Pasi u arrestua ditë më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për Fatmir Shehollin, të dyshuar për spiunazh kundër shtetit të Kosovës.
Deri më tani, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar, akuzuar e gjykuar serbë e shqiptarë nën dyshimet se po spiunonin për shërbimet e inteligjencës së Serbisë.
Në qershor, Aleksandar Vllajiq u dënua me pesë vjet burgim, pasi u deklarua fajtor për akuzat se ishte përfshirë në spiunazh si anëtar i Agjencisë Serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA). Po ashtu, edhe dy të dyshuar të tjerë, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, po gjykohen për spiunazh për Serbinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Pas gjithë këtyre arrestimeve, ekspertët e sigurisë ngrejnë alarmin se siguria e Kosovës po rrezikohet nga raste spiunazhi të lidhura me shërbimet sekrete serbe.
Arrestimet e fundit ngrenë shqetësime për përmasat e kërcënimit dhe gatishmërinë e Kosovës për t’u përballur me të.
Rreziku nga spiunazhi serb
Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, për gazetën “Bota sot”, thotë se arrestimi i Shehollit është dëshmi e qartë se spiunazhi serb ka depërtuar në Kosovë.
“Arrestimi i Fatmir Shehollit nën dyshimin për veprën e spiunazhit është një sinjal i qartë se Kosova është prekur sinqerisht dhe seriozisht nga lufta hibride, përkatësisht spiunazhi. Fatmir Sheholli ka qenë një figurë e atakuar publikisht në shumë media dhe nga disa personalitete, në lidhje me dyshimet për spiunazh,” thotë Elezi.
“Madje, i njëjti gjatë deklarimeve të tij ka pranuar vetë se ka pasur lidhje me shërbimet e huaja, duke përmendur faktin se ka punuar gjatë paraluftës në shërbimet e sigurisë së Serbisë apo të Jugosllavisë, madje deri në vitet ’90. Pastaj, ka deklaruar se ka bashkëpunuar me ‘Sigurimin e Atdheut’, një strukturë inteligjente e krijuar nga LDK-ja, si dhe se ka punuar me SHIK-un. Por, ajo që është më interesante, vlen të përmendet fakti se Fatmir Sheholli ka komunikuar drejtpërdrejt në telefon, nga një emision, me Milan Radoiçiqin, duke përmendur situata të rënda – dhe dy javë pas asaj ngjarjeje ndodhi sulmi në Banjskë,” shton Elezi.
ImageBedri EleziFoto galeri
Sipas tij, këto e kanë bërë personin në fjalë mjaft të dyshuar.
“Mund të themi se institucionet e Republikës së Kosovës janë mirë të organizuara sa i përket veprimeve deri te arrestimi i tij. Fakti që janë marrë këto masa, tregon se dyshimet janë të bazuara – edhe pse mjaft të vonuara, nga periudha kur dyshohet se ai ka kryer veprën e spiunazhit,” thekson Elezi.
Më tej, Elezi hedh dyshime të forta se si Sheholli kishte arritur të tërheqë para nga fondi i AKI-së.
“Ajo që të lë më shumë për të menduar është fakti se i njëjti ka deklaruar se ka bashkëpunuar me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë. Por, së fundi, një hulumtim gazetaresk ka zbuluar një rrjedhje dokumenti nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, ku kryeinspektori i AKI-së ka cituar disa dyshime serioze në lidhje me krimin e organizuar brenda AKI-së – përkatësisht, çështjen e keqpërdorimeve financiare të fondit special operativ, ku përmendet emri i Shehollit që kishte arritur të tërhiqte mjete financiare nga ai fond, rreth 600 mijë euro. Kjo e bën situatën komplekse, sepse tregon se ai ka pasur lidhje të fuqishme brenda AKI-së dhe ka pasur mundësi të ndikojë në struktura të ndryshme shtetërore për të kryer veprën e spiunazhit dhe për të dëmtuar rëndë Kosovën,” shpjegon Elezi.
Në fund, Elezi thotë se Serbia është duke e vazhduar luftën ndaj Kosovës, por tani në forma të ndryshme.
“Unë mendoj se Policia e Kosovës, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe Prokuroria Speciale duhet të veprojnë shpejt dhe t’i marrin të gjitha masat në lidhje me situatën e krijuar – sidomos tani kur Serbia e ka kërcënuar hapur Kosovën. Dihet se lufta hibride është duke vazhduar përmes formave të ndryshme, dhe spiunazhi me siguri është njëra ndër format më të fuqishme të angazhimit të Serbisë brenda territorit të Republikës së Kosovës. Edhe njëherë, mund të them se fakti që është arrestuar një person i tillë – mjaft i diskutuar në Kosovë – tregon se Kosova është realisht e prekur nga veprat e spiunazhit dhe mundësia e përfshirjes së tij në institucionet e Republikës është tejet serioze, posaçërisht në politikë, ku kemi veprime që kanë dëmtuar rëndë vendin,” përfundon Bedri Elezi për “Bota sot”.
Meha: Numër i madh spiunësh shqipfolës
Ndërkaq, njohësi i sigurisë, Xhevat Meha, jep alarmin se numri i spiunëve shqipfolës është shumë i madh.
ImageXhevat MehaFoto galeri
“Ky arrestim është vazhdim i disa arrestimeve të mëhershme të individëve të dyshuar për spiunazh, të cilët janë dërguar para institucioneve të drejtësisë. Viti 2025 po paraqitet si fillimi i një pune që është dashur të fillojë shumë më herët. Por më mirë tani se kurrë. Arrestimet filluan me dy të dyshuar shqipfolës, u vazhdua me disa serbishtfolës dhe tani kemi sërish shqipfolës, të cilët janë dyshuar prej kohësh nga qytetarët për shkak të veprimtarisë së tyre të mëparshme. Numri i individëve serbishtfolës të përfshirë në spiunazh është shumë i vogël në krahasim me shqipfolësit. Edhe trajtimi i tyre nga institucionet tona është më i lehtë. Por ky është vetëm fillimi,” thotë Meha.
“Kur të kalohet në arrestimin e shqipfolësve të dyshuar, do të ketë edhe më shumë të arrestuar dhe do të jetë më e vështirë për t’u trajtuar nga institucionet. Këta individë janë familjarë e farefis i shumëkujt, janë kolegë pune e profesioni, miq e dashamirë, njerëz që u kemi besuar e u kemi dhënë votën për të mbrojtur interesat e qytetarëve, për të qenë kryetarë partish politike apo udhëheqës të lartë të institucioneve të Kosovës. Do të jenë përjetime të rënda për shumëkënd,” shton Meha.
Në fund, Meha thekson se Kosova duhet të jetë e përgatitur në luftën e saj kundër spiunazhit.
“Nuk mund të ndërtohet shteti i Kosovës për të cilin janë përpjekur shumë breza, pa eliminimin e spiunazhit. Shoqëria e Kosovës duhet të jetë e përgatitur për përballje me të gjitha problemet dhe vështirësitë që do të dalin nga lufta kundër spiunazhit,” përfundon Xhevat Meha për “Bota sot”.