Përfaqësuesi i Francës në KS të OKB-së, Jay Dharmadhikari, ka kërkuar që kriminelët e Banjskës të sillen para drejtësisë.
Në fjalën e tij gjatë seancës për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Dharmadhikari tha se për Francën është e papranueshme që të njëjtit të mbeten në liri.
“Është e papranueshme që kryesit e sulmit në Banjskë të mbesin në liri më shumë se dy vjet pas këtyre ngjarjeve.
Është kritike që të gjithë kryesit të mbahen përgjegjës dhe të sillen para drejtësisë”, deklaroi Jay Dharmadhikari.
21.10.2025 – 18:07
Gërvalla për regjimin e Vuçiqit: Synon të trazojë rajonin
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, gjatë takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, ka deklaruar se përdorimi i termit “Kosovë dhe Metohija” reflekton ambicie hegjemoniste të Serbisë dhe lidhet me retorikën e periudhës së Sllobodan Millosheviqit.
Ajo vuri në dukje se Kosova është një demokraci perëndimore dhe se mbështetja ndaj NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara është shumë e lartë në vend.
Gërvalla theksoi se Serbia përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për rajonin për shkak të propagandës dhe politikave të saj që, sipas saj, nxisin urrejtje dhe përgatitje për sulme të mundshme ushtarake.
Gërvalla: S’ka Kosovë dhe Metohi, është gjuhë e Millosheviqit dhe atyre që e ndjekin
“Më lini të bëj të qartë se nuk ka Kosovë dhe Metohi, ajo nuk ekziston zonja dhe zotërinj. Kosova dhe Metohija është një shprehje e qartë e ambicieve hegjemoniste të Serbisë për Kosovën. Thënë thjeshtë është gjuha e vjetër e Sllobodan Millosheviqit dhe atyre që ndjekin atë. Kosova është një demokraci e pastër perëndimore në Ballkan. Mbështetja për NATO dhe SHBA është 99% në vendin tonë. Ne jemi vendi më pro NATO dhe më pro SHBA në botë. Ne jemi mbrojtur nga gjenocidi nga NATO dhe SHBA. Janë vrarë armiqësitë serbe të nxitura nga Sllobodan Millosheviq dhe ministri i tij Vuçiq i cili është tashmë president i Serbisë. Nuk po flasim për historinë por për të tanishmen dhe tani Serbia është një kërcënim i drejtpërdrejtë për rajonin. Ne e përcjellim propagandën e vazhdueshme të Vuçiqit dhe urrejtjes që shpërndahet dhe helmon popullatën serbe dhe nxit përgatitjen e qytetarëve serb për një sulm ushtarak kundër vendit tonë. Në Serbi mund të shohësh murale të mëdha si ky ku shkruhet kur ushtria të kthehet në Kosovë. Pra nuk shkruhet nëse ushtria kthehet por kur ushtria të kthehet, pra ata nuk e fshehin qëllimin e tyre, ata janë të qartë për këtë haptazi, vetëm lënë kohën të hapur.”, tha ajo
Gërvalla u shpreh se në vitin 2023, Serbia tregoi gatishmërinë për përdorim force, duke dërguar grupime paramilitare të pajisura me armatim anti-tank dhe ajror dhe duke synuar me dhunë pjesë të territorit verior të Kosovës.
Ajo akuzoi drejtues të caktuar si pjesë të atyre ngjarjeve dhe e konsideroi pritjen dhe trajtimin e tyre në Beograd si një shenjë për mungesë dëshire për llogaridhënie.
Gërvalla: Serbia ka dëshmuar në vitin 2023 se është e gatshme për luftë
“Serbia ka dëshmuar në vitin 2023 se është e gatshme për luftë. Vuçiqi mund të pengohet, jo të bindet. Mentaliteti nuk është diçka që ndryshon vetëm nëse flisni për të. Në vitin 2023 Serbia kryu një sulm ushtarak kundër Republikës së Kosovës duke dërguar grupet paramilitare të pajisura nga Serbia me pajisje anti tank ajrore, me plane për të marrë veriun e territorit tonë me dhunë. Komandanti i atij inkursioni ishte dora e djathtë e Vuçiqit për Kosovën ndërkohë, Vuçiqi e mban atë si mysafir nderi. Bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë presion në regjim, nëse nuk ka pasoja, situata do të eskalojë edhe më tutje sepse nuk kanë kut ti frikësohen. Ministri i punëve të jashtme Gjuriq e di këtë shumë mirë, ai nuk ka probleme me vrasës dhe me dhunues. Ai mund të ketë zë të butë zonja dhe zotërinj por ai u ul për kafe pas sulmit në Banjskë me Radojiçiqin.”, tha ajo
Gërvalla komentoi gjithashtu arrestimin e ish-policit kosovar Arbnor Spahiut në Serbi, duke e cilësuar këtë rast si akt ndëshkimi dhe ndjekje ndaj njerëzve që morën pjesë në mbrojtje të Kosovës gjatë sulmeve të paramilitarëve. Ajo i bëri thirrje autoriteteve serbe ta lirojnë menjëherë Spahiun.
Gërvalla: Nga ky vend unë i bëj thirrje Serbisë që menjëherë ta liroj Arbnor Spahiun
“Para disa muajsh, Serbia arrestoi ish-policin Kosovar Arbnor Spahiun teksa udhëtonte nëpër Serbi me familjen e tij. Akuza ishte dyshimi për përfshirje në sulmin kundër serbëve në Banjskë. Në atë kohë megjithatë Arbnor Spahiu kishte lëshuar shërbimin policor dhe jetonte jashtë por ky rast dëshmon qartë se përfshirja e Serbisë në sulmin e Banjskës dhe ndjekja për hakmarrje e atyre që mbrojtën Kosovën dhe i rezistuan Radojçiqit dhe paramilitarëve të tjerë të përfshirë në sulmin e Banjskës. Nga ky vend unë i bëj thirrje Serbisë që menjëherë ta liroj Arbnor Spahiun. Situata në Ballkan është e ndërlikuar, nuk ka të bëj me tensionet apo me ndarjet etnike ose me historinë. Ka të bëj me të tashmen dhe me kërcënimet e tanishme. Nëse e heqim regjimin e Vuçiqit, Ballkani është paqe dhe bashkëpunim. Nuk ka dallim mes Shqipërisë, Malit të zi, Maqedonisë së veriut, Kosovës apo Bosnjës, përkundrazi, ne udhëtojmë dhe ndajmë fatin e njejtë Evropian. Regjimi i Vuçiqit mundohet vazhdimisht të ndërhyjë në Kosovë, në Bosnjë, në Mal të Zi dhe në Maqedoni të Veriut. Është gabim që qytetarët serbë të cilët kërkojnë zgjedhje duke iu përmbajtur regjimit të Vuçiqit. Kjo nuk funksionon as pvr Kosovën, as për Bosnjën sepse e tëra ka të bëj me ideologji ekstremiste të ndjekura nga vendi më i madh ekstremist në rajon. Për një arsye e quajnë Rusi e vogël sepse Rusia është e rrënjosur thellë në Serbi”, tha ajo.
21.10.2025 – 18:07
Britania e Madhe sfidon Serbinë në OKB: Dorëzoni Milan Radoiçiqin
Britania e Madhe u ka bërë thirrje shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara që ende s’e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë këtë sa më shpejt.
Njohja, sipas përfaqësueses së Britanisë, është thelbësore për stabilitetin afatgjatë në rajon dhe për zhvillimin e plotë të vendit.
Në fjalimin e saj, ajo ka kërkuar nga Serbia që të dorëzojë kryeterroristin Milan Radoiçiq, si dhe ka shprehur shqetësim për sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
“Britania mbetet përkrahëse e palëkundur e zhvillimit demokratik të Kosovës dhe shtegut të saj euroatlantik. Si ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, u bëjmë thirrje shteteve anëtare që ende nuk e kanë bërë këtë, t’i bashkohen shumicës. Njohja është esenciale për stabilitet afatgjatë dhe për zhbllokimin e potencialit të plotë të Kosovës”, deklaroi ajo.
21.10.2025 – 17:37
Përfaqësuesi amerikan në OKB: Kosova e Serbia të përmbahen nga masat eskaluese dhe të ndërtojnë paqe
Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Bartos gjatë seancës për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nxisin Kosovën dhe Serbinë të përmbahen nga masat eskaluese dhe të ndërtojnë paqe dhe stabilitet në mes vete me qëllimin përfundimtar të njohjes përfundimtare
Ai tha se UNMIK është një mision paqeruajtës dhe duke parë që nuk ka krizë në Kosovë dhe është koha të fillojë procesi i mbylljes së tij, pasi shpenzimi I padobishëm e dëmton OKB-në.
Bartos:Koha ka ardhur që të tërhiqet misioni
“UNMIK-u para shumë kohësh ka ndihmuar për koha ka ndihmuar për këtë dhe nuk ka krizë të sigurisë në Kosovë dhe nuk ka rol qeverisës në Kosovë. Koha ka ardhur që të tërhiqet misioni…. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nxisin Kosovën dhe Serbinë të përmbahen nga masat eskaluese dhe të ndërtojnë paqe dhe stabilitet në mes vete me qëllimin përfundimtar të njohjes përfundimtare”, tha ai.
21.10.2025 – 17:33
Kina: Veprimet e njëanshme të Kosovës në veri rrezikojnë stabilitetin rajonal
Përfaqësuesi i Kinës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Geng Shuang, ka kritikuar ashpër “veprimet e njëanshme” të autoriteteve kosovare në pjesën veriore të vendit.
Gjatë fjalimit të tij në seancën e Këshillit të Sigurimit, ku po diskutohej raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për Kosovën, Shuang ka theksuar se këto veprime po shkaktojnë tensione dhe po rrezikojnë stabilitetin në rajon.
Shuang vuri në dukje se situata në veri ka qenë e paqëndrueshme dhe akuzoi autoritetet e Prishtinës për veprime që dëmtojnë të drejtat e komunitetit serb.
Ai tha se autoritetet kosovare kanë mbyllur me qëllim disa institucione thelbësore për komunitetin serb, kanë kryer bastisje të dhunshme ndaj serbëve dhe së fundmi kanë hapur një urë të re mbi lumin Ibër.
Këto veprime, sipas tij, shkelin të drejtat legjitime të serbëve dhe po përshkallëzojnë tensionet në zonë.
Geng Shuang i bëri apel Prishtinës që të heqë dorë nga çdo veprim që mund të përkeqësojë situatën dhe të shmangë përplasjet e mëtejshme në terren.
Ai theksoi se Pekini mbështet dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, por nënvizoi se thelbi i konfliktit qëndron në veprimet e njëanshme dhe të përsëritura nga ana e Kosovës, të cilat po ushqejnë mosbesimin mes komuniteteve.
Përfaqësuesi kinez gjithashtu u shpreh se prania e Kombeve të Bashkuara në Kosovë është një faktor kyç për zgjidhjen e çështjes, dhe theksoi se qëndrimi i Kinës ndaj kësaj teme mbetet i pandryshuar dhe i qëndrueshëm.
Në përmbyllje, Shuang deklaroi se Kina mbështet gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët përmes dialogut dhe kompromisit, duke vënë theksin në rëndësinë e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon.
Vlen të përmendet se Kina nuk njeh pavarësinë e Kosovës.
21.10.2025 – 17:28
Gjuriq me propagandë në OKB, ankohet për mbylljen e strukturave paralele në Kosovë
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, është ankuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për mbylljen e strukturave paralele serbe në Kosovë.
Gjatë shqyrtimit të raportit periodik për Kosovën, Gjuriq, duke propaganduar, tha se të drejtat e serbëve në Kosovë po injorohen vazhdimisht.
Madje, duke iu referuar qeverisë Kurti, ai tha se kjo e fundit ka shkatërruar 128 institucione që sipas tij janë jetike në komunat me shumicë serbe. Ai tha se kjo po bën që të dëmtohet trashëgimia e paqes që presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka arritur në mandatin e parë për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë.
Gjuriq: Kurti ka shkatërruar 128 institucione jetike në komunat me shumicë serbe
“Të drejtat themelore të serbëve jo vetëm që po injorohen, por po gërryhen sistematikisht. Ajo që shohim sot është një luftë, betejë për siguri dhe mbijetesë… Regjimi i Kurtit ka thyer 128 institucione jetike në pjesën me shumicë serbe. Mbrojtja sociale, posta, pensionet, punësimi dhe kështu me radhë. Edhe Kryqi i Kuq është shënjestruar… Kjo po dëmton trashëgiminë e paqes të presidentit Trump që e arriti gjatë mandatit të parë”, pretendoi ai.
Duke folur për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, Gjuriq anashkaloi të vërtetën duke mos përmendur ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet në Kosovë. Ai tha se Lista Serbe ka triumfuar në nëntë nga dhjetë komunat me shumicë serbe në raundin e parë. Madje, pretendoi se “fryma serbe vazhdon të jetë në Kosovë”.
Gjuriq nuk la anash as narrativat kundër Kosovës, duke pretenduar se gjoja serbët po shtypen e frikësohen.
Gjuriq: Fryma serbe në Kosovë vazhdon të jetë e pathyeshme
“Fryma serbe në Kosovë vazhdon të jetë e pathyeshme. Kjo qëndrueshmëri e shfaqur në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, Lista Serbe ka triumfuar në nëntë nga dhjetë komuna në raund të parë. Kjo nuk është politike, është mosbindje. Serbët, kundrejt shtypjes, presionit dhe frikësimit, kanë krijuar vetëvendosjen e tyre. Edhe shqiptarët e kundërshtojnë tashmë radikalizimin e Kurtit”, shtoi Gjuriq.
Tëmë diskutimi në Nju Jork u bë edhe kontingjenti i dronëve luftarakë kamikazë të tipit Skydagger, i cili një javë më parë zbarkoi në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Gjuriq pretendoi se “është përpjekje që kërcënon të thyejë ambientin e sigurisë”.
Gjuriq: Përpjekjet e tyre kërcënojnë të thyejnë ambientin e sigurisë aty
“Militarizimi i territorit me armatim të përshpejtuar të FSK-së dhe blerjen e dronëve kamikazë. Përpjekjet e tyre kërcënojnë të thyejnë ambientin e sigurisë aty”, tha ai.
Krahas kësaj, ai përsëriti kërkesën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
21.10.2025 – 17:19
Gërvalla: BE t’i bëjë presion Serbisë, ne jemi në favor të dialogut
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla gjatë fjalimit të saj në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku po shqyrtohet raporti gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovën ka paraqitur një foto nga një ndeshje futbolli në Beograd, ku është shpalosur një grafit i madh agresioni ndaj Kosovës.
“Në Serbi mund të shihni grafite të mëdha e murale si ky, ku shkruhet: kur ushtria të kthehet në Kosovë. Nuk shkruhet nëse ushtria të kthehet, por kur kthehet. Ata nuk e fshehin qëllimin e vetë, ata janë të qartë për këtë haptazi. Ne jemi në favor të dialogut dhe vërtetë dua të shfrytëzoj këtë rast për të lavdëruar punën e Sorensenit se si mund të arrijmë në rezultate të mira edhe me refuzimin e Serbisë. Por, ju lutem na duhet një dialog i vërtetë, e jo mashtrim nga Vuçiqi”, ka thënë Gërvalla.
Ajo tutje ka theksuar se Serbia ka treguar në vitin 2023 se është e gatshme për luftë. “Vuçiqi mund të pengohet e jo të bindet. Në shtator 2023 Serbia kreu një sulm ushtarak kundër Republikës së Kosovës duke dërguar grupe paramilitare të pajisura nga Serbia me pajisje anti-tank me plane për të marrë territorin tonë verior me dhunë. Komandanti i atij inkursioni ishte dora e djathtë e Vuçiqit për Kosovën, ndërsa Vuçiqi e mbanë atë si mysafir nderi. BE-ja duhet të bëjë presion, nëse nuk ka masa për Serbinë ata do të eskalojnë edhe më tutje sepse nuk kanë kujt t’i frikësohen. Ministri aktual i Punëve të Jashtme të Serbisë, Gjuriq e di shumë mirë. Ai nuk ka probleme me vrasës e dhunues, ai mund të ketë zë të butë, por ai u ulë për kafe pas sulmit në Banjskë me Radoiçiqin”, ka nënvizuar Gërvalla.
Ajo e gjatë fjalimit të saj ka kërkuar lirimin e ish-policit Arbnor Spahiu, i cili është arrestuar në Serbi, derisa ka kërkuar më shumë presion të faktorit ndërkombëtar ndaj Serbisë.
“Ne po e ndjekim rrugën për integrimin euro-atlantik, Serbia po shkon në drejtimin e kundërt, drejt Rusisë. Mos prisni shumë gjatë, është porosia jonë, mos filloni një luftë tjetër ballkanike”.
21.10.2025 – 17:00
Gërvalla në OKB: “Kosovo Metohija” është shprehje e ambicieve hegjemoniste, Serbia është kërcënim real për rajonin
Ministrja e Punëve të Jashtme në detyrë, Donika Gërvalla, ka mbajtur një fjalim të ashpër në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku ka theksuar se termi “Kosovo Metohije” është një mbetje e gjuhës hegjemoniste serbe dhe një simbol i pretendimeve të Serbisë mbi Kosovën.
“Më lejoni ta sqaroj se nuk ka ‘Kosovë Metohi’. Nuk ekziston, zonja dhe zotërinj. Kosova Metohi është një shprehje e qartë e ambicieve hegjemoniste të Serbisë mbi Kosovën. Është gjuha e vjetër e Slobodan Milosheviqit dhe e atyre që ende e ndjekin”, ka deklaruar Gërvalla.
Ajo ka theksuar se Kosova është një demokraci e vërtetë perëndimore në Ballkan, me një mbështetje të jashtëzakonshme ndaj NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara.
“Ne jemi vendi më pro-NATO dhe më pro-SHBA në botë. Rreth 13 mijë njerëz u vranë nga mizoritë serbe të nxitura nga Milosheviqi – dhe presidenti i tij gjatë atij gjenocidi ishte Z. Vuçiq, i cili sot është president i Serbisë”, ka shtuar ajo.
Gërvalla ka paralajmëruar se Serbia vazhdon të paraqesë një kërcënim real për rajonin, përmes propagandës së gjerë shtetërore dhe përgatitjeve të mundshme për agresion.
“Ne shohim çdo ditë makinerinë e pamëshirshme të propagandës në mediat e kontrolluara nga Vuçiq, që helmon shoqërinë serbe dhe përhap urrejtje. Në të gjithë Serbinë mund të shihni murale e grafite që thërrasin ‘kur ushtria kthehet në Kosovë’ – jo ‘nëse’, por ‘kur’. Ata nuk i fshehin qëllimet e tyre”, ka theksuar ajo.
Në fund të fjalës së saj, ministrja ka bërë thirrje për dialog të vërtetë me Serbinë, duke kritikuar sjelljen e presidentit Vuçiq si të bazuar në “mashtrim, tradhti ndaj BE-së dhe luftë hibride ndaj fqinjëve”.
“Ne kemi nevojë për një dialog real, jo për mashtrime. Strategjia e Vuçiqit ndaj BE-së është tradhti, ndërsa ndaj fqinjëve – luftë hibride deri në agresion paramilitar”, ka përfunduar Gërvalla.
21.10.2025 – 16:27
Fillon seanca e KS të OKB-së, diskutohet raporti për Kosovën
Ka nisur mbledhja e Këshillit të Sigurimit për Kosovën. Zëvendëspërfaqësuesi Special i OKB-së në Kosovë, Milbert Dongjoon Shin tha se që nga zgjedhjet nacionale në shkurt, përçarjet mes partive nuk kanë lejuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe formimin e qeverisë, dhe kjo ka qenë pengesa e vetme për funksionimin e institucioneve qendrore.
Ai tutje ka thënë se më 10 tetor me zgjedhjen e nënkryetarit serb të Kuvendit, ky organ është shpallur i konstituuar nga kryetari.
“10 deputetë serbë e kanë kontestuar këtë në Gjykatën Kushtetuese. Në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese ritheksojmë se respektimi i pavarësisë së gjyqësorit mbetet gur-themel i shoqërisë demokratike. Dhe po ashtu shpresojmë që në përputhje me vendimin përfundimtar të Gjykatës përçarjet politike do të të tejkalohen që populli të përfaqësohet e shërbehet nga institucionet e veta”, tha përfaqësuesi i UNMIK-ut.
Ai tutje ka thënë se i kanë mirëpritur takimet e dialogut në qershor e në shtator midis Kosovës e Serbisë në Bruksel.
“I bëjmë thirrje të dyja palëve që të shmangim masa që mund të gërryejnë mirëbesimin dhe inkurajojmë palët që të trajtojnë çështjet e mbetura në mirëbesim”, shtoi ai.
21.10.2025 – 07:01
Këshilli i Sigurimit mblidhet për të diskutuar për Kosovën
Këshilli i Sigurimit do të mblidhet sot për takimin e rregullt informues për situatën në Kosovë.
Zëvendës përfaqësuesi Special dhe Zyrtari i Përgjegjshëm i Misionit të Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë (UNMIK), Milbert Dongjon Shin, pritet të informojë mbi raportin e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm mbi UNMIK-un , i cili iu shpërnda anëtarëve të Këshillit më 10 tetor dhe mbulon zhvillimet nga 16 marsi deri më 15 shtator.
Shin pritet të nxjerrë në pah zhvillimet kryesore politike dhe të sigurisë në Kosovë gjatë periudhës së mbuluar nga raporti i Sekretarit të Përgjithshëm.
Ai mund të vërejë se është bërë pak përparim në zbatimin e marrëveshjeve të lehtësuara nga BE-ja, përfshirë Marrëveshjen e shkurtit 2023 në rrugën drejt normalizimit (e njohur edhe si Marrëveshja e Ohrit), dhe se tensionet midis Serbisë dhe Kosovës kanë vazhduar të vazhdojnë.
Më 9 qershor dhe 11 shtator, Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, lehtësoi dy takime trepalëshe në Bruksel me kryenegociatorët përkatës nga Kosova dhe Serbia, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, mbi zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit dhe Deklaratën e majit 2023 për Personat e Zhdukur.