“Është montazh”, “mundet me qenë moti ajo”, Xhafer Gashi dhe vëllai i tij me versione të ndryshme për takimin me njeriun e Listës Serbe

Edhe komuna e Obiliqit ka shkuar në balotazh. Xhafer Gashi i LDK-së do të ballafaqohet me Halil Thaçin e Vetëvendosjes në garën e dytë për këtë komunë.

Sipas rezultateve të KQZ-së, Xhafer Gashi i LDK-së ka marrë 5,613 vota, kurse Halil Thaçi nga VV-ja ka marrë 5,257 vota.

Ndërkohë partia që doli e treta në listë është Lista Serbe me Goran Dancetovic.

Para dy dite, gazeta Papirus publikoi një foto ku shiheshin në takim Enver Gashi, vëllai i kandidatit për kryetar të Komunës së Obiliqit Xhafer Gashi, inspektori i komunës Hajrullah Preniqi, si dhe përfaqësuesi i Listës Serbe Ivan Vuksanoviç.

Sipas raportimit të kësaj gazete takimi ishte zhvilluar në një ambient të qetë, ku ishte diskutuar për sigurimin e votave në balotazhin e ardhshëm.

E Gazeta ka kontaktuar Xhafer Gashin e LDK’së dhe vëllaun e tij Enver Gashin.

Kandidati për kryetar të Obiliqit, Xhafer Gashi ka mohuar për një takim të tillë tani, sipas tij fotoja është e viteve të kaluara.

“Ajo foto mundet me qenë vite e mahershme, e montuar”, tha shkurt Xhafer Gashi, duke mohuar se takimi ka ndodhur këto ditë balotazhi.

Nga ana tjetër, vëllai i Xhaferit, Enver Gashi, i cili edhe shihet në foton e takimit, dha një version pak më ndryshe.

Ai mohoi se takimi të ketë ndodhur edhe në të kaluarën. Sipas tij fotoja është krejtësisht montazh, dhe nuk është takuar e biseduar kurrë me Listën Serbe.

“Nuk jena taku as takim, as telefonat as hiç, ajo foto është montazh, nuk ka ndodh as në të kaluarën as hiç”, tha Enver Gashi.

Raportimet për këtë takim, kanë ngjallur reagimet e partive tjera. Sami Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosje në Obiliq e ka quajtur tradhti ndaj qytetit.

“Qytetarët e Obiliqit duhet ta dinë: kryetari po bashkëpunon me Listën Serbe dhe me njerëz të dyshimtë për të fituar balotazhin. Kjo nuk është politikë – është tradhti ndaj qytetit!”, ka shkruar Ahmeti.

Gazeta para një jave, poashtu ka raportuar pretendimet që ishin hedhur se në disa vendvotime të komunës së Obiliqit ka pasur keqpërdorim të votës.

Kryetari i LDK-së, Xhafer Gashi ka dalë fitues në shkollën “Sveti Sava”, ku ka arritur 53,04% ose 498 vota. Pasues ka qenë kandidati i Listës Serbe me 33%.

Sipas analistit Xhevdet Pozharit kjo shkollë është me shumicë serbe votues.

“A din ndokush nga Obiliqi të ma shpjegojë se si është i mundur ky rezultat – një shqiptar në një vendvotim me shumicë serbe të jetë më i pëlqyer sesa kandidati i Listës Serbe?!”, ka qenë pyetja e Poazharit.

Ndërkohë, më 9 nëntor qytetarët pritet t’i drejtohen sërish kutive të votimit për të vendosur përfundimisht për kryetarin e ardhshëm të Obiliqit.