Nga shuarja e LPK-së te vrasjet e LDK-së – rrëfimi i Hajdarajt për Kosovën e pasluftës: Kështu ndërvepruan PDK e AAK kundër Rugovës

Djali i veprimtarit dhe deputetit të vrarë të LDK-së, Smajl Hajdaraj, Shpëtim Hajdaraj, ka publikuar pjesën e parë të një shkrimi të gjatë me titull “(Gjysmë) e vërteta historike”, ku sjell një analizë të detajuar mbi zhvillimet politike në Kosovë pas luftës dhe periudhën e vrasjeve të figurave të LDK-së.

Në këtë shkrim, Hajdaraj thotë se “e vërteta absolute nuk ekziston”, por se dëshiron të paraqesë “gjysmën e së vërtetës” për të “qartësuar ngatërrestarët e sotëm të historisë politike”.

Ai kujton se Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) u shua në vitin 1999 në një kuvend në Prizren, ndërsa bërthama e saj formoi fillimisht PPDK-në, e më pas PDK-në, me kryetar Hashim Thaçin.

Sipas tij, në vitin 2000, PDK-ja, duke e pasur rival kryesor LDK-në e Ibrahim Rugovës, e bindi Ramush Haradinajn që të themelonte Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), për të zgjeruar ndikimin në Rrafshin e Dukagjinit dhe për të dobësuar LDK-në, e cila kishte fituar bindshëm në zgjedhjet e para pasluftës.

Hajdaraj përmend edhe disa nga kuadrot e dërguara nga PDK për ta ndihmuar AAK-në në fillim, si Rexhep Selimi, Ramiz Lladrovci dhe Bujar Dugolli.

Sipas tij, gjatë viteve 2000–2004, PDK dhe AAK vepruan si “front i përbashkët politik dhe mjaft agresiv kundër LDK-së dhe presidentit Rugova”, deri në vitin 2004, kur AAK bëri koalicion qeverisës me LDK-në — gjë që shkaktoi përçarje të thella.

Në shkrimin e tij, Hajdaraj rendit dhjetëra vrasje të figurave të LDK-së, gazetarëve e ushtarakëve, që nga vrasja e Ahmet Krasniqit, Enver Malokut, Xhemail Mustafës, Smajl Hajdarajt, e deri te Uke Bytyqi, Tahir Zemaj, Ismet Rraci e të tjerë.

Analiza e plotë:

(Gjysmë) e vërteta historike (1)

Preferoj ta quaj “gjysmë” të vërtetë, sepse e vërteta absolute nuk ekziston. Kjo (gjysmë) e vërtetë është më shumë për ngatërrestarët e sotëm të periudhave dhe ngjarjeve politike.

1. Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) u shua në vitin 1999, në një kuvend të mbajtur në Prizren. Berthama e njerëzve të saj, pas shuarjes, formoi fillimisht PPDK-në (Partia për Prosperitet Demokratik të Kosovës) me kryetar Hashim Thaçin, e cila pas pak kohe e ndryshoi emrin në PDK (Partia Demokratike e Kosovës), duke ruajtur të njëjtin kryetar.

2. PDK-ja (ose ndoshta një rreth më i gjerë i ish-anëtarëve të LPK-së), në vitin 2000, duke e pasur LDK-në e Ibrahim Rugovës si rivale kryesore dhe duke munguar në shtrirje në Rrafshin e Dukagjinit, e bindi Ramush Haradinajn – i cili në atë kohë ishte pjesë e TMK-së (zëvendëskomandant i TMK-së) – që të themelonte një parti politike të re: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Qëllimi kryesor ishte zgjerimi i ndikimit politik në Rrafshin e Dukagjinit dhe dobësimi i LDK-së, e cila kishte fituar bindshëm në të gjitha komunat e këtij rajoni në zgjedhjet e para komunale pas luftës.

Për ta ndihmuar në formimin e AAK-së, PDK i dërgoi disa kuadro të saj nga rajonet ku kishte ndikim politik, ndër ta: Rexhep Selimi, anëtar themelues i AAK-së; Ramiz Lladrovci, themelues dhe anëtar i Këshillit Drejtues të AAK-së; Bujar Dugolli, anëtar themelues dhe anëtar i Kryesisë së AAK-së.

Pas themelimit, AAK-së iu bashkuan (dhe më vonë u shkrinë në të) disa parti të tjera, si PPK (Partia Parlamentare e Kosovës) me kryetar Bajram Kosumin, UNIKOMB-i i drejtuar nga Muhamet Kelmendi, e të tjera.

3. PDK dhe AAK ishin, në periudhën 2000–2004, një front i përbashkët politik dhe mjaft agresiv kundër LDK-së dhe kryetarit të saj Ibrahim Rugova.

Kjo zgjati deri në vitin 2004, kur AAK-ja e Ramush Haradinajt bëri koalicion qeverisës me LDK-në.

Ky veprim u kundërshtua ashpër nga PDK-ja, dhe si pasojë disa prej kuadrove të AAK-së u larguan nga partia – ndër ta Rexhep Selimi, e më vonë edhe Ramiz Lladrovci dhe Bujar Dugolli.

Në një manifestim publik, për këtë koalicion, AAK-ja dhe Haradinaj u fishkëllyen nga përkrahësit e PDK-së në stadium, e Haradinaj u përgjigj me fjalët: “M’sheleni, komandantë të Bllacës!”

Që nga ajo ditë e deri më sot, AAK ka vepruar si parti e pavarur, pa ndikim të drejtpërdrejtë nga PDK-ja.

4. Gjatë kësaj periudhe të pasçlirimit (1999–2004), LDK-ja e Ibrahim Rugovës pësoi shumë.

U vranë kuadro të saj politike e ushtarake, veprimtarë e patriotë të dalluar, të dëshmuar si në periudhën e okupimit, ashtu edhe në atë të çlirimit dhe shtetndërtimit. Ishte një vazhdimësi e frymës vrasëse që nisi gjatë luftës me vrasjen e Ahmet Krasniqit (1998), Enver Malokut (1999) dhe plagosjen e Sabri Hamitit (1999).

Lista është shumë më e gjatë.

Vrasjet pas çlirimit përfshijnë: Haki Imeri në Drenicë (1999), gazetarin dhe anëtarin e LDK-së Shefki Popova (1999), kryetarin e LDK-së për Istog Shaban Manaj (2000), këshilltarin e Presidentit Rugova Xhemail Mustafa (2000), aktivistin Xhafer Behrami me disa anëtarë të familjes (2000), ushtarakun Ekrem Rexha – Drini (2000), kryetarin e Klinës Ismet Rraci (2001), gazetarin Bekim Kastrati dhe truprojën e Presidentit Besim Dajaku (2001), deputetin Smajl Hajdaraj (2002), ushtarakun Tahir Zemaj (2003), kryetarin e Suharekës Uke Bytyqi (2003), policët hetues Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj (2004), dhe shumë të tjerë.

Edhe vetë Presidenti Ibrahim Rugova ka qenë shënjestër e të paktën dy atentateve, nga të cilat fatmirësisht ka shpëtuar.

Lista e të vrarëve dhe të plagosurve është e gjatë, dhe mes tyre ka edhe shumë ish-pjesëtarë të UÇK-së.

5. PDK-ja erdhi në pushtet në vitin 2007, si fituese e zgjedhjeve, dhe qëndroi në pushtet me parti të ndryshme deri në vitin 2019.

6. Ajo që i karakterizon të gjitha këto vrasje është se pothuajse asnjëra nuk është zbuluar. Përjashtim bëjnë disa procese të pjesshme, si rasti i Shaban Manajt dhe Ekrem Rexhës (me dënime në shkallë të parë, e lirime në të dytën) dhe ai i Uke Bytyqit, për të cilin u dënua dorasi.

Në përgjithësi, nuk ka pasur drejtësi për viktimat – kanë dështuar UNMIK-u, EULEX-i dhe më pas edhe institucionet e Kosovës.

Këto vrasje, sipas mendimit tim, ishin të mirëorganizuara, të planifikuara dhe të mbuluara me kujdes – një strategji e përbashkët e menduar thellë, ku shumica e viktimave u vranë në atentate pranë shtëpive apo banesave të tyre.

7. Nuk duhet t’i harrojmë asnjërin, pa dallim. Duhet të ketë drejtësi humane, jo politike. Viktimat dhe familjet e tyre e meritojnë drejtësinë, pavarësisht se kush qëndron pas tyre.

Një Task Forcë speciale, e krijuar posaçërisht nga Prokuroria dhe Policia e Kosovës, pse jo edhe me përfshirjen e mekanizmave të tjerë vendor e ndërkombëtarë, do të ishte të paktën një nismë e mirë dhe shpresëdhënëse.

Vijon…

Herën tjetër: peripecitë dhe formimet e partive të tjera të skenës politike – përveç LDK-së, e cila është themeluar më herët dhe në rrethana të tjera, e ka ende historianë dhe themelues të gjallë të saj që mund të bëjnë një rezymé të tillë.