Fitorja në Mitrovicë, Peci eskalon në lavdata ndaj Kurtit: I ndershëm, trim, sypatrembur…

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka eskaluar në lavdata ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, pas fitores së kësaj komune.

Peci ia ka atribuar një pjesë të madhe të fitores së Kurtit, ku ka theksuar “virtytet” e shefit të tij.

“Falënderim i veçantë për Kryeministrin Albin Kurti për mbështetjen dhe besimin gjatë gjithë këtij rrugëtimi. Shembull i njeriut të drejtë e trim, i ndershëm e sypatrembur, që i doli zot Mitrovicës dhe Republikës, nuk u tërhoq përballë kërcënimeve, shantazhit e presioneve të padrejta, goditi në rrënjë kontrabandën, krimin, strukturat paralele dhe të gjitha padrejtësitë e grumbulluara me vite, duke i kthyer qytetarëve besimin, sigurinë dhe dinjitetin, e Mitrovicës madhështinë e krenarinë”, thuhet ndër të tjera në reagimin e tij.

Ndër të tjera, Peci ka thënë se do të jetë kryetar i të gjithëve dhe se do të ketë “projekte konkrete, në infrastrukturë, arsim, shërbime cilësore dhe hapësira të denja për jetën e përditshme”.