Reagimi i ish-hetuesit ndaj dëmtimit të varrit të Astrit Deharit: Çfarë qëllimesh mund të fshihen pas këtij akti?

Varri i ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, është dëmtuar.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka theksuar se “jemi në pritje të hetimeve që njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës po zhvillojnë për zbardhjen e shkaqeve apo shkaktarëve të këtij dëmtimi.”

Po ashtu, Policia e Kosovës ka njoftuar se po heton rastin e dëmtimit të varrit të Astrit Deharit.

Në lidhje me këtë ngjarje, ish-hetuesi Agim Rexhepi, në një prononcim për “Bota sot,” e ka cilësuar atë si një ngjarje shqetësuese dhe të papranueshme në çdo shoqëri demokratike.

Ai ka theksuar se varret janë vende përkujtimi dhe çdo sulm ndaj tyre cenon kujtimin e të ndjerit dhe ndjenjat e familjes.

“Konfirmimi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Policia e Kosovës se varri i Astrit Deharit është dëmtuar është një ngjarje tejet shqetësuese dhe e papranueshme në çdo shoqëri demokratike. Varret janë vende përkujtimi, nderimi dhe qetësie, dhe çdo sulm ndaj tyre është një akt që cenon jo vetëm kujtimin e të ndjerit, por edhe ndjenjat e familjes dhe të gjithë atyre që e kanë përjetuar këtë humbje.

Një veprim i tillë, çfarëdo motivi të ketë pas vetes, është i rëndë dhe kërkon trajtim serioz institucional. Është e vështirë të imagjinosh se dikush ndërmerr dëmtimin e një varri pa një qëllim të qartë – qoftë ai provokim, frikësim, hakmarrje, apo tentativë për të dërguar një mesazh simbolik. Në raste të tilla, motivet shpesh janë më të thella sesa duket në shikim të parë”, ka thënë ai.

Rexhepi ka theksuar se nuk përjashtohet mundësia që dëmtimi i varrit të Astrit Deharit të ketë një nëntekst politik.

Megjithatë, ai ka theksuar se është e rëndësishme që hetuesit të kryejnë një hetim të plotë dhe të paanshëm për të zbardhur rrethanat dhe identifikuar autorët e mundshëm.

“Nuk përjashtohet as mundësia që ky akt të ketë nëntekst politik. Rasti i Astrit Deharit, duke qenë një ndër çështjet më të ndjeshme dhe më të diskutueshme të viteve të fundit në Kosovë, vazhdon të mbajë një peshë të madhe emocionale dhe politike. Dëmtimi i varrit të tij mund të interpretohet si përpjekje për të ringjallur tensione, për të provokuar reagime, apo për të ndikuar perceptimin publik rreth çështjes.

Megjithatë, për të mos rënë në përfundime të nxituara, është e domosdoshme që organet e hetuesisë të kryejnë një hetim të plotë, të paanshëm dhe profesional. Vetëm zbardhja e plotë e rrethanave do të mund të japë përgjigje mbi arsyet dhe autorët e këtij akti. Çfarëdo motivi të ketë pasur, dëmtimi i një varri është një veprim që duhet të dënohet moralisht dhe ligjërisht.

Në këtë moment, më e rëndësishmja është qetësia, maturia dhe mbështetja e organeve të drejtësisë për të bërë punën e tyre deri në fund. Shkalla e ndjeshmërisë së kësaj çështjeje kërkon përgjegjësi maksimale në komunikim dhe veprim institucional”, ka përfunduar Rexhepi.