Nuk do të jetë kjo atmosferë.
Tifozët e Kosovës do të kenë kufizime për sa i përket simboleve shqiptare dhe të shtetit të tyre, në ndeshjen ndaj Sllovenisë në 15 nëntor.
Siç njoftojnë mediat nga Lubjana, Federata Sllovene e Futbollit ka vendosur që flamujt kombëtarë shqiptarë, flamujt e Kosovës dhe fanellat do të lejohen vetëm në tribunën e përcaktuar për tifozët miq.
Në të gjitha tribunat e tjera të stadiumit do të lejohen vetëm simbolet sllovene.
Në Slloveni jeton një numër i madh shqiptarësh nga Kosova, të cilët do të duan të mbështesin ekipin e zemrës, ashtu siç ndodhi në ndeshjen e kaluar në Suedi, ku spikatën simbolet kombëtare shqiptare dhe një flamur i madh kuqezi.
Ndërkaq, Federata Sllovene e Futbollit njofton se të gjitha biletat janë shitur dhe se stadiumi do të jetë plot.
Kosova mban vendin e dytë në grupin eliminator B, me 7 pikë në 4 ndeshje, ndërsa Sllovenia ka vetëm tri pikë me të njëjtin numër përballjesh.
Në rast barazimi, “dardanët” do të kualifikoheshin për në plej ofin e Kupës së Botës për herë të parë, dhe ndaj shumë shqiptarë nga Kosova do të donin të ishin në stadiumin “Stozhice” për ta përjetuar nga afër ndeshjen historike.