Kimete Berisha: Në Kosovë, mafia zgjidhet me vota – Albin Kurtit asgjë dramatike nuk i ndodhi!

Komunat: Coza Nostra!

(Asgjë e re nën këtë qiell).

– Në Kosovë, mafia zgjidhet me vota.

– Komunat e Kosovës s’kanë kanalizim, por kanë mafiozë që i kanë pushtuar komunat e s’i lëshojnë karriget, sepse askush nuk ua kërkon.

– Çdo familje politike e ka nga një komunë, e secila e mbron si mbretërinë e vet private, dhe çuditërisht, votuesit preferojnë princeshat e tyre lokale në vend të çlirimit…nga zinxhiri i privilegjeve të tyre.

– Më mirë një mafioz i yti se sa një i huaj, ky është malli i votave.

– Në Kosovë, mafia zgjidhet me vota.

– Secili komandant i luftës e ka nga një komunë; secila familje e madhe politike e ka një “fshat të trashëguar” si pasuri familjare.

– Ashtu si në Siçili, territoret nuk diskutohen, vetëm administrohen nga brezi në brez.

– Njëri e ruan “kalanë” në lindje, tjetri “liqenin” në jug, tjetri “kodrën me minatorë” në veri, e tjetri ‘banjën’ në perëndim…!

– Të gjithë e kanë nën “zap” ndonjë komunë, e në mes tyre qytetari endet pa kanalizim, pa dritë, por me kryetar…dhe me meritë.

– Çdo komunë, një familje.

– Si në Meksikë, ku kartelët kontrollojnë qytete; ndryshimi është vetëm produkti, ata kanë drogë, ne kemi tenderë.

– Në Bosnje, çdo kanton është mbretëri private.

– Në Shqipëri, çdo rreth ka mbretin e vet lokal.

– Por askund nuk ndodh me këtë normalitet poetik si në Kosovë, ku mafia zgjidhet me vota.

– Qytetarët nuk janë të lumtur në asnjërën komunë mbretërore, por nuk heqin dorë nga mafiozët e tyre, sepse më mirë një mafioz i joti, se sa një i huaj.

– I huaji i joti s’bëhet.

(Mafiozi im është më i mirë se i joti.)

– Asgjë nuk ka ndryshuar!

Kosova nuk është çliruar nga mafia komunale, që blejnë vota, bashkë me njerëz.

– Ku e sheh ti këtu ndryshimin?

Ku është ndryshimi?

– Familjet e mëdha politike e kanë ruajtur territorin siç ruhet nderi:

me marrëveshje të heshtur xhentëlmenësh.

– Dihet kujt i takon Veriu.

– Dihet kujt i takon Jugu.

– Dihet kujt i takon Lindja.

– Dhe Perëndimi… i egër.

– Çdo komandant, çdo familje e madhe politike, ka më së paku një komunë që e mban si trofe lufte.

– Të gjitha komunat kanë diçka të përbashkët: mungesën e kanalizimit dhe tepricën e kryetarëve.

– Rrugë s’kanë, dritë s’kanë, pare s’kanë, jetojnë në mjerim e në vetmi, nga ndihmat humanitare të familjarëve të tyre në perëndim, por kanë kryetarë, dhe kryetarët i ndriçojnë rrugët e territ me reflektorët e xhipave të tyre.

– Psikologjia politike nuk e shpjegon dot:

si mund të jesh i palumtur, dhe prapë ta votosh trishtimin tënd?

– Është si një mazoizëm elektoral, ku lumturia matet me fatkeqësinë e tjetrit.

– Lumturia duhet të përfshijë patjetër edhe fatkeqësinë e armikut.

– Për disa, gëzimi vjen nga lajmi i keq për kundërshtarin mafioz, jo nga dritat e fikura në lagjen e vet.

– E Albin Kurti?

Ambasadorët kundër.

Opozitën kundër.

Gazetarët kundër.

Shqipërinë kundër.

Edhe të vetët kundër.

– Dhe megjithatë, asgjë dramatike nuk i ndodhi.

Është aty ku ka qenë.

– I vetëm kundër të gjithëve.

– Nën këtë qiell, asgjë e re.

– Dhe, e njëjta dramë:

shqiptarët mbesin peng të strukturave mafioze; votojnë për të njohurin, për familjarin, për komandantin e vogël…

– Dhe kur natyra ua kujton se kanalizimi mungon, ata thjesht shikojnë dritat e kryetarit që kalojnë përmes errësirës…

dhe i durojnë.

P.S. Qytetarët votojnë.

Mafia buzëqesh.

Dritat fiken.

Kanalizimi rrjedh.

Dhe të gjithë e dinë se…kështu duhet.