Zgjedhjet në Mitrovicë: Kush ‘fsheh dorën’ pas kutive të votimit?

Ditë më parë, Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci, se do të dorëzojë kallëzim penal për një grup personash dhe individë të mediave.

Sipas Pecit, ata kanë ndikuar në mënyrë procesin zgjedhor në Mitrovicën e Jugut.

“Pas analizës së thellë të procesit zgjedhor në Mitrovicën e Jugut dhe shqyrtimit të dëshmive e argumenteve të manipulimeve dhe ndikimit të palejueshëm e kriminal në votën e qytetarëve, njoftojmë opinionin se do të dorëzojmë kallëzim penal ndaj personave të mëposhtëm:

Baton Haxhiu, Berat Buzhala, Lirim Mehmetaj, Visar Imeri, Ilir Mirena, Valon Syla, Ermal Panduri, Valon Feka, Shkumbin Kajtazi dhe të tjerë për dyshimin e bazuar të Cenimit të Përcaktimit të Lirë të Votuesve, të sanksionuar me nenin 210 dhe të Falsifikimit të Rezultateve të Votimit sipas nenit 216 të Kodit Penal të Kosovës.

Ndërkohë që institucioneve të drejtësisë iu bëjmë thirrje për trajtim urgjent, të drejtë dhe meritor të këtyre krimeve, gjatë ditëve në vijim do të paraqesim edhe fakte, argumente e dëshmi të tjera, të bazuara në deklarimet e qytetarëve dhe entiteteve të tjera

Gjatë fushatës zgjedhore, e veçanërisht gjatë ditës së zgjedhjeve, pa pritur, ashtu siç e përcakton Ligji për Zgjedhjet, të përfundojë procesi zgjedhor, disa “”medie“ dhe individë të lidhur me grupe të jashtëligjshme interesi, gjatë tërë ditës kanë ndërmarrë veprime të sinkronizuara – përmes shpifjeve, linçimeve, akuzave të rreme, numrave të manipuluar e duke kulmuar me publikimin e të ashtuquajturve “exit poll” të paligjshëm, që shumë shpejt u dëshmua që jo vetëm që nuk e pasqyrojnë aspak vullnetin real të votuesve në Mitrovicë, por madje qëndrojnë shumë larg. Qëllimi i vetëm i këtyre veprimeve ishte krijimi i konfuzionit, duke tentuar të ndikojnë dhe devijojnë jashtëligjshëm vullnetin e qytetarëve në Mitrovicë dhe të ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve”, ka shkruar Peci në Facebook.

Njohësit e çështjeve politike i kanë komentuar këto zhvillime, për të cilat thonë se kjo padi e Pecit ka krijuar një kthesë të rëndësishme në garën zgjedhore në Mitrovicën e Jugut.

Gjithashtu, ata kanë kërkuar institucionet e drejtësisë për trajtim urgjent të këtij rasti.

Qarri: Vota e manipuluar mund të përcaktojë kryetarin e Mitrovicës për 4 vitet e ardhshme

Në një prononcim për “Bota sot”, analisti politik, Gani Qarri ka treguar se çfarë ka ndodhur gjatë ditës që u mbajtën zgjedhjet lokale në vend.

Ai ka potencuar se ka pasur veprime nga të cilat synonin të manipulojnë rezultatin zgjedhor dhe të krijojnë huti tek votuesit.

ImageGani QarriFoto galeri
“Akti i turpshëm nga medie të caktuara dhe individë të njohur të lidhur me grupe të kundërligjshme interesi, duke mos respektuar përcaktimin ligjor, të paraparë për procesin e Zgjedhjeve dhe ndërmarrë parakohshëm, veprime të sinkronizuara me akuza të rreme, shpifje e linçime, pikërisht në ditën e zgjedhjeve komunale duke bërë edhe publikimin e numrave të rremë në mënyrë të kundërligjshme, ende pa përfunduar procesi zgjedhor, i cili kulmoi me publikimin e të ashtuquajturve “exit poll” të paligjshëm, ku u dëshmuan, se jo vetëm nuk e pasqyronin vullnetin real të votuesve në Mitrovicë, por qëllimi primar i tyre ishte të shkaktonin huti dhe krijonin konfuzion për devijimin e vullnetit të qytetarëve mitrovicas dhe manipulimin e rezultatit real të votime me veprime të kundërligjshme, detyruan kandidatin për kryetar të Mitrovicës nga lista “Guxo” z. Faton Peci që të ngritë kallëzim penal kundër këtij grupi manipulues në Prokurori.

Një akt mjaft i çuditshëm i cili ndodhi pikërisht më 12 tetor dhe mu në ditën e zgjedhjeve komunale në mbarë vendin, me ç`rast disa media dhe individë, si me porosi, të lidhur me grupe të jashtëligjshme interesi ndërmorën veprime të orkestruara, duke akuzuar publikisht persona të caktuar dhe shpërndarë në mënyrë të kundërligjshme shpifje e madje edhe publikuar rezultate të porositura, që siç u pa në mënyrë publike, ishin të sajuara dhe nuk reflektonin vullnetin real të qytetarëve, por kishin për qëllim krijimin e hutisë tek votuesit si dhe fabrikimin e rezultatit artificial zgjedhor, me preferencë për (kundër) kandidatin për kryetar të Mitrovicës”, ka shpjeguar ai.

Qarri ka theksuar se pas publikimeve të dyshimta të “exit-poll”-eve, kandidati i Listës Guxo për kryetar të Mitrovicës, Peci, ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurori.

“Andaj pas publikimeve të çuditshme të të ashtuquajturave “exit-polle” kandidati i Listës Guxo, për kryetar të Mitrovicës, z. Faton Peci, ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë e Shtetit duke u bërë thirrje publike institucioneve të drejtësisë për trajtim urgjent, të drejtë e meritor të këtyre krimeve dhe manipulimeve mediale të grupit të përfolur, si dhe inskenuesve të këtyre insinuatave të kundërligjshme; Baton Haxhiut, Berat Buzhalës,Ilir Mirenës, Lirim Mehmetajt, Ermal Pandurit,Visar Imerit, Valon Sylës, Shkumbin Kajtazit,Valon Fekës e të tjerë, për falsifikim të rezultateve të votimit, akt i cili bie ndesh me nenin 216 të Kodit Penal si dhe cenim të përcaktimit të lirë të votuesve që po ashtu, është në kundërshtim të hapur me nenin 210 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Grup i cili bazuar në argumente e dëshmi autentike, të shoqëruara edhe në deklarimet e qytetarëve, me veprimet e tyre të paautorizuara kanë ndikuar në mënyrë të kundërligjshme edhe në procesin zgjedhor të Mitrovicës së Jugut”, ka shtuar Qarri.

Megjithatë, ai ka shprehur skepticizëm për suksesin e kallëzimit të Pecit.

“Sipas padisë së z. Pecit gjatë ditës së zgjedhjeve, nga personat e cekur, përmes shpifjeve, linçimeve mediatike dhe publikimit të “exit poll-eve” të pavërteta, janë ndërmarrë veprime të sinkronizuara dhe të kundërligjshme, të cilat nuk paraqisnin fare të vërtetën e votës reale në Mitrovicë, por duke pasur parasysh se deri më tani, të gjitha ankesat dhe kallëzimet penale të LVV-së kundër veprimeve kundërligjore e kundërkushtetuese të të ashtuquajturës “listë serbe” dhe ndonjë partie rivale shqiptare, janë kthyer mbrapsht nga gjykatat, nuk besojë shumë se z. Peci do të ketë suksese në kallëzimin e paraqitur penal kundër këtij grupi.

Sidoqoftë kallëzimi i z. Faton Peci duket të jetë i bazuar në një analizë të thelluar të të gjithë procesit zgjedhor, i konsultuar edhe me dëshmi okulare dhe argumente autentike për ndikim të palejueshëm e kriminal të grupit manipulues në votën e qytetarëve, andaj pas ngritjes së padisë së z. Faton Peci, në shtetet me rend e ligj të konsoliduar është e udhës ti “besohet” drejtësisë dhe të pritet, deri në momentin e marrjes së vendimit, në mënyrë që të shihet nëse vërtetë do të ketë efekt politik, kallëzimi i tij penal, por që në Kosovë, po të jetë vendim i ndërmjetëm, apo le të themi edhe vendim pozitiv, me siguri do të nxirret me vonesë dhe vetëm pasi të mbarojë loja e garimit, kur, paraprakisht të vendoset kush ku, nga 17 komuna që kanë shkuar në balotazh, do të zgjidhet të udhëheqë dhe qeverisë qytetin e minatorëve, dhe e qytetet tjera të mëdha, në 4 vitet e ardhshme”, ka vlerësuar ai.

Sipas tij, pritet një garë e ashpër në balotazh, ku vota e manipuluar mund të përcaktojë rezultatin final dhe kush do të jetë kryetari i qytetit për katër vitet e ardhshme.

“Kështu që kallëzimi penal i z, Faton Peci, për manipulime në zgjedhjet e Mitrovicës së Jugut, mund të ndikojë dhe mënjanoi implikimet manipuluese në procesin e balotazhit vetëm nëse merr përgjigje pozitive, ndryshe sipas zhvillimeve të fundit, pritet të kemi një garë të ashpër për Mitrovicën, ku vota e manipuluar mund ta vendosë rezultatin final dhe të përcaktojë se kush do të jetë kryetari i qytetit të minatorëve, 4 vitet e ardhshme”, ka deklaruar Qarri.

Mehmeti: Kallëzimi penal i Faton Pecit ka tronditur skenën politike

Kurse analisti politik, Faton Mehmeti, ka deklaruar se kallëzimi penal i Faton Pecit ka shënuar një kthesë në garën zgjedhore dhe se, ky veprim nuk është vetëm juridik, por edhe një mesazh i qartë politik.

ImageFaton MehmetiFoto galeri
“Kallëzimi penal i Faton Pecit ndaj atyre që ai i akuzon për ndërhyrje të paligjshme në procesin zgjedhor të Mitrovicës së Jugut, ka tronditur skenën politike dhe ka hapur një kapitull të ri në garën më të nxehtë të këtij cikli zgjedhor. Ky veprim nuk është vetëm një akt juridik është një mesazh politik i qartë se Vetëvendosje nuk do të heshtë përballë manipulimeve”, ka thënë ai.

Krahas kësaj, Mehmeti ka thënë se përmes kësaj lëvizjeje, Faton Peci e ka shndërruar Mitrovicën në simbol të përballjes mes politikës së vjetër dhe asaj që synon drejtësi e barazi zgjedhore.

“Me këtë lëvizje, Peci e ka kthyer Mitrovicën në simbol të përballjes mes “politikës së vjetër” që ende vepron në hije, dhe asaj që pretendon të sjellë drejtësi e barazi në procesin elektoral. Akuzat për ndërhyrje e presione prapa kutive të votimit e bëjnë këtë garë më shumë se lokale e kthejnë në test të ndershmërisë së vetë sistemit politik”, ka potencuar ai.

Sipas Mehmetit, kallëzimi penal ka hedhur hije dyshimi mbi gjithë procesin zgjedhor, duke e vështirësuar pozitën e kandidatit të PDK-së, Arian Tahiri.

“Nga ana tjetër, kandidati i PDK-së, Arian Tahiri, do të përpiqet të shmangë goditjet e opinionit publik, por kallëzimi penal tashmë ka lënë hije dyshimi mbi gjithë procesin. Kjo do të ndezë edhe më shumë emocionet e votuesve në balotazh, ku çdo votë do të ketë peshë vendimtare. Mitrovica po bëhet arenë e përplasjes mes dy botëve politike asaj që mbron status quo-në dhe asaj që kërkon ta shembë atë. Kjo nuk është më vetëm garë për një komunë, por betejë për besueshmërinë e demokracisë në Kosovë”, ka përfunduar Mehmeti.