Gjatë një vizite në Londër, kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, tregoi se ia kishte bërë një ofertë zyrtare kryetarit të Nisma-s, Fatmir Limaj, që është vet i treti në Kuvendin e Kosovës.
Kurti ia ka ofruar Limajt nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës, 1 ministri dhe 2 zëvendësministra për t’u bërë pjesë e Qeverisë Kurti 3.
Deputetja e Nisma-së, Arbëreshë Krasniqi, ka thënë se në parim kanë qenë pro bashkëpunimit dhe ia kanë shtri dorën Kurtit, por duke mos e negociuar të parin e Kuvendit, që do të duhej t’i takonte partisë së Limajt.
“Kjo botërisht dihet që gjithë opinioni e dinë që Fatmir Limaj i ka ofruar mbështetje Kurtit me partneritet brenda Kuvendit të Kosovës që nënkupton Fatmir Limaj kryetar i Kuvendit dhe i gjithë interesimi i NISMA-s ose më mirë të them ajo dora që është zgjatur për bashkëpunim përjashtimisht nga të gjitha subjektet tjera shqiptare në Kuvend z. Limaj i ka ofruar mundësinë e bashkëpunimit edhe janë dakurduar që fillimisht dhe në parim për pozitën e Kryetarit të Kuvendit. E them këtë me qëllim që asnjë pozicion tjetër as nuk ka qenë i rëndësishëm për Nismë-n për z. Limajt e njëkohësisht nuk është serioze dhe nuk do të duhej të shtrohej në tavolinë çështja e ministrive e nënkryetarit apo edhe të zv/minsitrav”, ka thënë ajo.
Deputetja e Nisma-s konsideron se Kurti s’ka interes për bashkëpunim.
“Megjithatë kjo është çështja e z.Kurtit dhe unë mendojë situata të tilla nuk ofrojnë bashkëpunim apo nuk e ofrojnë mënyrën e bashkëpunimit përkundrazi largojnë”, tha ajo.
Krasniqi ka treguar se Nisma mbetet e qartë edhe nuk liron pozitën e Kryetarit të Kuvendit.
“Nisma mbetet në pozicionet e saj të qartë në rast se ka lëvizje të pozicionit për Kryetar të Kuvendit për të cilën Nisma dhe një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës nuk e njohin personalitet të denjë për me drejtuar institucionin ligjvënës në Kosovë siç është Kuvendi i Kosovës , Nisma nuk është e gatshme t’ i jap bashkëpunim deri në këto momente jemi në këtë pozicion”, tha ajo.
E pyetur se a kanë pasur takime kohëve të fundit me Kurtit, Krasniqi është përgjigjur shkurt “Jo”./Periskopi/