Në emisionin “Pressing”, ku po diskutohet për qëndrimet e Albin Kurtit pas dështimit për krijimin e qeverisë, raportimet për mbledhjen e nënshkrimeve nga deputetët e LVV-së për një seancë të re, paralajmërimet për zgjedhje dhe zhvillimet e tjera politike, e ftuar ishte edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.
Në panel morën pjesë gjithashtu Albert Krasniqi nga D+, Burim Ramadani dhe Dibran Hoxha.
Gjatë debatit, Deliu tha se PDK-ja ka qenë e bindur që nuk duhet të hyjë në bashkëpunim me dikë që, sipas saj, “i ka sjellë shumë dëme Kosovës”, duke iu referuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
“Kemi qenë të bindur se në rrethana të tilla, në mënyrën se si Kurti është sjellë gjatë këtyre muajve – arroganca e tij, përpjekja për nënshtrim e jo për bashkërendim, shkeljet e njëpasnjëshme të Kushtetutës që i kemi parë në Kuvend – kanë qenë përpjekje të hapura për të cenuar rendin kushtetues dhe për ta vendosur Kosovën në një situatë tepër të rëndë”, tha ndër të tjera Deliu.