Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet e të gjitha qendrave të votimit edhe në Komunën e Hanit të Elezit.
Sipas këtyre rezultateve, PDK ka fituar këtë komunë pa balotazh.
Bazuar në këto rezultate, Mehmet Ballazhi i PDK-së, ka marrë 50.94% të votave, ndërkaq Rufki Suma ka marrë 49.06% të votave.
Por, këtë rezultat nuk po e beson kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Ai në një konferencë për media sot, ka shpresuar se PDK do ta humb këtë komunë.
“Lëvizja Vetëvendosje i fitoi tre komuna pa balotazh, e ndoshta shtohet edhe Gjilani e bëhen katër. Partia Demokratike e Kosovës i fitoi tri komuna pa balotazh, e ndoshta i hiqet Hani i Elezit e mbeten dy”, tha Kurti.
Hani i Elezit është njëra nga tri komunat ku PDK-ja rezulton të ketë fituar pa balotazh, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.