Arrestimi i Fatmir Shehollit për spiunazh në favor të shërbimeve serbe ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik.
Së fundi, në lidhje me këtë arrestim, profesori Enver Bytyçi përmes një shkrimi në “Bota sot” reagoi ashpër, duke e quajtur Shehollin një “tradhtar tipik” dhe duke ngritur shqetësime për praninë e tij të vazhdueshme në mediat shqiptare.
Sipas Bytyçit, Fatmir Sheholli, tashmë i arrestuar nën akuzat për spiunazh, ka pasur një platformë të përditshme në televizionet e Kosovës dhe Shqipërisë, nga ku ka përçuar, sipas tij, mesazhe me natyrë anti-shqiptare.
Enver BytyçiFoto galeri
“Fatmir Sheholli është arrestuar për spiunazh kundër Kosovës. E në të gjithë botën spiunët klasifikohen si tradhtarët tipikë të atdheut të tyre. Nuk bën përjashtim as Fatmir Sheholli.
Por këtë tradhtarin spiun të Serbisë shqiptarët janë detyruar ta dëgjojnë çdo ditë e çdo natë në ekranet televizive të Kosovës e besa edhe të Shqipërisë. Ky spiuni i deklaruar serb, i arrestuar para dy ditësh, ka folur me krenari për veprimtarinë e tij të spiunazhit në këto ekrane. Kohën televizive ia kanë dhënë televizionet bazuar në politikat editorial të tyre. Këto politika përcaktojnë jo vetëm orientimin, por edhe aktorët dhe njerëzit që përçojnë orientimin editorial të medies”, deklaroi ai.
Profesori thekson se përgjegjësia nuk ndalet vetëm te Sheholli.
Ai kërkoi hetim të thelluar edhe ndaj atyre që i dhanë hapësirë publike, si dhe ndaj miqve të tij në politikë e gazetari.
“Kjo do të thotë se Fatmir Sheholli në ekranet televizive ka përçuar politikat editorial anti-shqiptare. Me lejen e editorëve dhe të moderatorëve. Prokuroria nuk duhet të mjaftohet vetëm me Fatmir Shehollin. Duhen kaluar në sitën e hetimit edhe disa ose të paktën ndonjë medie që e ka rehabilituar atë. Duhen hetuar edhe miqtë e tij të medies dhe politikës në Kosovë. Jam i bindur se ajo miqësi bazohet në ndjenja e ndoshta edhe në veprimtari të përbashkëta anti-Kosovë.”, përfundon Bytyçi.
Arrestimi i Shehollit vjen në një kohë kur institucionet e sigurisë në Kosovë kanë intensifikuar hetimet kundër ndikimit të shërbimeve të huaja, sidomos atyre serbe, në jetën politike dhe mediatike të vendit.
Gjatë ditës së djeshme, Gjykata Themelore në Prishtinë caktoi masën e paraburgimit prej një muaji për Fatmir Shehollin, të dyshuar për spiunazh kundër shtetit.
Sheholli u arrestua të enjten në rrethin e Prishtinës pas hetimeve disamujore kundër tij.