Juristi Xhevdet Smakiqi ka thënë se hyrja e Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri të shtetit të enjten ka pasur tendencë për të ndihmuar Faton Pecin e Lëvizjes Vetëvendosjes në balotazh për kryetar ë Mitrovicës.
Gjatë ditës, një konvoj i FSK-së hyri në veri. E nga FSK-ja u tha se hyrja ka ndodhur gabimisht. Dislokimi i FSK-së në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s. Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së, përcjell Periskopi.
Por sipas Smakiqit, FSK-ja është instrumentalizuar nga Qeveria.
“Gabime dhe moskujdes nuk mund të ketë në ushtri. Ne kemi një marrëveshje dhe zotim që Kosova nuk e lëviz forcën pa dakordim me KFOR-in dhe NATO-n. E shoh si pjesë të instrumentalizimit siç e ka bërë me Policinë, sepse kemi pasur reagime të Ambasadës amerikane kur e kanë quajtur se po e instrumentalizoni policinë për tensione në veri… Shtete të QUINT-it kanë reaguar vazhdimisht se po ngrit tensione. Dhe këtë e shoh si tendencë që t’i blejë votat për balotazh për Faton Pecin, se kinse jemi aq të fortë sa që e çojmë FSK-në në veri pa e pyetur askënd sepse ky thirret në sovranitet”, ka thënë Smakiqi në “Konfront” të KTV-së.