Veç 28 vota diferenca mes Arian Tahirit dhe Faton Pecit në Mitrovicë

Komuna e Mitrovicës ka shkuar në balotazh mes PDK-së dhe VV-së.

Kandidati i PDK-së, Arian Tahiri nga 100% e vendvotimeve të numëruara ka marrë 47.89% apo 15 mijë e 368.

I dyti del të jetë kandidati i VV-së, Faton Peci me 47.80% apo 15 mijë e 340 vota. Diferenca mes dy kandidatëve vetëm 28 vota.

Ani pse Mitrovica ka shkuar në balotazh, të tri Exit Poll-et e nxirrnin fitues Arian Tahirin e PDK-së, pa balotazh.
Nga sondazhi i UBO Consulting, Arian Tahiri kishte lënë shumë mbrapa Faton Pecin e VV-së në këtë komunë me 55.9%. Peci i VV-së radhitej i dyti me 39.7%.

Në Exit Poll-in e Baton Haxhiut, kandidati i PDK-së kishte marrë 58.3%, ndërsa ai i VV-së 35.6%.

Poashtu i pari, Arian Tahiri kishte dalë edhe në Exit Poll-in e Klan Kosovës, me 51.12%, kurse Faton Peci i VV-së me 41.23%.

E pikërisht për këto Exit Poll-e, Kryetari i VV-së, Albin Kurti sot në konferencë për media kërkoi hetim nga organet e drejtësisë. Ai tha se jo vetëm që ka qenë huqje, por ndërhyrje flagrante e bërë pa u mbyllur vendvotimet.