Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, deklaroi se Serbia nuk do të jetë në gjendje të anëtarësohet në BE pa e njohur Kosovën si shtet dhe pa hequr dorë nga “bota serbe”.
Ai theksoi se Beogradi duhet të bashkëpunojë në arrestimin e terroristit Milan Radoiçiç, i cili mori përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit 2023, në Banjska të Zveçanit.
“Pa normalizim të plotë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, nuk do të ketë integrim në BE. Integrimi i të dy vendeve në familjen e madhe evropiane është i lidhur ngushtë me dialogun, i cili duhet të përfundojë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve. Edhe pse dialogu u rinovua në vitin 2023, në vend që të fitonte vrull, ai erdhi në një seri të vërtetë krizash, më serioze prej të cilave ishte sulmi nga forcat paraushtarake serbe në veri të Kosovës”, tha ai në një intervistë për Jutarnji List, raporton The Geopost.
Picula shtoi më tej se sulmi nga grupi terrorist i udhëhequr nga Milan Radoiçiç në Banjskë përfaqëson një shkelje të rëndë të paqes në Kosovë. Më tej ai akuzoi presidentin serb Aleksandër Vuçiç, se ai është personi i cili po pengon arrestimin e autorëve të sulmit të Banjskës.
“Ne kemi kërkuar që raportet e Beogradit mbi sulmuesit në Banjska të jenë një nga kriteret për një vlerësim të plotë të situatës në Serbi dhe aftësisë së Beogradit për të ecur në rrugën evropiane. Zyra e BE-së në Kosovë gjithashtu, mendoj, kohët e fundit u ka thënë autoriteteve në Beograd se pret që arrestimi dhe ndjekja penale e atyre që kryen sulmin në Banjska, të cilët ndodhen në Serbi, të ndodhë së shpejti. Fatkeqësisht, Beogradi vazhdon të injorojë kërkesat për të adresuar këtë çështje. Mendoj se këtu kemi të bëjmë me pengim të procesit të pritur gjyqësor dhe ka shumë të ngjarë që kjo të ndodhë me urdhër të kreut të shtetit”, shtoi ai.