Një incident është shënuar dje në Gjykatën Themelore të Prizrenit, ku katër persona janë arrestuar pas kërcënimeve dhe ofendimeve të bëra ndaj avokatit të njohur, Besnik Berisha, gjatë një seance gjyqësore për rastin e “vrasjes së rëndë”.
Të dyshuarit janë identifikuar janë: Xhevat Jashari, Afrim Fazliu, Lutfi Fazliu dhe Brahim Fazliu.
Incidenti ka ndodhur më 04.11.2025, rreth orës 13:30, në sallën e gjykatës ku po zhvillohej seanca dëgjimore ndaj të akuzuarit për vrasje të rëndë. Në seancë kanë qenë të pranishëm edhe familjarët e viktimës.
Situata ka qenë nën kontroll deri në momentin kur avokati mbrojtës i të akuzuarit, Besnik Berisha, ka filluar fjalën e tij. Në atë moment, të dyshuarit dhe disa pjesëtarë të tjerë të familjes së viktimës që ndodheshin në publik kanë filluar të bërtasin, të kundërshtojnë dhe të ofendojnë avokatin, duke prishur rendin në sallë.
Sipas raportit policor, të dyshuarit fillimisht i janë drejtuar me fjalë fyese avokatit dhe të akuzuarit, duke bërë lëvizje me dorë në drejtim të tyre dhe duke përdorur shprehje si “kallash”, “qen” dhe fjalë të tjera ofenduese.
Njësitë policore që ndodheshin në vendngjarje kanë ndërhyrë menjëherë, duke i shoqëruar katër personat në stacionin policor.
Pas konsultimeve me prokurorin e çështjes nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, është vendosur që tre nga të dyshuarit Xhevat Jashari, Afrim Fazliu dhe Lutfi Fazliu të ndalohen për 48 orë, ndërsa i katërti, Brahim Fazliu, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, është liruar në procedurë të rregullt.