Më 11 tetor, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u mandatua nga presidentja Vjosa Osmani për formimin e qeverisë. Prej atëherë ka nisur të rrjedhë afati 15-ditor që ai t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e re të qeverisë, ku tani kanë mbetur edhe pesë ditë kohë për formimin e qeverisë së re.
Kurtit i duhen së paku 61 vota në Kuvend për ta siguruar shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë. Lëvizja Vetëvendosje i ka 48 deputetë, dhe Kurti ka përkrahje edhe prej 7 deputetëve të komuniteteve joserbe, si dhe të Nenad Rashiqit.
Tani Kurtit i duhet t’i sigurojë edhe së paku 5 deputetë të tjerë.
Vetë Kurti ka treguar ofertën që ai i kishte bërë Nismës Socialdemokrate për koalicion.
“Po të ishte bërë Albulena Haxhiu kryetare e Kuvendit, Fatmir Limaj ka mujt me u bo nënkryetar i Kuvendit, sepse duhet që kryetari dhe nënkryetari me qenë të gjinive të ndryshme. Paramendoje këtë situatë, ku Albulena Haxhiu bëhej nënkryetare e Kuvendit, Fatmir Limaj bëhej nënkryetar i Kuvendit se i ka pesëfish vota më pak se Albulena, e kish marrë një ministri dhe dy zëvendësministra. Katër pozita të larta me tre deputetë. Kjo është racionale, maksimumi ku mund të shkojmë. Ama, ma jep këtë mua sepse ta kam gjetë ditën, faleminderit”, tha Kurti.
E analisti politik Zejnullah Jakupi, në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar ofertën që kryeministri në detyrë Albin Kurti i ka bërë Nismës Socialdemokrate dhe në veçanti kryetarit të saj, Fatmir Limaj.
Ai e cilëson këtë si një lëvizje inteligjente strategjike, me disa elemente pozitive.
Sipas Jakupit, Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, kanë bërë hapin për të ofruar bashkëpunim konkret me Nismën, çka tregon gatishmëri për zgjidhje dhe për tejkalimin e bllokadës institucionale.
“Oferta duket të jetë e orientuar jo vetëm për qeverisje – që është e rëndësishme – por edhe për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, pra për funksionalizimin e institucioneve. Duke qenë se Nisma ka vetëm pak deputetë, ofrimi për bashkëpunim me ta është një lëvizje pragmatike për Vetëvendosjen – për të arritur shumicën ose për të shmangur krizën institucionale,” shprehet Jakupi.
Megjithatë, Jakupi thekson se kjo lëvizje ka edhe sfida të qarta.
“Nisma ka bërë kërkesa të qarta – si pozicioni i kryeparlamentarit, apo një paketë ligjore me ndryshime si ulja e pragut zgjedhor nga 5 % në 2 % – që nuk janë të thjeshta për t’u realizuar menjëherë,” vlerëson ai.
Ai shton se është e paqartë nëse brenda Vetëvendosjes ekziston dakordësi për të gjitha kërkesat e Nismës, sidomos kur përfaqësues të kësaj partie kanë thënë publikisht se “nuk ka pasur vullnet real” nga ana tjetër.
Sipas analistit, afatet janë të shkurtra dhe presioni është i lartë.
“Nëse marrëveshja nuk arrihet deri në një datë të caktuar, mund të kemi krizë të përshkallëzuar.”
Duke marrë parasysh që jemi afër fundjavës – dhe deklaratën e Kurtit se “këtë fundjavë do të kemi lajmin për marrëveshjen ose mungesën e saj” – Jakupi parasheh tre skenarë të mundshëm.
“Skenari më pozitiv: Marrëveshje kompromisi midis Vetëvendosjes dhe Nismës. Nëse Nisma pranon ofertën dhe Vetëvendosje bën disa lëshime – si një pozicion për Limajn ose ndryshime ligjore gradualisht – atëherë vendi shkon drejt krijimit të qeverisë,” shpjegon ai.
Sipas tij, kjo do të sillte stabilitet institucional dhe mundësi për qeverisje, duke u dhënë politikanëve një “rrugë dalje” nga bllokada.
Skenari i ndërmjetëm: Arritet një marrëveshje parësore, por disa pika mbeten të hapura.
“Afatet mund të shtyhen, negociatat të vazhdojnë, ndërsa publikisht do të thuhet se ‘jemi në drejtim të mirë’,” thotë Jakupi.
Ky skenar, sipas tij, i lejon të dy palët të ruajnë ndërmjetësimin dhe të shmangin rrëzimin direkt, por sërish nuk sjell menjëherë funksionimin e plotë të institucioneve.
Skenari më problematik: Marrëveshja dështon ose Nisma refuzon ofertën.
“Në atë rast, rrezikohet që bllokada të intensifikohet, të ketë lëvizje drejt zgjedhjeve të parakohshme ose institucione që sërish mbeten pa shumicë,” paralajmëron Jakupi.
Kjo, sipas tij, mund të krijojë pasiguri dhe të rrisë pakënaqësinë e qytetarëve, ndërsa për Vetëvendosjen do të ishte rrezik humbje e besimit ose prerësisë politike.
Në përfundim, Jakupi thekson se oferta e Kurtit ndaj Nismës është pozitive nga pikëpamja praktike, pasi synon t’i japë fund bllokadës institucionale.
“Por suksesi i saj varet fort nga gatishmëria reale e të dy palëve për kompromis. Derisa të dielën e presim një vendim ose minimumi një sinjal të fuqishëm nëse do të ketë marrëveshje apo jo. Unë mendoj se ka më shumë gjasa për skenarin e mesëm ose pozitiv – sesa për skenarin problematik – për momentin,” përfundon analisti Zejnullah Jakupi