Përfaqësuesja e Britanisë, Jennifer MacNaughtan, gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i ka bërë thirrje Serbisë që ta dorëzojë kriminelin Milan Radoiçiq, i cili është përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë të Kosovës.
“Llogaridhënia për sulmin në Banjskë dhe për sulmet ndaj KFOR-it është pritur shumë gjatë”, ka thënë MacNaughtan.
Lidhur me këtë, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, deklaron se qëndrimi britanik është i një rëndësie të veçantë.
“Qëndrimi i Mbretërisë së Bashkuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për dorëzimin e Milan Radoiçiqit është një akt politik me peshë të madhe, që synon të theksojë mosndëshkueshmërinë që Serbia po i garanton një personi përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë dhe për veprime të përsëritura kundër integritetit territorial të Kosovës”, thotë Shala.
Sipas tij, kjo është një mesazh i qartë ndaj Serbisë.
“Kjo deklaratë nuk është thjesht një thirrje për drejtësi, por një mesazh i qartë ndaj Beogradit dhe partnerëve ndërkombëtarë se status quo-ja në veri nuk mund të vazhdojë me tolerimin e strukturave kriminale që veprojnë nën mbulesën e politikës serbe”, shprehet Shala, sipas të cilit Serbia nuk do të pranojë ta dorëzojë kriminelin Radoiçiq.
“Serbia, në realitet, nuk ka as vullnet politik dhe as interes strategjik për ta dorëzuar Radoiçiqin. Ai është pjesë organike e sistemit të ndikimit të Beogradit në veri të Kosovës — një strukturë hibride ku ndërthuren politika, biznesi ilegal, krimi i organizuar dhe shërbimet e inteligjencës. Radoiçiq nuk është një aktor i pavarur, por një instrument i drejtpërdrejtë i BIA-së (Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë) dhe i rrjeteve të Ministrisë së Brendshme të Serbisë që operojnë përmes lidhjeve me grupet paraushtarake dhe të ‘vetëmbrojtjes’ në veri”, thekson Shala.
“Për këtë arsye, dorëzimi i tij do të ekspozonte drejtpërdrejt rolin e shtetit serb në sulmin e armatosur të Banjskës dhe në gjithë mekanizmin e destabilizimit që ka për qëllim minimin e sovranitetit të Kosovës. Kjo është arsyeja pse Serbia e mbron dhe e glorifikon Radoiçiqin — jo si individ, por si simbol të ‘rezistencës’ ndaj institucioneve të Kosovës dhe si mjet për të ruajtur kontrollin e terrenit përmes frikës dhe ndikimit ekonomik”, shpjegon Shala.
Më tej, Shala thotë se Serbia, përveç presionit ndërkombëtar, duhet të përballet edhe me sanksione për mosdorëzimin e kriminelit Radoiçiq.
“Në aspektin ndërkombëtar, thirrja britanike është një sinjal që po formohet një front më i ashpër perëndimor ndaj politikës destruktive të Beogradit. Nëse kjo kërkesë shoqërohet me presion real — përfshirë ngrirjen e marrëdhënieve të sigurisë dhe sanksione individuale ndaj Radoiçiqit dhe strukturave që e mbrojnë — atëherë mund të ndryshojë balanca. Por për momentin, Serbia do të vazhdojë ta përdorë Radoiçiqin si ‘figurë të paprekshme’, për aq kohë sa kjo i garanton leverdi politike, kontroll mbi veriun dhe mundësi për destabilizim të koordinuar me Rusinë”, shprehet Shala.
“Në thelb, mosdorëzimi i Radoiçiqit nuk është vetëm çështje juridike — është një vendim strategjik që reflekton konceptin serb të ‘shtetit paralel’ në Kosovë, të ndërtuar përmes krimit, dezinformimit dhe instrumentalizimit të strukturave të dhunshme për qëllime politike”, përfundon eksperti i sigurisë, Drizan Shala.