Analisti politik, Viktor Buzhala, thotë se zgjedhjet e jashtëzakonshme janë të pashmangshme.
Buzhala thotë se opsioni më real për formimin e qeverisë së re është ai me LVV- LDK dhe sipas tij, refuzimi kategorik i LDK-së është i pakuptimtë dhe dëmtues edhe për demokracinë edhe për vetë LDK-në.
“Fatkeqësisht i vetmi opsion real është ai me LDK. Në rrethana normale, në vendet evropiane, që kanë shumë parti në parlamentet e tyre, thuajse gjithnjë partia e parë është në koalicion me partinë e tretë, përveç rasteve kur nuk ka nevojë. LDK duhet ta kuptojë që vendi i dytë garon për vend të parë, e jo vendi i tretë. Refuzimi kategorik është i pakuptimtë dhe dëmtues, edhe për demokracinë, edhe për vetë LDK-në”, deklaron Buzhala.
Në intervistë Buzhala flet edhe rreth zgjedhjeve lokale, rezultateve të tyre dhe balotazheve.
Sipas tij, në balotazhe pritet që disa kandidatë të VV-së të zgjidhen, sidomos në Mitrovicë, Fushë Kosovë, Kaçanik dhe Viti.
ImageAnalisti politik, Viktor BuzhalaFoto galeri
Intervista e plotë:
Zotëri Buzhala, të dielën është afati i fundit kushtetues për formimin e qeverisë së re. Si mendoni se do të përfundojë, me qeveri të re apo me zgjedhje të reja?
Viktor Buzhala: Jo, mendoj që pashmangshëm po shkojmë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Madje, ato zgjedhje de facto i shpalli kryeministri Kurti nga Britania e Madhe, kur e pranoi që ka vështirësi në sigurimin e numrave.
Cili është ndikimi real i presidentes në këtë proces — a po ndihmon stabilitetin politik apo po e komplikon më shumë situatën?
Viktor Buzhala: Presidentja nuk ka shumë gjëra në dorë aktualisht. Po flasim për mungesë të vullnetit nga partitë parlamentare për t’i konstituar institucionet. Ato, dihet që përfunduan në Gjykatën Kushtetuese dhe anasjelltas, një lojë pingpongu, të cilës duket që po i vjen fundi. Nuk shoh ndonjë rol të presidentes këtu, pasi ajo ka përmbushur detyrimet e saj kushtetuese.
Raportohet për bisedime mes VV-së dhe LDK-së, madje për një marrëveshje të mundshme që do t’i jepte LDK-së kryeqytetin dhe presidentin, në këmbim të mbështetjes për qeverinë dhe Mitrovicën. Si e komentoni ju?
Viktor Buzhala: Ky është spekulim i pastër dhe i pabazë. Kjo nuk guxon të ndodhë dhe nuk mund të ndodhë, pasi Prishtina gjendet para një procesi elektoral. Është populli ai që do të vendosë kush do ta qeverisë Prishtinën, e jo partitë politike. Çdo veprim i tillë do të ishte dëmtim serioz i demokracisë, por një skenar i tillë është rrenë e kulluar nga qarqe që nuk ia duan të mirën vendit.
A është e ndarë LDK për dhe kundër koalicionit me VV-në? Dhe nëse po, a do të përfitonte apo dëmtohej më shumë nga një bashkëqeverisje e tillë?
Viktor Buzhala: Po, mendoj që LDK është e ndarë. Në njërën anë janë kryetarët e komunave apo kandidatët për kryetarë, të cilët në balotazh në të shumtën garojnë kundër kandidatëve të VV-së dhe një koalicion i mundshëm për qeverisje nacionale i dëmton ata, pasi shpresojnë në koalicione dhe ndihmë të partive të tjera për të fituar në komunat respektive. Në tjetrën anë është Lumir Abdigjiku me pjesën tjetër të kryesisë që nuk garon në zgjedhjet lokale dhe që do të donte të përafrohej me VV-në për një koalicion eventual. Ndryshe, pozita e z. Abdixhikut është shumë e luhatshme dhe nëse humbin shumë komuna, sidomos Prishtinën dhe Pejën, apo nëse ka rënie apo stagnim në zgjedhjet nacionale, ai nuk do të mund të mbijetonte në pozitën e kryetarit. Pra, ai ka më hesap të hyjë në koalicion dhe ta evitojë bastin e dyfishtë — edhe lokal, edhe nacional. Karta e koalicionit me VV është shumë më e sigurt dhe më dobiprurëse për të.
Në rast se LDK refuzon koalicionin, a ka ndonjë opsion tjetër real për VV-në për të siguruar shumicën parlamentare?
Viktor Buzhala: Jo, fatkeqësisht i vetmi opsion real është ai me LDK. Në rrethana normale, në vendet evropiane, që kanë shumë parti në parlamentet e tyre, thuajse gjithnjë partia e parë është në koalicion me partinë e tretë, përveç rasteve kur nuk ka nevojë. LDK duhet ta kuptojë që vendi i dytë garon për vend të parë, e jo vendi i tretë. Refuzimi kategorik është i pakuptimtë dhe dëmtues, edhe për demokracinë, edhe për vetë LDK-në.
Nëse do të shkonim përsëri në zgjedhje, a prisni ndonjë ndryshim të madh në rezultatin elektoral apo votuesit do të mbeten po aty?
Viktor Buzhala: Nuk pres ndonjë lëvizje të madhe. Por, VV duhet të tregohet e kujdesshme dhe ta miratojë Buxhetin e Kosovës, në të kundërtën rrezikon të paguajë kosto të madhe. Kjo, pasi kur njerëzit preken në xhep, reagojnë dhe përgjegjës e bëjnë atë që e ka përgjegjësinë për procesimin e pagesave dhe pagave.
Si i komentoni rezultatet e zgjedhjeve lokale — cilat ishin surprizat më të mëdha në këtë proces?
Viktor Buzhala: VV tashmë është bërë parti e fuqishme edhe në zgjedhjet lokale, duke i fituar direkt tri komuna dhe një që i shpëtoi për një fije floku. U rrit edhe në pjesën dërrmuese të komunave të tjera. Surpriza e zgjedhjeve ishte Ramiz Lladrovci, i cili arriti ta marrë pushtetin në një komunë ku PDK kishte fituar që nga paslufta. Duke e marrë parasysh faktin që rrezikon ta humbasë edhe Mitrovicën, Kaçanikun apo Vushtrrinë, deri tash PDK-në e shoh si humbëse të këtyre zgjedhjeve. Por, balotazhi do t’i zbardhë të gjitha dilemat dhe nuk është pa rreziqe të humbjeve të mëdha edhe LDK. Ndërsa, VV, pos Gjilanit, nuk ka çka humb, por mund të jetë fituesja e madhe e këtyre zgjedhjeve.
Me 17 komuna që shkojnë në balotazh, cilat janë pritshmëritë tuaja? Cilat parti mund të dalin më të forta pas raundit të dytë?
Viktor Buzhala: Pritjet e mia janë që disa kandidatë të VV-së të zgjidhen, sidomos në Mitrovicë, Fushë Kosovë, Kaçanik dhe Viti pres të kalojnë në VV. Mendoj që do të konfirmohet edhe fitorja në Gjilan. Gara për Prishtinën është totalisht e paqartë. Ndërkohë, po vërehen disa lëvizje interesante në Pejë, ku mund të kemi garë nëse AAK hyn në koalicion me VV. Sa i përket komunave të tjera, nuk pres befasi.
A prisni që rezultatet lokale të ndikojnë në konfigurimin e ardhshëm të politikës qendrore?
Viktor Buzhala: Po, pa diskutim. Nëse LDK humb Prishtinën dhe Pejën, karrigia e Lumir Abdixhikut në krye të partisë luhatet dhe mund të shkojë në shtëpi.
Nëse PDK humb Mitrovicën dhe Prizrenin, edhe karrigia e Memli Krasniqit luhatet dhe ai mund të ecë, pasi ka humbur kredi edhe në Drenas. Pra, ne mund të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme me PDK e LDK me kryetarë të tjerë. Ndërkohë, Vjosa Osmani mund t’i bashkohet listës së VV-së. Ngjarje interesante na presin. Por, gjasat reale janë që të krijohen dy boshte politike: në njërën anë VV me aleatë të vegjël, e në tjetrën PDK dhe LDK.
Lista Serbe ka arritur t’i rimarrë komunat në veri të Kosovës (përveç Kllokotit që shkoi në balotazh), por me një rënie të dukshme votash krahasuar me vitin 2021. A nënkupton kjo dobësim të ndikimit të Beogradit apo rritje të vetëdijes politike të komunitetit serb në Kosovë? A mund të shihet ky rezultat si një mesazh për Vuçiqin dhe politikën e tij ndaj Kosovës?
Viktor Buzhala: Po, Lista Serbe po dobësohet. Komuniteti serb tek ne e ka kuptuar që jetesa më e mirë për ta ka adresë Prishtinën, e jo Beogradin. Janë mashtruar për shumë vjet dhe tash e dinë këtë. Realisht, Lista Serbe po vazhdon të votohet me shumicë vetëm nga serbët që jetojnë në Serbi dhe vijnë me autobusë të organizuar ditën e zgjedhjeve për të votuar. Por, edhe kjo do të zbehet gjithnjë e më tepër.
Z. Buzhala, në fund, si e përshkruani me një fjali gjendjen politike në Kosovë sot — “ngërç i përkohshëm” apo “krizë e qëndrueshme”?
Viktor Buzhala: Shpresoj të jetë ngërç i përkohshëm.