Haki Abazi: Largimi i Liburnit nga politika kosovare, pasojë e luftës së Kurtit ndaj bashkëpunëtorëve të vet

Ish-ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Liburn Aliu, është emëruar drejtor i Portit të Durrësit në Shqipëri.

Emërimi i tij është konfirmuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në Tiranë, e cila ka njoftuar se Aliu do të drejtojë portin më të madh në vend.

Vendimi vjen vetëm dy muaj pas dorëheqjes së tij nga Qeveria Kurti, të cilën Aliu e kishte arsyetuar si “vendim personal”, por që lidhej drejtpërdrejt me zgjedhjen e Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, në një prononcim ka komentuar emërimin e Liburn Aliut si drejtor i Portit të Durrësit, duke e cilësuar këtë si pjesë të “lojërave politike” mes të majtës në Shqipëri dhe asaj në Kosovë.

Abazi tha se Liburn Aliu ka qenë një nga themeluesit e Vetëvendosjes, por sipas tij, largimi nga politika kosovare lidhet me mënyrën se si Albin Kurti e udhëheq partinë.

Ai ka thënë se Kurti njihet për luftën ndaj partnerëve dhe bashkëpunëtorëve të tij, dhe se dorëheqja e Aliut është një betejë tjetër pas shumë eliminimeve që Kurti ka bërë për të mbetur i vetëm në pushtet.

‘’Liburni ka qenë themelues i Vetëvendosjes por meqë Kurti është i njohur për luftë ndaj partnerëve e bashkëpunëtorëve politikë kjo është edhe një betejë pas gjithë atyre eliminimeve që ka bërë për të mbetur i vetëm në pushtet’’, tha Abazi.

Sa i përket Shqipërisë, Abazi thotë se kjo është një lëvizje e koordinuar mes të majtës në Shqipëri dhe asaj në Kosovë që sipas tij shpesh “ngacmojnë njëra-tjetrën me pozicione”.

Ai ka kujtuar se në të kaluarën në poste të ngjashme kanë qenë edhe Besa Shahini dhe Hajrulla Çeku, ndërsa ky i fundit tashmë është kthyer tek Kurti.

‘’Për Shqipërinë mendoj që këto janë lojëra të së majtës në Shqipëri me të majtën në Kosovë që ngacmojnë njëri-tjetri me pozicione. Në të kaluarën kanë qenë këta ministrat Hajrulla Çeku e Besa Shahini. Hajrulla Çeku është kthyer tek Kurti do të thotë janë lojëra që e majta në Shqipëri e e majta në Kosovë kanë bërë me njëra-tjetrën’’, tha Abazi.