Me 56 vota pro, 52 kundër dhe 4 abstenime, koalicioni Vetëvendosje–Guxo–Alternativa mbeti larg shumicës së thjeshtë prej 61 deputetësh, të nevojshme për të formuar Qeverinë “Kurti 3”. Ky zhvillim hap një fazë të re kushtetuese, të përcaktuar qartë nga Neni 95 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që rregullon procesin e formimit të Qeverisë.
Neni 95 i Kushtetutës: Zgjedhja e Qeverisë
Sipas Kushtetutës së Kosovës, pas zgjedhjeve të Kuvendit, Presidenti i Republikës propozon mandatarin për Kryeministër, të cilin e propozon partia apo koalicioni që ka fituar shumicën në Kuvend.
Kuvendi pastaj voton për Qeverinë, dhe për zgjedhjen e saj nevojiten të paktën 61 vota pro, shumica e të gjithë deputetëve.
Në rastin konkret, qeveria e propozuar nga Albin Kurti nuk arriti shumicën e kërkuar, duke dështuar të marrë besimin e Kuvendit.
Hapi i parë: Presidentja njoftohet për rezultatin
Pas përfundimit të votimit, Kryetari i Kuvendit zyrtarisht i dërgon Presidentes njoftim për dështimin e votimit të Qeverisë.
Në bazë të Neni 95 (4) të Kushtetutës:
“Nëse Qeveria e propozuar nuk merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, Presidenti i Republikës së Kosovës brenda 10 ditëve emëron një kandidat tjetër për Kryeministër.”
Kjo nënkupton se Presidentja Vjosa Osmani duhet të ndërmarrë hapa për të mandatuar një kandidat të dytë brenda 10 ditëve nga dështimi i parë. Sipas Aktgjykimeve të Kushtetueses, nuk përjashtohet mundësia që mandatari të jetë sërish dikush nga subjekti i parë, por për kënd Presidentja duhet të bindet, se ai që e mandaton, i ka 61+ deputetë që ia votojnë kabinetin.
Pra, fillimisht, Presidentja mund t’i jap një shans të dytë Vetëvendosjes për të formuar Qeverinë. Ose mund ta mandatojë subjektin tjetër, që dëshmon se i ka 61+ deputetë.
Nëse edhe kjo tentativë dështon, atëherë aktivizohet mekanizmi i shpërndarjes së Kuvendit.
Shpërndarja e Kuvendit dhe zgjedhje të reja
Nëse as kandidati i dytë nuk merr shumicën e kërkuar, Kushtetuta përcakton:
“Nëse as pas propozimit të dytë Qeveria nuk zgjidhet, Presidenti i Republikës së Kosovës shpërndan Kuvendin dhe shpall zgjedhje të reja, të cilat mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpërndarjes.”
Kjo do të thotë se nëse edhe përpjekja e dytë për formimin e Qeverisë dështon, Kosova hyn në cikël të ri zgjedhor.
 
		 
		 
		