Avokati serb: Regjimi i Vuçiqit po likuidon serbët e padëgjueshëm në Kosovë

Avokati serb Çedomir Stojkoviq ka reaguar ashpër pas ngjarjes ku xhandarmëria serbe plagosi rëndë dhe rrëmbeu një serb nga veriu i Kosovës, për ta dërguar më pas në Serbi në gjendje kritike.

Sipas tij, personi në fjalë është Milan Vukashinoviq, një serb nga veriu i Kosovës që ishte në konflikt të hapur me “Listën Serbe”, strukturën politike të kontrolluar nga presidenti Aleksandar Vuçiq.

Stojkoviq thekson se kjo “listë” në fakt është një organizatë që terrorizon serbët në Kosovë dhe u ndalon atyre çdo përfaqësim politik jashtë kontrollit të Beogradit.

“Regjimi në Serbi ka dhënë urdhër për likuidimin e serbëve të padëgjueshëm në Kosovë. Ky është rasti i Milan Vukashinoviqit,” ka deklaruar Stojkoviq, duke shtuar se këto ngjarje ndodhin sa herë që regjimi në Beograd përgatit ndonjë eskalim të qëllimshëm politik.

Ai thekson se presidenti serb Vuçiq po përpiqet të ndezë tensione në Kosovë për të shpërqendruar opinionin publik nga protestat që po rriten në Serbi kundër regjimit të tij.

“Kjo nuk është hera e parë. Edhe gjatë protestave të vitit 2023, Vuçiq organizoi një sulm paramilitar në Banjskë përmes grupit të Milan Radojiçiçit. Fillimisht e mohoi, por sot anëtarët e atij grupi shihen duke ruajtur ndërtesën e presidencës, ndërsa Radojiçiç vetë organizon tubime politike për Vuçiqin,” ka kujtuar Stojkoviq.

Avokati e ka krahasuar këtë ngjarje me vrasjen e politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq, i cili ishte një kundërshtar i hapur i Vuçiqit dhe “Listës Serbe”. Autoritetet e Kosovës për këtë vrasje kanë akuzuar pikërisht Milan Radojiçiçin, i cili sot shihet si një prej njerëzve më të afërt të Vuçiqit.

“Mesazhi i regjimit është i qartë: Serbët nga Kosova që nuk i binden Vuçiqit dhe ‘Listës Serbe’ do të përfundojnë si Oliver Ivanoviq,” ka përfunduar Stojkoviq.

Sipas tij, qëllimi i Beogradit është i dyfishtë – të frikësojë çdo serb të pavarur në Kosovë dhe të provokojë tensione të reja me shqiptarët, për ta përdorur këtë si justifikim për politikën e brendshme të Vuçiqit.