Ne e dimë tashmë pse u përzgjodh Ibrahim Rugova të ishte lider i Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të saj. Sepse nuk kishte asnjë lidhje me Serbinë! Sepse kishte babë e babagjysh të masakruar prej terroristëve serbë! Sepse u rrit me traditën e lirisë e jo të hakmarrjes! Sepse që kur ishte shkrimtar dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës ai ngriti zërin me forcën e argumentit, të arsyes dhe të patriotit për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë dhe ish-Jugosllavi! Sepse ishte më i urti, më i dituri, më i kultivuari në Kosovë e në Ballkan. Sepse garantoi aleatët e Kosovës se nuk do të përdorte dhunën për lirinë e shqiptarëve. Por iu tha atyre se do të luftonte pa kompromis për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Megjithatë në vitet 1998-1999 pati politikanë të së majtës shqiptare, të cilët Ibrahim Rugovën e quajtën “tradhtar”, d.m.th. “anti-shqiptar e anti-kombëtar”! Kush ishin ata që e përfolën si të tillë? Nga vinin dhe si këta politikanë akuzues të Rugovës kishin mbrojtur tradhtitë e lidershipit të tyre? Nëse i zbërthejmë këto pyetje, atëherë zbulojmë se shpifësit ishin në masë të madhe njerëz të lidhur me shërbimet sekrete e regjimet antishqiptare të rajonit tonë e më gjerë në lindje. Ndërkohë sa më shumë largohemi në kohë, aq më shumë dritë bën Presidenti Historik i Kosovës, Ibrahim Rugova. Aq më shumë detaje zbulojmë se ai ishte jo vetëm atdhetar, por edhe dijetar i atdhetarisë.
E dimë gjithashtu pse u përzgjodh Albin Kurti për ta drejtuar vendin në kohë të vështira për Kosovën. Jo aq për ato cilësi të Ibrahim Rugovës. Por për vendosmërinë e tij në modelin e Rugovës. Për shkak të jokompromisit për ta vënë në tavolinë sërishmi çështjen e statusit të Kosovës. Për shkak se edhe Kurti është i ditur, ka vizion dhe është patriot. Por edhe Kurti prej kohësh akuzohet pa asnjë fakt, pa asnjë provë e madje pa asnjë indicie se na qenka “spiun i Serbisë”! Më së shumti këtë akuzë e artikulon Ramush Haradinaj. Ndërsa e kishte artikuluar vetë ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kur thoshte se “Kurti ka këndu si bylbyl”! E nga ana tjetër, veprimet e Albin Kurtit në mbrojtje të integritetit territorial të Kosovës janë e mbeten si veprime anti-kompromis dhe patriotike.
Por a e dimë pse u vu në krye të UÇK-së Hashim Thaçi? Tymnajë e madhe është. Fakti që ai bashkëpunoi me Aleksandër Vuçiq, Edi Ramën, Fraderica Mogherini, Richard Grennell, Alex Soros e të tjerë për ndarjen e Kosovës u dha kuptim hamendësimeve dhe thashethemeve se ai “ishte i preferuari i Serbisë”! Shumë nga dëshmitarët e mbrojtjes në Hagë ritheksuan me ngulm “gatishmërinë dhe predispozicionin e Hashim Thaçit për kompromise”, duke dashur ta akuzonin Adem Demaçin dhe indirekt ndihmësin e tij, Albin Kurtin, si personazhe të jokompromisit. Unë shtroj pyetjen: – A është e mundur që një “tradhtar” ose një “spiun” të rezistojë pa bërë kompromise kundër vendit të tij? Nuk mund të rezistojë në asnjë rrethanë, sepse tradhtari e spiuni janë njerëz të marrë peng. Kush merret peng, ai do të luajë një muzikë, të cilën e dirigjon pengmarrësi. Rugova është provuar se nuk është dirigjuar nga askush. Njëjtë, së paku deri më sot, edhe Albin Kurti.
Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Hashim Thaçin dhe shumë politikanë të tjerë të Kosovës. Hijet e dyshimit nisin që me vendosjen e kufirit te Ura e Ibrit e shkojnë deri te përpjekjet për ndarjen e Kosovës. E për pasojë këto hije dyshimi vijnë edhe te disa politikanë të sotëm të skenës politike në Kosovë. Janë pa përgjigje pyetjet pse dha dorëheqjen Memli Krasniqi dhe pse Bedri Hamza u përzgjodh dhe gati me dhunë u vendos në krye të Partisë Demokratike të Kosovës..
Bedri Hamza është zgjedhur me nguti si kryetar i PDK-së. Enver Hoxhaj kërkoi zgjatje të afatit, por as që u mor në konsideratë për ta shqyrtuar kërkesën e tij. Pse ndodhi kjo? Dikush në hije që vendos për PDK-në kishte interes që zgjedhja të bëhej menjëherë. Ndryshe vihej në pikëpyetje nëse Bedri Hamza do të arrinte të bëhej i pari i PDK-së. Fatmir Limaj gjithashtu bëri një diversion të paparë gjatë diskutimeve për krijimin e institucioneve të Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. A ishte kjo një skemë e porositur apo thjesht imagjinatë e veprimeve politike të Limajt? Sepse kam bindjen që nëse nuk do të vetofrohej kreu i Nismës socialdemokrate si aktor për formimin e institucioneve, atëherë Kosova do të kishte shkuar para disa muajsh në zgjedhjet e parakohshme. Kush kishte interes të dëmtohej imazhi i Kosovës gjatë këtij procesi?! Janë pyetje pa përgjigje, por që shërbejnë si indicie për të dalluar se kush është për institucione të qëndrueshme dhe forcimin e shtetit të Kosovës dhe kush jo!