Zakharova: Dyshoj a është veç një Vuçiq? Ndryshe flet në Moskë e ndryshe në Bruksel

Zëdhënësja zyrtare e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova ka komentuar deklaratat e Presidentit serb Aleksandar Vuçiq në një intervistë me një revistë gjermane në lidhje me gatishmërinë e Beogradit për t’i shitur municion Bashkimit Evropian.

Zakharova deklaroi se Moska ka marrë vazhdimisht siguri nga udhëheqja serbe se eksporti i municioneve është nën kontroll të rreptë dhe se armët e prodhuara në Serbi nuk do të dorëzohen në Ukrainë.

“Moska ka marrë vazhdimisht siguri nga udhëheqja e Serbisë se eksporti i municioneve të prodhuara në Serbi është nën mbikëqyrje të rreptë dhe se këto mallra nuk do të dorëzohen në Ukrainë, me qëllim që të parandalohet që Kievi t’i përdorë ato kundër ushtarëve tanë”, tha Zakharova në një konferencë për mediat.

Duke folur për deklaratat publike kontradiktore të presidentit serb, Zakharova shtoi se i duket sikur flasin disa Vuçiqa të ndryshëm, për shkak të qëndrimeve të tij jokoherente për raportin me Moskën dhe Brukselin.

“E dini, kur lexoj të gjitha ato intervista të Presidentit të Serbisë, pyes veten nëse vërtet ekziston vetëm një president Vuçiq, sepse të jepet përshtypja se këto intervista jepen nga njerëz krejtësisht të ndryshëm. Dëgjojmë deklarata të caktuara kur ai është në Moskë dhe krejtësisht të ndryshme kur flet nga pika të tjera gjeografike. Unë po flas vetëm për atë që është në sferën publike. Ndoshta media ka raportuar gabimisht diçka, por në atë rast duhet të ketë një shpjegim nga zyra për media e presidentit”, theksoi Zakharova.

Ajo kujtoi se pala ruse në nivelin më të lartë ka marrë vazhdimisht siguri nga Beogradi për respektimin e neutralitetit dhe kontrollin e eksporteve të armëve.

“Sinqerisht, disa herë, dhe në nivelin më të lartë, kemi marrë deklarata nga udhëheqja e Serbisë se eksporti i municioneve serbe kontrollohet rreptësisht dhe se këto mallra nuk do të përfundojnë në Ukrainë, në mënyrë që të parandalohet përdorimi i tyre kundër ushtarëve tanë”, theksoi zëdhënësja e MPJ-së ruse.