Buzhala kundër çdo koalicioni PDK-VV: Ftesë publike për Tribunalin Special që Thaçi dhe Veseli të dënohen rëndë

Gazetari Berat Buzhala ka reaguar ashpër ndaj çdo ideje për një bashkëpunim të mundshëm ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (VV), qoftë edhe në nivel lokal.

Në një postim në Facebook, Buzhala ka thënë se një koalicion i tillë, qoftë edhe në ndonjë fshat, do të ishte një “ftesë publike për Tribunalin Special që Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli të dënohen rëndë”, madje duke përmendur edhe një afat prej 25 vitesh burgim.

“Çdokush në PDK që e mendon një mundësi të tillë, qoftë edhe teorikisht, është njeriu më i poshtër në politikën e Kosovës”, shkruan ai.

Sipas tij, bashkëpunimi me kryeministrin Albin Kurti përbën një nënshtrim dhe një nënçmim të votuesve të PDK-së, si dhe një “tradhti bizantine” ndaj ish-krerëve të UÇK-së që aktualisht po përballen me drejtësinë në Hagë.