Pse s’u përjashtua Xhafer Tahiri nga LDK-ja? Flet Gazmend Muhaxheri: Duhet me e çu ne Komision Disiplinor

Nënkryetari i LDK’së, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se është befasuar shumë me vendimin e Xhafer Tahirit për të nënshkruar koalicion me Sylejman Mehollin e VV-së për balotazhin e 9 nëntorit në komunën e Vushtrrisë.

Sipas Muhaxherit, nuk është normale kjo nguti.

I pyetur se pse nuk është përjashtuar deri tani Tahiri, Muhaxheri ka thënë se ky vendim merret në Komisionin Disiplinor.

“Sepse duhet me çu në Komision Disiplinor, e Komisioni Disiplinor masnej me i marr masat”, duke sqaruar se vendimin për ta çuar në Komision e merr Kryetari i LDK’së ose Kryesia.

Ai tha se është hera e parë që ndodh një koalicion pa autorizimin e qendrës.

“Qendra zakonisht nuk i përzihet shumë degëve mirëpo kërkon diskutim paraprak edhe aprovim prej Kryesisë dhe organeve tjera. Edhe pse kanë ndodh në të kalumen koalicione të papërshtatshme, por pa aprovim të qendrës s’ka ndodhë kurrë….Po, shumë jam i befasum. Nuk është normale kjo nguti e Xhaferit me ba koalicion”, tha Muhaxheri.

Muhaxheri tha se Kryesia duhet të mblidhet ditët në vijim e të marrë vendim.

“Me statut të partisë, duhet me u çu në Komision Disiplinor. Për me dasht me shkarku dikënd, duhet me çu në Komision. Nuk e kemi në statut….Kryesia duhet me u mbledh në ditët në vijim. Sot jemi kanë veç kryetarët që jemi në balotazh me Kryetarin”, tha Muhaxheri.