“Jam Albini, pushkë me qitë” – Çitaku kritikon këngën e Edona Llalloshit duke e quajtur të rrezikshme

Mbrëmë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka mbajtur një tubim në Zvicër, ku kandidatja për deputete, Edona Llaloshi, e ka nisur aktivitetin me një këngë kushtuar kryetarit të LVV-së, Albin Kurti.

Kjo paraqitje ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik dhe nga përfaqësues të subjekteve tjera politike.

Një nga reagimet ka ardhur ngasekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila ka vlerësuar se ajo që u pa në tubimin e LVV-së në Zvicër përbën “një nivel tjetër të marrëzisë”.

“Kur një deputete i kushton këngë liderit në një ngjarje të organizuar nga vet partia, dhe lideri rri aty duke rrahur shuplakë, kjo nuk është më thjesht shije e keqe apo folklor politik. Kjo është përtej marrëzisë. Kjo është e rrezikshme,” ka shkruar Çitaku.

Ajo ka theksuar se problemi nuk lidhet me kualitetin artistik të këngës, por me “mentalitetin që promovon”, duke e cilësuar këtë si të dëmshëm për shëndetin demokratik.

Deri më tani, nga Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pasur një reagim zyrtar lidhur me kritikat e ngritura pas këtij tubimi. ./Periskopi/