Në paraqitjen e tij para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Christopher Hill, tha se Hashim Thaçi nuk e drejtonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Sipas tij, UÇK-ja nuk kishte strukturë me organizim hierarkik.
Sipas Hillit, Thaçi nuk mund të merrte vendime në emër të UÇK-së gjatë bisedimeve në Rambuje, duke shtuar se ai nuk ishte komandant, por “i duhej t’i pyeste komandantët në Kosovë për të dhënë një qëndrim”.
Për herë të parë Hill tha se u takua me Thaçin më 1998.
Në ditën e dytë të dëshmimit, Hill tha se ai po merrte pjesë në këtë proces gjyqësor pasi nuk besonte, dhe as nuk kishte dëgjuar që Thaçi gjatë luftës kishte urdhëruar për aktivitete të paligjshme.
Ai foli edhe për rolin e Jakup Krasniqit, duke argumentuar se ai nuk ishte një nga figurat kyç të UÇK-së.
Sa i përket rolit të Rexhep Selimit, ish-diplomati amerikan tha se nuk mbante mend që ai të kishte ndonjë pozitë të lartë në UÇK, “por kishte qëndrime të vlefshme”.
Hill tha po ashtu se nuk ishte i sigurt që Thaçi ishte një ndër themeluesit e UÇK-së.
Sipas tij, problemi më i madh për amerikanët ishte që të gjenin njerëzit që mund të flisnin në emër të UÇK-së dhe më pas të negocionin me ta.