalin shumë më mirë, nuk lidhën koalicion me LVV, me mendjemadhësinë e tyre se në zgjedhjet në vijim do të dalin të parat.

Madje, është pritur një rezultat edhe më i thellë për partinë fituese”.

Po ashtu, ai vlerësoi për “Bota sot” se shkak kryesor që ndikoi në këtë rezultat është bllokada që ia bën LVV-së, partitë opozitare.

“Po, ishte shkaku pse këto parti nuk votuan për formimin e institucioneve, sidomos të kryetares së Kuvendit. Po të votohej kryetarja e Kuvendit, zgjedhjet nuk do të zvarriteshin deri tani. Ato do të vinin shumë shpejt, pasi LVV nuk do të mund ta formonte qeverinë.

Dhe ardhjen e zgjedhjeve deri më 28 dhjetor, ia mundësuan partitë e tjera, jo se ka mundur dikush ta imagjinonte. Një kundërshtim aq i fortë bënë që LVV të fitojë tani”, nënvizoi ai.

Në fund, opinionisti përmendi vendimet dhe marrëveshjet e dëmshme që partitë opozitare i bën ndaj shtetit të Kosovës.

Kësisoj, vlerësoi se edhe me premtimet “përrallore”, opozita i bindi qytetarët, se më shumë janë të interesuar të kthehen në pushtet, se të punojnë në të mirë të vendit.

“Partitë tjera kishin bërë marrëveshje të dëmshme për vendin dhe lëshime të mëdha ndaj Serbisë. Ato nuk e luftuan asnjëherë korrupsionin, edhe ligjin për konfiskimin e pasurisë së jashtëligjshme nuk e miratuan, pse lë të kuptohet se janë vetë aty.

Pastaj, premtimet përrallore të partive humbëse, që assesi nuk do të ishte e mundur të realizohen, i larguan votuesi. Kuptohej se fjala është për mashtrim sa për të ardhur në pushtet e jo për shtet. Këtu gjithsesi lidhet edhe me veriun e Kosovës.

Po, në dialogun me Serbinë nuk shkohet të pranohet krejt çka ajo kërkon, në veçanti me territorin e Kosovës. Lufta e Serbisë ndaj Kosovës është e orientuar në merr çka të mundesh. E nuk duhet dhënë asgjë nga territori”, përmbylli Gani Mehmeti për “Bota sot”.