Bytyçi parashikon një koalicion VV–LDK, në lojë edhe Vjosa Osmani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka mandatuar liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, për krijimin e qeverisë së re të Kosovës.

Me këtë mandatim, Kurti do të tentojë të krijojë qeverinë numër 3 të tij. Qeveria nr. 1 pati jetë të shkurtër, vetëm 1 vit.

Pastaj erdhën zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 dhe Vetëvendosja qeverisi e vetme për katër vite.

Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 nuk e nxorën Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin si fitues, por duke mos arritur që të sigurojë numrin e nevojshëm që të qeverisë i vetëm, për çka i duhen 61 vota.

E lidhur me mandatimin e Kurtit dhe krijimin e qeverisë së re, për “Bota sot” ka folur profesori Enver Bytyçi.

“Kurti si kryeministër shënoi një sukses spektakolar në drejtimin e institucioneve të ekzekutivit për shtrirjen e sovranitetit në veri të Kosovës. Por me mandatet e fituara ai nuk mund ta krijojë i vetëm ose bashkë me deputetët e minoriteteve jo serbe qeverinë. Zgjedhja e Nenad Rashid i hapi rrugë krijimit të qeverisë. Kjo qeveri që duhet të krijohet ka nevojë për koalicion. Sovrani nuk e votoi zotin Kurti me votë absolute, por e kushtëzoi atë të bëjë kompromise me një nga partitë e ish-opozitës. Ndër këto parti politike, Vetëvendosja ka përjashtuar një koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës. Nuk besoj se kjo ka ndodhur për shkak të ndonjë konflikti politik të skajshëm midis Kurtit dhe Krasniqit, por për shkak të trashëgimisë negative të PDK-së në qeverisjet para Kurtit”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, gjasat janë më të mëdha që të ketë një koalicion Vetëvendosje–LDK.

“Po të kemi parasysh këtë fakt, atëherë duhet besuar se Vetëvendosja ka më shumë respekt për trashëgiminë e Lidhjes Demokratike të Kosovës në qeverisjen e vendit. Për këtë arsye edhe publiku, përkatësisht anëtarësia e VV-së dhe e LDK-së, kanë një qasje pozitive për koalicion të ri në qeverisjen e përbashkët të të dy partive politike. Ndërkohë, në Lidhjen Demokratike ka jo pak deputetë dhe anëtarë të saj që simpatizojnë presidenten e vendit, Vjosa Osmani. Është kjo kategori votuesish që në vitin 2021 i dha Vjosa Osmanit thesin më të madh të votave. Dhe natyrisht që emri i saj ruhet me respekt”, shprehet profesori Bytyçi.

Po ç’lidhje ka reputacioni i presidentes Osmani me koalicionin midis Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike?!

“Ka një lidhje logjike kjo. Zonja Osmani ka nevojë për votat e Lidhjes Demokratike për rizgjedhjen e saj në postin e presidentes. Ndërkohë faktori ndërkombëtar, aleatët e Kosovës, janë shumë të interesuar që ajo të vazhdojë misionin e saj edhe në mandatin e ardhshëm. Që do të thotë se këta aleatë duhet t’ia kenë dhënë një shenjë Lumir Abdixhikut që ai t’i bashkojë votat me Vetëvendosjen për krijimin e qeverisë së re dhe më pastaj të zgjidhet sërish Vjosa Osmani si presidente. Aleatët e Kosovës, edhe pse kanë pasur fërkime dhe moskoordinim, siç thonë ata, me qeverinë Kurti, sërish janë pro krijimit të qeverisë nga ana e Vetëvendosjes me kryeministër Albin Kurtin”, nënvizon Bytyçi.

“Kjo ka disa arsye. E para, duket sikur europianët dhe amerikanët janë përplasur me zotin Kurti për disa veprime të këtij të fundit për të shtrirë sovranitetin e Kosovës në veri. Por mua më rezulton se ata janë njëkohësisht falënderues ndaj Albin Kurtit, sepse gjithçka rezultoi në dobi të konstitucionit shtetëror të Kosovës. Tani që Vuçiq është në zgrip, aleatët e Kosovës e kanë më të lehtë të ruajnë tërësinë territoriale të Kosovës. Dhe kjo është një telash më pak për ta. E dyta, sepse nëse Vetëvendosja del në opozitë, atëherë asnjë qeveri nuk do të kishte kredibilitet të zbatonte vullnetin e ndërkombëtarëve në Kosovë. Më mirë një kryeministër që di të thotë ‘jo’ e të bëjë veprime që forcojnë pozitën e shtetit të Kosovës, sesa një kryeministër që do të thoshte ‘po’, por pa fuqi për të vepruar”, shpjegon Bytyçi.

Më tej, ai thotë se vetëm një koalicion VV–LDK krijon stabilitet të institucioneve të shtetit të Kosovës.

“Nisur nga këto arsyetime, mendoj se një koalicion midis Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës do të jetë i realizueshëm e madje produktiv. Vetëm një koalicion i tillë krijon stabilitet të institucioneve të shtetit të Kosovës. LDK ka gjithsej 22 deputetë, Vetëvendosja 47, plus deputetët e pakicave jo serbe dhe Nenad Rashid, atëherë do të kishte shumë mundësi që mazhoranca qeverisëse të siguronte 2/3 e parlamentit. Do të duhen vetëm 3–4 deputetë të tjerë nga radhët e pakicës serbe, që të bëheshin gjithashtu ndryshime konstruktive kushtetuese. Nëse Vuçiq bie nga pushteti – dhe kjo do të ndodhë – atëherë nuk është vështirë që tre deputetë të Listës Srpska, sigurisht nga ata që janë më racionalë dhe me logjikë, të votonin ndryshime kushtetuese në funksion të forcimit të shtetit dhe krijimit të ushtrisë, si dhe integrimeve euroatlantike”, nënvizon Bytyçi, i cili bën thirrje që të punohet drejt një koalicioni të tillë.

“E lëshova këtë ide në këtë opinion për të thënë se duhet punuar në këtë drejtim. Qeveria e ardhshme me VV-në dhe LDK-në ka mundësi të krijojë një ekuilibër politikash shumë produktive për zhvillimin e vendit dhe politikat e zbatuara. Kombinimi i programeve përmes këtij koalicioni të dy partive politike të qendrës së djathtë dhe të qendrës së majtë do të sillte një sukses spektakolar për Kosovën në fushën e zhvillimit ekonomik dhe social. Por mos harrojmë se një koalicion i tillë e lehtëson pozitën gjeopolitike të Kosovës në këto kohë zhvillimesh dramatike në Europë. Kjo sepse rritet fuqia vendimmarrëse, ndërkohë që vendimmarrja i nënshtrohet një ekspertize më të gjerë dhe më të kualifikuar! Besoj se Lidhja Demokratike e Kosovës do ta kapë këtë moment dhe do të dëshmojë edhe kësaj radhe, si në kohët e Ibrahim Rugovës, se ajo punon për shtet dhe jo për pushtet”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi.