Deputeti i komunitetit rom në Kuvendin e Kosovës, Albert Kinolli, thotë se është marrë vesh me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti për një post ministror.
Kinolli tha se do ta votojë përbërjen e qeverisë që Kurti do ta prezantojë sot në Kuvend.
“Do ta japim votën pro për Qeverinë Kurti 3. Me kryeministrin disa herë jemi takuar dhe kemi një marrëveshje me të”, tha ai.
Kinolli tha se “në këtë qeveri, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës për herë të parë do të përfaqësohet me një pozitë ministrore”.
“Për ne nuk është me rëndësi cila pozitë. Me rëndësi që ne t’i formojmë së pari institucionet. Për pozitën ne do të flasim më vonë. Ne jemi të gatshëm ta japim kontributin tonë në cilëndo ministri që të na jepet, mirëpo sipas të gjitha gjasave, Ministrinë për Zhvillim Rajonal”, tha ai.