Askush më shumë sesa Albin Kurti nuk shprehi ndjenja çlirimi të dielën në mbrëmje.
Ngutia për t’iu hedhur fortë në përqafim Faton Pecit posa zbriti nga xhipi shtetëror para një salle dasmash që ishte caktuar si lokacioni i festës së triumfit në Mitrovicë, më shumë sesa ndjenjë gëzimi, ngjau si shfryrje e tensionit që e kishte krijuar vet kryetari i Vetëvendosjes për garën në Mitrovicë.
Mitrovica, ku aq shumë u ngarend ditëve të fundit për fitoren e Faton Pecit – pakrahasimisht më shumë sesa në komunat tjera ku Vetëvendosje po garonte në balotazh – doli se e shpëtoi Kurtin dhe Vetëvendosjen nga një disfatë zgjedhore.
Pa triumfin në Mitrovicë, Vetëvendosje do të mbetej me vetëm një nga shtatë qendrat kryesore të vendit: Gjilanin, derisa rivalët e saj fituan nga së paku dy qendra të tjera të mëdha.
Kësisoj, zgjedhjet lokale vendosën barashpeshë pothuajse absolute mes partive kryesore politike.
Vetëvendosja e Kurtit fitoi në shtatë komuna, po aq sa Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës siguroi kontroll mbi gjashtë komuna. AAK-ja e Ramush Haradinajt ruajti udhëheqjen në pesë sosh. Nisma Socialdemokrate fitoi një komunë.
Përpos Mitrovicës e Gjilanit, partia në pushtet “mbrojti” komunat me të cilat udhëhoqi në katër vitet e fundit: Kamenicën, Podujevën e Shtimen, si dhe mori për herë të parë nën udhëheqje Fushë Kosovën e Obiliqin.
LDK-ja fitoi sërish në kryeqendrën e vendit, Prishtinën, ashtu sikurse në Pejë, Istog, Lipjan, Dragash, Viti e Junik.
As PDK-ja nuk i humbi zgjedhjet. Por, as nuk i fitoi ato. Rezultati i partisë së udhëhequr nga Memli Krasniqi u zbeh vetëm për shkak të humbjes së Drenasit, një prej bastioneve më të forta të PDK-së. PDK siguroi fitore të rëndësishme në Prizren, atje ku lidershipi i partisë shkoi për festime të dielën pas mbylljes së vendvotimeve. PDK fitoi edhe në Ferizaj, Skenderaj, Vushtrri, Kaçanik e Han të Elezit.
AAK-ja e Ramush Haradinajt nuk bëri asnjë hap mbrapa, me partinë që ruajti kontrollin mbi të gjitha komunat me të cilat udhëhiqte para katër vitesh, Gjakovën më të rëndësishmen prej tyre. AAK siguroi triumf edhe në Rahovec, Deçan, Suharekë e Klinë.
Nëse gara në nivel asambleje do të përkthehej në triumf të zgjedhjeve lokale, atëherë LDK-ja do të ishte fituese e tyre. Në këtë rrafsh, partia e Lumir Abdixhikut fitoi më së shumti ulëse në kuvendet komunale, e ndjekur nga PDK-ja. Vetëvendosje mbetet forcë e tretë në asamble.