Ruzhdi Shehu pasi e betonoi fitoren në Junik, tallet me Nezir Krakin që i doli kundër

Kandidati i LDK-së për kryetar të Junikut dhe fitues i zgjedhjeve, Ruzhdi Sheu, ka reaguar pas publikimit të rezultateve të votave të mërgatës nga KQZ, duke thënë se diferenca në favor të tij është thelluar edhe më shumë.

Sipas Shehut, LDK ka marrë rreth 62% të votave të diasporës, duke krijuar në total një epërsi prej rreth 550 votash ndaj koalicionit të krijuar në balotazh mes kandidatit të AAK-së Agron Kuçi, kandidatit të LVV-së Jetmir Tofaj dhe Nezir Krakit, i cilësuar në marrëveshje me pseudonimin “Le Prof. de Paris”.

Shehu e përdori këtë formulim edhe për ta ironizuar figurën e depuetit Nezir Krakit në reagimin e tij publik.

Ai theksoi se me këtë rezultat “është rrëzuar propaganda e 300 votave”, duke shtuar se LDK ka qenë e qetë gjatë gjithë procesit, e bindur se “e vërteta do të triumfonte”.

Shehu falënderoi junikasit brenda dhe jashtë vendit për mbështetjen, duke premtuar se do të vazhdojë punën për qytetin “me ndershmëri dhe duar të pastërta”, teksa theksoi se Juniku është më i bashkuar se kurrë.

Postimi i plotë:

Pas votave të mërgatës, thellohet më tutje fitorja jonë

Të dashur junikas,

KQZ sot ka publikuar rezultatin edhe për votat e mërgatës, ku kemi fituar po ashtu bindshëm me rreth 62% të votave.

Sa i përket votave përfundimtare, në total LDK ka një diferencë rreth 550 vota me koalicionin “Agron Kuçi, Jetmir Tofaj & Le Prof. de Paris Nezir Kraki”.

Pra edhe statistikisht sot është zhveshur propaganda e “300 votave”, pasi që diferenca jonë me vendin e dytë është rreth 550 vota. Kjo është arsyeja pse kemi qëndruar kaq të qetë përballë shpifjeve dhe ofendimeve, sepse kemi qenë të bindur se e vërteta dhe e drejta do të triumfojnë në fund.

Faleminderit të gjithë junikasve që jetojnë në Junik dhe në mërgatë, për besimin dhe për përkrahjen e tyre kaq të madhe.

Kështu siç jemi tani, të bashkuar si kurrë më parë, do të punojmë edhe më shumë për të gjithë junikasit pa dallim të bindjeve politike.

Urime Juniku im. Vazhdojmë +4 me ndershmëri dhe duar të pastërta.