Gërvalla njofton bashkimin e Blerim Gashit me koalicionin VV–Guxo–Alternativa–PShDK

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka njoftuar sot se juristi dhe politologu Blerim Gashi i është bashkuar rrugëtimit politik të koalicionit Vetëvendosje – Guxo – Alternativa – PShDK. Gërvalla e ka cilësuar Gashin si një emër të spikatur në luftën kundër propagandës dhe dezinformimit, si dhe një zë profesional në debatin publik.

Sipas saj, Gashi sjell me vete përvojë të gjatë në hartimin e politikave publike dhe komunikimin strategjik, ndërsa guximi i tij intelektual dhe integriteti personal përbëjnë themelin e qeverisjes së mirë. Ajo ka theksuar se angazhimi i Gashit për transparencë, llogaridhënie dhe përfshirje qytetare e ka bërë atë një figurë të besueshme në hapësirën publike kosovare.

Ministrja ka vlerësuar edhe analizat dhe paraqitjet e tij publike, të cilat, sipas saj, kanë kontribuar në forcimin e kulturës demokratike dhe promovimin e një shteti që u shërben qytetarëve.

“Me Blerim Gashin në listën e koalicionit, bashkë me profesionistë të tjerë të dëshmuar, vazhdojmë angazhimin për qeverisje të përgjegjshme dhe zhvillimore, me orientim të qartë drejt integrimit euroatlantik,” ka shkruar Gërvalla, duke i uruar mirëseardhje Gashit.