Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në partinë e tij, ku Xhafer Tahiri, pa miratimin e partisë lidhi koalicion në Vushtrri me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Jemi të vetëdijshëm që kemi kundërshtarë. Që fërkojnë duart e aktivizohen me helm edhe për ngjarjet më periferike tonat. Për suksese natyrisht se nuk kanë asnjë fjalë. Por LDK nuk bjen në detin e madh të parëndësisë së tyre; prandaj kërkojmë mirëkuptim nga mbështetësit tanë se pse nuk reagojmë për çdo helm që kanë”, shkruan Abdixhiku.
Shton se për “punët brenda shtëpisë”, do të ketë rend, porse sipas tij, fokusi është te gara e balotazhit.
“Për punët brenda shtëpisë sonë, do të ketë rend. Me kohë gjithçka. Kemi punë shumë më të mençura tani. Jemi në garë; aty na duhet secili angazhim i njerëzve të mrekullueshëm tanë”, shkroi kreu i LDK-së të hënën.
“Për helmin e madh ndaj Lidhjes, ndërsa, kundërshtarëve do t’iu bjerë të presin gjatë. Lidhja është e fortë. Po rritet. Veç me besim e bindje; me anëtarësinë e popullin pas; dhe mbi të gjitha pa interesa e pa kalkulime. Kjo është pasuria më e madhe e jona”, përfundon reagimin e tij, Abdixhiku.