E quajti “të lëvizshme” – Gazetari Ademi shkoi për t’i kërkuar falje familjes së Daorsa Spahiut

Gazetari Nevrij Ademi ka qenë sot te familja e Daorsa Spahiut për t’i shprehur ngushëllimet familjes së saj dhe për t’i kërkuar falje.

Ai ka deklaruar se familja e Daorsës i kishte kërkuar atij që të punojë me organet e drejtësisë që të hetohet deri në fund rasti i vajzës së tyre.

“E kam ndier përgjegjësi morale për të shkuar në shtëpinë e Daorsës, që të takoj Arbër Spahiun, për t’i kërkuar falje ballë për ballë. Ajo që pashë te ajo familje, realisht, ishte një gjendje shumë e rëndë. Babai i Daorsës më shpjegoi disa fakte që i kishte ai, për të cilat kërkonte me ngulm që prokuroria dhe organet e drejtësisë të merren me çështjen”.

“Familja kishte mesazhe të shumta që dyshonin dhe kërkonin informata te një i dyshuar në Maqedoninë e Veriut, i cili vinte nga Kumanova. Këto mesazhe m’i ka treguar babai i Daorsës, që shpalosi gjithçka që kishte. Më kërkoi që, në shenjë të asaj kërkese për falje, të jem unë ai i cili do të lëvizë çdo gur në aspektin e gazetarisë, në drejtim që organet e drejtësisë t’i marrin seriozisht këto fakte që i kishin familjarët në dorë dhe të analizojnë çdo fakt të mundshëm që mund të sjellë në një rezultat se Daorsa ka pasur presion për t’u vetëvrarë dhe a mund të jetë ajo një vetëvrasje e rastësishme”, ka thënë Ademi në klankosova.

I njëjti ka deklaruar se familja e Daorsës kishte kontaktuar me të ndjerën pak orë para se të vdiste.

“Familja kishte komunikuar me Daorsën diku nga ora 13:00 atë ditë”, ka thënë Ademi./Periskopi/