Kryetari i Lidhjes Demorkatike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka mbledhur kandidatët për kryetar që garojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve locale, raporton Periskopi.
Ai në një postim në Facebook, tha se gjithë energjia dhe veprimtaria e LDK-së në ditët në vijim do të përqendrohet vetëm në garat ku partia është pjesëmarrëse.
Teksa shkroi për garimin në komuna, ai komentoi edhe koalicionin e arritur në Vushtrri mes Xhafer Tahirit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, i cili e quan cështje “perferike” që sipas tij do të trajtohet pas 9 nëntorit.
Ndryshe, kandidati i LDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri nënshkroi sot koalicion me kandidatin e LVV-së për kryetar në këtë komunë, Sylejman Meholli për ta përkrahur këtë të fundit në balotazh kundër kandidatit të PDK-së.
Nënshkrimi i marrëveshjes për këtë koalicion u bë edhe në praninë e kryetarit të LVV-së, Albin Kurti.
Postimi i plotë:
U mblodhëm sot, të gjithë bashkë, kandidatët e LDK-së që garojnë në raundin e dytë; raundin final, si parapërgatitje për 9 nëntorin.
Çdo energji, çdo fokus, çdo aktivitet i LDK-së në këto ditë do të drejtohet vetëm për LDK-në. Do të drejtohet drejt garave tona; aty ku prijmë, aty ku garojmë, aty ku qytetarët tanë e presin fitoren e LDK-së.
Dhe janë plot 9 komuna ku LDK sot garon; me 2 të fituara tashmë.
Këtu mbetet puna jonë. Kështu projektohet LDK-ja jonë. Për veten, për kandidatët tanë e fitoret tona. Çështjet tjera periferike, ato të pas humbjeve e protagonizmave kohë-humbëse, do të trajtohen menjëherë pas 9 nëntorit; dhe atë qartë e drejtë.
Tani le të fitojmë. Në Prishtinë, Pejë, Fushë Kosovë, Gjilan, Viti, Obiliq, Junik, Dragash, Suharekë.
Ju faleminderit, po ashtu të 180 mijë votuesve, përfshirë dhe ata në mërgatë, që po e vulosin LDK-në si parti të parë në këto zgjedhje lokale.