Qeveri Kurti 3 apo zgjedhje të jashtëzakonshme? Këta janë skenarët në horizont

Pas disa muajve bllokadë, Kuvendi më në fund është konsistuar dhe janë hapur rrugët për formimin e qeverisë së re.

Tani, partia fituese e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka në duar formimin e institucioneve të reja të vendit.

E së fundi, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka nënshkruar Dekretin, me të cilin mandaton Albin Kurtin për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në njoftimin për media thuhet se ky vendim është marrë pas propozimit zyrtar të partisë Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka fituar numrin më të madh të ulëseve në Kuvend nga rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura me 9 shkurt të këtij viti.

“Sipas Kushtetutës, mandatari për formimin e Qeverisë, z. Kurti, është i obliguar që jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë nga dita e dekretimit, t’i paraqesë Kuvendit të Republikës së Kosovës përbërjen dhe programin e Qeverisë për miratim. Presidentja i ka uruar suksese Kurtit, kryeministër në detyrë, me shpresën që Republika e Kosovës sa më parë të ketë Qeveri me mandat të plotë kushtetues”, thuhet në njoftim.

Tani të gjithë ‘sytë’ janë tek LVV dhe Kurti për formimin e qeverisë së re, ndonëse partia në fjalë ende nuk ka ndonjë koalicion për bashkëqeverisjes me ndonjërën nga partitë politike.

Ndonëse, LDK e votoi Nenad Rashiqin për nënkryetar serb, nuk dihet nëse do ndryshojë qëndrim dhe do pranojë një koalicion me LVV.

E në lidhje me skenarët për formimin e qeverisë së re, folën njohësit e çështjeve politike.

Preqi: Konstituimi i Kuvendi i hap rrugë formimit të qeverisë, apo zgjedhje të reja

Fillimisht, për këtë temë, për “Bota sot” foli opinionisti Dedë Preqi, derisa mirëpriti zhbllokimin dhe konsitutimin e Kuvendit.

Ai tha se tash janë hapur rrugët për qeveri dhe institucione të reja.

“Pas një pauze disa ditëshe, të cilën e rekomandoi Gjykata Kushtetuese, për shkak të ankesës së Listës serbe, e cila ankohet për zgjedhjen e një nga anëtarët e saj për nënkryetar të Kuvendit.

Dhe Gjykata Kushtetuese, pas trajtimit të kësaj ankese urdhëron të shkohet edhe një herë në votim nga kjo Listë, duke provuar edhe një herë, kështu që edhe këtu emërtimi i përzgjedhur i kandidatëve të kësaj Liste, nuk e merr votën e deputetëve.

Një opsion tjetër ishte edhe propozimi i kandidatit tjetër serb i partisë për Liri dhe Drejtësi, Nenad Rashiq, që ka qenë gjithherë i angazhuar në qeverinë e Kosovës, i cili përmes votimit të deputetëve i merr 73 vota, duke e plotësuar normën dhe vendin e minoritetit serb për tu zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.

Dhe pas zgjedhjes së anëtarit nga minoriteti serb për nënkryetar të Kuvendit, kryetari i Kuvendit z.Dimal Basha, e shpalli Kuvendin të konstituuar dhe për të vazhduar më tutje në bazë të rregullores, e cila përcakton detyrat e së ardhmes”, deklaroi ai.

ImageDedë PreqiFoto galeri
Preqi përmendi afatin prej 15 ditësh që ka mandatari për formim të qeverisë, derisa tha se LVV e ka shprehur që nuk ka vija të kuqe, me përjashtim të PDK-së dhe Listës Serbe.

“Presidentja e Kosovës, z.Vjosa Osmani, me rastin e konstituimit të Kuvendit, e mandaton partinë më të madhe LVV, e cila ishte fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit të këtij viti në krye me Albin Kurtin, për formimin e Qeverisë së re, duke i uruar sukses dhe me shpresën se Kosova, së shpejti do të bëhët me qeveri të plotë kushtetuese.

Dhe sipas Kushtetutës së Kosovës, mandatari për formimin e qeverisë sikur që është tani z.Albin Kurti, është i obliguar që jo më vonë se 15 ditë, që nga dita e dekretimit t’i paraqesë Kuvendit të Republikës së Kosovës, përbërjen dhe programin për miratim.

Mirëpo, vjen pyetja, a do të arrijë LVV, të bëjë votat për formimin e qeverisë KURTI 3?

LVV dhe kryetari i saj Albin Kurti, nuk e ka fshehur asnjëherë se, nuk ka vija të kuqe me asnjërin, por për shkak të sjelljes së Listës serbe si dorë e zgjatur e Vuçiqit, mund të bëjë përjashtime, e cila nuk duhet të bëhet pjesë e përllogaritjeve të asnjërës nga partitë politike shqiptare për një kualicion të mundshëm”, shtjelloi ai.

Më tej, opinionisti theksoi faktin se asnjëra parti nuk mund ta formojë e vetme qeverinë, ndonëse LVV është e gatshme për bisedime me partitë shqiptare.

Megjithatë, ai ka dyshim se opozita mund të bashkëpunojë me Kurtin, pasi sipas tij ajo herë e kritikon e herë e përdor për qëllime të caktuara LVV-në.

“Kuptohet se asnjëra parti politike në këto zgjedhje nuk i ka numrat e mjaftueshëm për të formuar qeverinë e re si e vetme, edhe pse LVV, ka ulëse më së shumti në Kuvend, e ka të vështirë formimin e qeverisë së re si e vetme, por nuk mund të themi se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë.

Prandaj, të gjitha pritjet politike janë të fokusuara në formimin e qeverisë së re, apo LVV, është ajo që është dëshmuar deri më tani si forca e mundshme për formimin e qeverisë së re Kurti 3, e cila do të dëshironte të gjejë kompromise të reja, por është aq shumë e rrethuar përmes kritikave opozitare, të cilën herë e bëjnë pjesë të organizatave armiqësore, e herë e përdorin për qëllime të caktuara”.

Ndër të tjera, ai shtoi se edhe nëse LVV nuk arrin ta formojë qeverinë, opozita edhe më pak ka gjasa ta bëj një gjë të tillë.

“Ndonëse LVV, mundet edhe të dështojë në formimin e qeverisë së re si partia fituese e zgjedhjeve të fundit, ish-opozita PDK, LDK, dhe AAK, e kanë humbur hapin e tyre të opozitë dhe e të bërit të një platforme të përbashkët, që do të rrezultonte me formimin e qeverisë së re, sepse egot e tyre janë më të mëdha se interesi i shtetit dhe popullit”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.

Haziri: Votimi i LDK-së për Rashiqin ishte vetëm kalkulim i LDK-së

Kurse, analisti tjetër politik, Nexhat Haziri u shpreh se duke parë situatën politike, LVV vështirë se do arrijë ta formojë qeverinë e re.

Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se duke parë raportet që kanë partitë politike shqiptare mes vete, më e mundshme është shkuara në zgjedhje të parakohshme.

“Mandatimi i z. Kurti për kryeministër të Kosovës nga ana e presidentes Osmani, është proces normal pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Por, ajo që dihet tashmë është se z. Kurti nuk i ka numrat për ta formuar qeverinë dhe i duhet të kërkojë mbështetje nga subjektete tjera politike, e që në bazë të raporteve ndërmjet partive parlamentare shqiptare, duket një mision i vështirë që të kemi qeveri Kurti 3, dhe më shumë janë gjasat që vendi të shkoj në zgjedhje të parakohshme parlamentare”, theksoi ai.

ImageNexhat HaziriFoto galeri
Krahas kësaj, analisti nuk beson se LDK është e gatshme për një koalicion me LVV-në, ndonëse e ka votuar Rashiqin për nënkryetar serb.

Ai këtë e tha bazuar në qëndrimet e kryesisë së LDK-së, e që sipas tij kjo bën që shumë shpejt mund të kemi zgjedhje të reja, diku në muajin dhjetor.

“Unë nuk besoj se votimi i Rashiqit për nënkryetar të pestë të kuvendit nga ana e LDK-së është sinjal që kjo parti do të mund të pranonte një koalicion me Albin Kurtin për ta formuar qeverinë e re të Kosovës. Votimi i LDK-së për Rashiqin ishte vetëm kalkulim i LDK-së që z. Kurti ta fus në procesin e rrjedhjes së afateve për të formuar qeverinë e re, që në bazë të mungesës së numrave, ai del i dështuar në këtë drejtim. Dhe kështu që në zgjedhjet të futet si një njëri që edhe më 42 % të votave ka dështuar të formojë qeveri. Kështu që unë nuk shohë ndonjë kalkulim që do ta nxjerr qeverinë Kurti 3, dhe si të vetmen zgjidhje e shohë të jenë zgjedhjet e parakohshme parlamentare diku në muajin dhjetor”, përmbylli Nexhat Haziri.