Kurti: Edhe këtë vit Qeveria mbështet fëmijët dhe pensionistët me shtesat e fundvitit prej 100 euro

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se fitorja e 28 dhjetorit do të shënojë një gëzim të dyfishtë për qytetarët, veçanërisht për fëmijët dhe pensionistët, pasi, sipas tij, edhe këtë vit Qeveria do të ndajë nga 100 euro shtesa të fundvitit.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, Kurti theksoi se edhe këtë vit Qeveria ka vendosur të mbështesë fëmijët dhe pensionistët me shtesat e fundvitit në vlerë prej 100 eurosh, pavarësisht vështirësive të krijuara nga mosvotimi i buxhetit nga opozita.

“Sikurse çdo vit, edhe sivjet kemi vendosur të mbështesim fëmijët dhe pensionistët me shtesat e fundvitit prej 100 eurove. Mosvotimi i buxhetit nga opozita na e ka vështirësuar punën tejmase, mirëpo ne e kemi bërë të pamundurën që edhe këtë vit të sigurojmë mbështetjen e fundvitit, e cila do të procedohet para natës së Vitit të Ri,” u shpreh Kurti.

Ai shtoi se pas fitores së 28 dhjetorit, më 29 dhjetor do të gëzohen të gjithë fëmijët dhe pensionistët, duke e cilësuar këtë si një dëshmi të përkushtimit të Qeverisë ndaj kategorive më të ndjeshme të shoqërisë.

Në fund të mesazhit të tij, Kurti uroi qytetarët për festat e fundvitit, duke i ftuar që t’i festojnë ato në paqe dhe gëzim me familjet e tyre.