“Si u ‘rrëmbye’ Kosova nga komandantët e rrejshëm”, Musliu zbërthen prapaskenat politike

Në një kohë kur diskursi politik në Kosovë shpesh dominohet nga përplasjet për meritat e luftës dhe të pasluftës, juristi nga Belgjika, Skënder Musliu ngre një pyetje thelbësore për ndërgjegjen kombëtare: kush janë vërtet patriotët dhe kush janë ata që vetëm e përdorin këtë emër për përfitime personale?

Në prononcimin e tij për “Bota sot”, Musliu ndan me vendosmëri dy botë të ndryshme – atë të idealistëve që sakrifikuan për çlirimin e vendit dhe atë të atyre që, pas luftës, e shndërruan Kosovën në plaçkë pushteti.

“Sakrifica dhe patriotizmi përveç se tregohen në lufte, ato po ashtu manifestohen edhe në paqe, duke kontribuar në ndërtimin e institucioneve demokratike, luftimin e korrupcionit dhe krimt të organizuar dhe forcimin e shtetit të së drejtës.

Nëse i kategorizojmë sipas meritave, në ata që kontribuan për (mos) çlirimin e Kosovës dhe në (mos) shtetndërtimin e saj si shtet të pavarur dhe sovran, do t’i kishim klasifikuar në dy grupe.

Në grupin e parë, bëjnë pjesë patriotët e vërtetë, çlirimtarët e dëshmuar, ushtarët e UÇK-ës që ishin nëpër istikame, nëpër shi e borë, të uritur dhe në vijat e frontit përballë armikut, heronjtë e kombit, dëshmorët, invalidët e luftës, mërgimtarët gjithandej botës, një pjesë e të cilëve fatkeqësisht nuk iu kthyen familjeve të tyre duke ra dëshmorë, ata ushtarë që për shkak kushteve të rënda financiare familiare, zhgënjimit dhe dëshprimit nga institucionet e uzurpuara nga komandantët e rrejshëm të cilët kishin obligim të kujdesen për t’a, e që i lanë në mëshirën e kohës, bënë vetvrasje duke mos e shijuar lirinë, si dhe të gjithë ata, që në një mënyrë apo tjetër, kontribuan për çlirimin e Kosovës.

Në grupin e dytë, bëjnë pjesë ata që nuk qëndruan në vijat e frontit, ata që në emër të armatimit për UÇK-ën, vjedhën 95% të « Fondit Vendlindja Thërret », « fondin 3% », dhe jo vetëm, ata që merrnin armatimin falas nga mërgata dhe nga depot e kazermave të Shqipërisë që pastaj ia shitnin UÇK-ës, janë po ata që e përçanë ushtrinë, në : « UÇK-ë « dhe në « FARK-ë », ata që në vend t’a luftonin armikun shekullor, luftonin dhe likuidonin patriotët më të devotshëm të atdheut, anëtarët dhe përkrahësit e LDK-ës, likuiduan dëshmitarët dhe njerëzit që dinin për vrasjet politike, janë po ata që burgosnin në mënyrë arbitrare aktivistët e LDK-ës duke i maltretuar në mënyrë shtazarake dhe duke i likuiduar dhe zhdukur pamëshirshëm”, shtjelloi ai.

Më tej, Musliu foli edhe për “gjeneralet e vetshpallur” e të cilët sipas tij në emër të luftës përvetësuan dhe uzurpuan institucionet, terminale doganore, agjenci e shumë të tjera.

ImageSkënder MusliuFoto galeri
Sipas tij, këta shkatërruan ekonominë e Kosovës, madje edhe shitën certifikata për veteranë të rrejshëm.

“Nga komandantët dhe gjeneralët e vetshpallur, analfabet, enverista dhe leninista gjysmë të civilizuar dhe SHIK-u, që në mesin e qytetarëve krijuan frikë dhe situatë të pasigurtë dhe të rrezikshme, të cilët ishin mbi ligjin dhe vepronin si kapadahi dhe gangstera, që i uzurpuan të gjitha institucionet, terminalet doganore, kompanitë publike, agjencionin për privatizim, komplet sistemin e drejtësisë, policinë, doganat, në emër të privatizimit plaçkitën me mijëra hektarë tokë, uzurpuan AKI-në, mediat………….

Këta, pakurrfar merite përvetësuan, privatizuan dhe kidnapuan luftën çlirimtare, plaçkitën tokën e përgjakur të Kosovës, shkatërruan ndërmarrjet më profitabile të ekonomisë kosovare, në mënyrë kriminale i shitën çertifikata veteranëve të rrejshëm……”.

Krahas kësaj, juristi nga Belgjika përmendi edhe bashkëpunimet me grupet kriminale serbe, formimin e Speciales, Asociacionin e Demarkacionin me Malin e Zi.

“Po këta janë marrë me kontrabandë me karburante, drogë, cigare, bashkëjetuan dhe bashkëvepruan me strukturat kriminale serbe në krye me Radoiçiqin, suspenduan demokracinë e brishtë, kidnapuan shtetin, shkatërruan ekonominë, shtetin e përdorën si plaçkë lufte, në të gjiha institucionet shtetërore u instaluan strukturat kriminale të SHIK-ut……

Në këtë grup, po ashtu bëjnë pjesë ata që formuan Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale me seli në Hagë, që tani bëjnë ç’mos për t’a zhbërë, ata që nënshkruan « Zajednicën », ata që falën 8200 ha tokë të përgjakur të Kosovës Malit të Zi, që i falën mijëra ha tokë Maqedonisë së Veriut, janë po ata që ndër vite lobuan për narjen e Kosovës, ata që Manastirit të Deçanit i falën 24 ha tokë, ata që me Ligj amnestuan strukturat kriminale serbe dhe i inkorporuan në institucionet e Kosovës, ata që përmes decentralizimit në çdo fshat me serb, formuan mbi nëntë komuna serbe, ata që lobuan për ndarjen e Kosovës”, nënvizoi Musliu.

Tutje, ai tha se përmendi vetëm disa gjëra që janë bërë në emër të luftës së UÇK-së, derisa rikujtoi edhe vrasjet politike e të pasluftës të cilat lanë plagë në historinë e Kosovës.

“Përmenda vetëm disa nga të bëmat e këtij grupi, që emrin e ka: « Shtabi i Rognerit » me strukturat e organizuara kriminale, që vetkonsiderohen si « Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, » të cilët para dhe gjatë luftës kanë bredhur nëpër Zvicër, Gjermani, Shqipëri, dhe jo vetëm, të instaluar, përveç tjerash, në hotelin Rogner, ku edhe është përpunuar strategjia se si pas luftës të vijnë në pushtet.

Jo një herë, nëpër televizione të ndryshme të Kosovës, që nga paslufta ka patur emisione të ndryshme, por edhe në bazë të të dhënave të shërbimeve të huaja të inteligjencës si dhe ato të NATOS-s, nga këto struktura, para, gjatë dhe pas luftës janë vrarë oficer profesionista të FARK-ut, me akademi ushtarake dhe ushtar të dalluar, edhe pse këta mohojnë të ketë ekzistuar FARK-u. E vranë kolonel Ahmet Kraniqi, i likuiduan komandantët dhe ushtarët më të dalluar nëpër prita të kurdisura…… me qëllim t’i personalizojnë frutet dhe vlerat e luftës dhe më lehtë të vijnë në pushtet. Shtabi i Rognerit qëllimisht e bojkotoi familjen Jashari duke mos ua dërguar armatimin e kërkuar, edhe pse për këtë ishin dhënë para”.

Në vazhdim, Musliu përgëzoi politikën e Kurtit në raport me veriun e vendit, derisa tha se i çliroi qytetarët nga frika e kriminelëve serbë, përfshirë Radoiçiqin.

“Realiteti është se, Kosova u çlirua nga Serbia përmes NATO-s dhe Ushtrisë së vërtetë Çlirimtare të Kosovës, e jo nga patriotët dhe veteranët e rrejshëm, kurse pas luftës, mjerisht, Kosova u okupua nga Shtabi i Rognerit dhe strukturat e saja kriminale, që uzurpuan shtetitn me të gjitha institucionet duke e konsideruar Kosovën si plaçkë lufte.

Fatmirësisht, me ardhjen në pushtet të Albin Kurit, ai krijoi një ambient dhe situatë krejtësisht tjetër, sepse jo vetëm që çliroi veriun e Kosovës nga strukturat kriminale serbe dhe nga ndikimi i Serbisë, që konsiderohej si pjesë e humbur, por ai i çliroi edhe qytetarët e Kosovës nga frika e mafisë politike, nga bandat kriminale të « Pronto » mafisë dhe SHIK-ut, nga Shtabi i kriminalizuar i Rognerit, nga komandantët e rrejshëm dhe profiterat e luftës që shantazhonin qytetarët, që intimidonin dhe kërcnonin dëshmitarët potencial të Gjykatës Speciale në Hagës”, shpjegoi ai.

Krahas kësaj, jurisiti kishte kritika të mëdha për partitë e PAN-it, si dhe për një pjesë të LDK-së të cilët e bojkotuan Kuvendin dhe formimin e qeverisë së re të Kosovës.

“E njëjta elitë kriminale, që është strehuar në PDK, AAK dhe Nisma, si dhe me ndihmën e disa matrapazëve dhe hajnave të LDK-së, për gjashtë muaj me rradhë kanë sabotuar dhe bojkotuar konstituimin e Kuvendit, rrjedhimisht Qeverinë e Kosovës duke penguar LVV-në të vjen në pushtet. Kjo nga frika se, në mandatin e ardhshëm të Qeverisë Kurti 3, PAN-i do të vihet para përgjegjësisë për të kaluarën e saj kriminale, dhe të gjithë ata që kanë keqpërdorë pozitën zyrtare duke u pasuruar në mënyrë të paligjshme përmes korrupsionit dhe krimit të organizuar, do të procedohen para drejtësisë.

Kryeministri në detyrë, Kurti para se të konstituohej Kuvendi, zyrtarisht dy herë i ofroi marrëveshje LDK-së për krijimin e një shumice parlamentare dhe koalicion për formimin e Qeverisë. Mirëpo, Abdilxhiku pa u hamendur, në mënyrë arrogante refuzoi propozimin e Kurtit”.

Ndër të tjera, ai tregoi se e bëri këtë përmbledhje për ngjarjet në vitet e fundit, për të thkesuar fkatin se disa politikanë e dëmtuan rëndë Kosovën, madje edhe që synonin ndarjen e një pjese të saj.

“E bëra këtë historik të shkurtër, me qëllim që t’ia përkujtoj opinionit se, po këta politikan të opozitës, në koordinim me Grenellin, Hashim Thaçin, Vuçiqin dhe Edi Ramën, e rrëzuan Qeverinë Kurti 1 në mesin e pandemisë, kur bota ishte në krizën më të madhe të shekullit, me covid 19, që për synim kishin ndarjen e Kosovës. Dhe tani, po të njejtit politikan respektivisht PLAN-i, që unë e konsideroj si « aksin e së keqës », me 26 Tetor 2025, nuk e votuan Qeverinë Kurti 3, duke deklaruar se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Ky dështim do të ketë pasoja të pariparueshme për ekonominë e Kosovës, sepse nuk do të mund të miratohet buxheti, që don të thot se nuk do të ketë paga për shërbyesit publik, pensione, ndihme sociale, shtesa për fëmijë, asistencë sociale, furnizim me barna, funksionimin e organeve të rendit dhe sigurisë, nuk do të mund të votetohen disa Marrëveshjeve ndërkombëtare që Kosovës i sjellin mbi 400 million euro, e që i kanë bllokuar pothuajsje për një vit nga legjislatura e kaluar, si dhe pengojnë alokimin e qindra milionave tjera që BE-ja ia ka ndarë Kosovës në kuadër të Planit për Rritje”.

Në fund, Musliu shtoi se partitë ish-opozitare do ndëshkohen nga populli, ku në zgjedhjet e jashtëzakonshme LVV do fuqizohet edhe më tepër.

“Së këndejmi, shtrohet pyetja se, lidershipi dhe deputetët e PLAN-it, a janë të vetdijshëm për dëmet që ia shkaktojnë qytetarëve dhe shtetit të Kosovës, mbase karierën politike, interesat personale dhe ato klanore, po i vendosin para interesave më vitale të shtetit?!

Prandaj PLAN-i konsideron se shansin e vërtetë e kanë në zgjedhjet e jashtëzakonshme, mirëpo, personalisht nuk besoj se sovrani do t’ua jep këtë « kënaqësi », përkundrazi, të gjitha gjasat janë që, LVV-ja të fuqizohet edhe më tepër, duke i ndëshkruar partitë dhe politikanët e kriminalizuar”, përmbylli Skënder Musliu për “Bota sot”.