Këngëtarja Arta Bajrami ishte e ftuara e radhës në “Shok Podcast” me Fis Junikun, ku foli për karrierën e saj dhe për ndryshimet që ka pësuar skena muzikore shqiptare.
Arta kujtoi kohën kur këngët shqiptare sapo po fillonin të shpërndaheshin online.
“YouTube-ja ka filluar prej vitit 2006, 2007. Kur ka dalë asokohe kënga ‘Asnjë Milimetër’, fansat e mi kanë marrë një fotografi timen dhe e kanë publikuar. Menjëherë ka arritur një milion klikime. Mendoj që ka qenë kënga e parë shqiptare me fotografi që i ka bërë një milion”, tha ajo.
Por Arta nuk kurseu kritikat për mënyrën se si funksionojnë tani klikimet në YouTube.
“Tani, a po mendon që klikimet janë reale? Nuk ka shans. E postojnë, dhe brenda natës arrin 100 mijë, 200 mijë. Kur të sheh të nesërmen, ka bërë dy milionë. Si i ka bërë? Tani të gjitha blihen”.
“Është mashtrim ndaj publikut”, shtoi ajo, duke lënë të kuptohet se industria ka ndryshuar dukshëm që nga vitet e hershme.
Arta nga ana tjetër po vazhdon të jetë aktive me muzikë, teksa i ka qëndruar besnike stilit të saj që nga fillimi./Periskopi/